Botë

Erdogan: Çarmatosja e PKK-së hap kapitull të ri në historinë e Turqisë

erdogan

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të shtunën se një kapitull i ri është hapur për Republikën e Turqisë pas fillimit të procesit të çarmatimit nga militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), ka shkruar Reuters.

“Që prej ditës së djeshme, murtaja e terrorizmit ka hyrë në procesin e përfundimit. Sot është ditë e re; një kapitull i ri është hapur në histori. Sot, dyert e një Turqie të madhe dhe të fuqishme janë hapur gjerësisht”, ka deklaruar Erdogan.

Tridhjetë militantë të PKK-së dogjën armët e tyre në një shpellë në veri të Irakut të premten, duke shënuar hapin simbolik por të rëndësishëm drejt përfundimit të kryengritjes shumëvjeçare kundër Turqisë.

PKK-ja, që ka qenë në konflikt me shtetin turk dhe e ndaluar që nga viti 1984, kishte vendosur në muajin maj që të shpërbëhet, t’i dorëzojë armët dhe ta përfundojë luftën e saj të armatosur pas thirrjes publike të bërë nga lideri i saj i burgosur qëmoti, Abdullah Ocalan.

Pas një sërë përpjekjesh të dështuara për paqe, iniciativa e re mund të hapë rrugën për Ankaranë zyrtare që të përfundojë kryengritjen që ka lënë të vrarë më shumë se 40,000 persona, ka ngarkuar ekonominë dhe ka shkaktuar ndarje të thella shoqërore dhe politike në Turqi dhe në mbarë rajonin.

Përmes një videoje të rrallë të publikuar të mërkurën, Ocalan i ka bërë thirrje gjithashtu parlamentit turk që të krijojë një komision për të mbikëqyrur çarmatosjen dhe për të menaxhuar procesin më të gjerë të paqes.

Qeveria turke ka ndërmarrë hapa për ta formuar këtë komision, ndërkohë që partia prokurde DEM dhe Ocalani kanë theksuar se janë të nevojshme disa garanci ligjore dhe mekanizma të caktuar për të lehtësuar kalimin e PKK-së në skenën politike.