Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar të mërkurën se Turqia e ka fuqinë dhe aftësinë për t’i “shtypur” të gjithë terroristët në Siri, duke përfshirë Shtetin Islamik dhe militantët kurdë, derisa ka kërkuar nga vendet e tjera “t’i largojnë duart” nga Siria, raporton agjencia Reuters.
Që nga rënia e Bashar al-Assadit muajin e kaluar, Turqia ka përsëritur se është koha që milicia kurde YPG të shuhet. Ankaraja e konsideron grupin organizatë terroriste.
Ankaraja ka deklaruar se administratës së re siriane duhet t’i jepet mundësia për të adresuar praninë e YPG-së, por edhe ka kërcënuar me operacion të ri jashtë kufijve kundër milicisë me bazë në Sirinë verilindore, nëse kërkesat nuk plotësohen.
Gjatë fjalimit të tij në Parlament, Erdogani ka deklaruar se YPG-ja është problemi më i madh tani në Siri. Ai ka kërkuar që grupi t’i dorëzojë armët.
Erdogani i ka quajtur jobindëse qëndrimet e SHBA-së YPG-ja ishte partner kyç kundër Shtetit Islamik në Siri dhe luan rol vital në ruajtjen e kampeve burgje ku militantët islamikë janë duke u mbajtur.
“Nëse ka frikë reale ndaj Shtetit Islamik në Siri dhe rajon, fuqia më e madhe që e ka vullnetin dhe fuqinë për ta rregulluar problemin është Turqia”, ka shtuar ai. “Të gjithë duhet t’i heqin duart nga Siria, dhe ne, bashkë me vëllezërit dhe motrat siriane, do të shtypim kokën e Shtetit Islamik, YPG-së dhe organizatave tjera terroriste në një kohë të shkurtër”.
Turqia ka përsëritur kërkesën ndaj aleatit të saj në NATO, SHBA-së, për të ndaluar mbështetjen për Forcat Demokratike Siriane, dhe ka thënë se administrata e re në Siri ka ofruar për të marrë nën menaxhim burgjet.