Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Erdogani flet për herë të parë për dënimin e rivalit të tij

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka thënë se gjykatat do të korrigjojnë të gjitha gabimet në procesin e apelit pas vendimit kundër anëtarit të opozitës dhe kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu. Ka shtuar se vendimet ligjore nuk mund të shpërfillen, shkruan Reuters.

Në komentin e parë për vendimin ndaj njërit prej kundërshtarëve më të mëdhenj politikë, Erdogani ka deklaruar se nuk shqetësohet se kush do të jetë kandidati i opozitës për president në zgjedhjet që do të mbahen vitin e ardhshëm.

"Nuk ka ende një vendim gjyqësor ligjërisht të detyrueshëm. Çështja do të shkojë në Gjykatën e Apelit. Nëse gjykatat kanë bërë një gabim, do të korrigjohet. Ata po përpiqen të na tërheqin në këtë lojë", ka thënë Erdogan.

LEXO EDHE: 

Sipas tij, ka pasur shumë vendime gjyqësore që ata vetë i kanë kritikuar ashpër, por që nuk i japin të drejtë askujt që të ofendojë gjyqtarët apo të anashkalojë vendimet e gjykatave.

Më 14 dhjetor, Imamoglu u dënua në shkallë të parë pasi i quajti "budallenj" ata që vendosën të anulonin zgjedhjet për kryebashkiak të Stambollit në vitin 2019. Ai fitoi në ato zgjedhje. Më bindshëm triumfoi në zgjedhjet e përsëritura.

Vendimi kundër kryebashkiakut të metropolit turk bashkoi bllokun opozitar rreth asaj që ata e konsiderojnë një luftë për demokraci, shtet të së drejtës dhe drejtësi. Mijëra qytetarë u mblodhën në mitingjet e udhëhequra nga Imamoglu, i cili njoftoi se do ta apelonte vendimin.

Kritikët thonë se gjyqësori i Turqisë i nënshtrohet vullnetit të Erdoganit për të ndëshkuar kritikët e tij. Qeveria pretendon se gjykatat janë të pavarura.

Artikuj të ngjashëm