Presidenti i Turqisë njoftoi të mërkurën një sërë masash që synojnë të sjellin lehtësim për familjet dhe bizneset që po zhyten nga inflacioni i lartë dhe rritja e faturave të energjisë elektrike, raporton AP.
Në një fjalim televiziv pas një takimi të kabinetit, presidenti Recep Tayyip Erdogan ka thënë se autoritetet do të rregullojnë nivelin nën të cilin do të fillojnë tarifat më të larta të energjisë elektrike për familjet që përdorin më shumë energji, ndërsa rreth 4 milionë familje në vendin me më shumë se 84 milionë banorë do të marrin subvencione shtetërore për t’i ndihmuar me faturat e larta të gazit natyror dhe energjisë elektrike.
Organizatat e shoqërisë civile nuk do të paguajnë më tarifat më të larta të energjisë që zbatohen për bizneset, tha ai, duke shtuar se disa biznese të vogla do të mund të përfitojnë gjithashtu nga tarifat e rirregulluara.
Inflacioni në Turqi u rrit në janar, duke zhdukur kursimet dhe duke e bërë të vështirë blerjen edhe të gjërave bazë si ushqimi. Ekspertët thonë se norma reale e inflacionit mund të jetë shumë më e lartë se numri zyrtar. Protestat kanë shpërthyer kundër faturave të energjisë me çmime të larta.
Erdogani insistoi se inflacioni i lartë është i përkohshëm dhe se qeveria do ta sillte nën kontroll.