Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“Ekonomia e ndryshuar” po ndryshon stilin e jetesës

Ekonomia globale nuk kishte përjetuar diçka të ngjashme për dekada me radhë. Pas vitesh ku inflacioni ultra i ulët ishte bërë pjesë e ekonomive anembanë botës, çmimet shkuan në qiell në vitin 2021 - në dyqanet ushqimore, në pompat e benzinës, në parkun e makinave të përdorura, në dyqanet e mobileve. “Ju filloni të mendoni: A do të shkoj në pazar? A e mbush sot?” - tha Bodden. “Çdo udhëtim është i planifikuar dhe i synuar. Pra, ka një ndryshim të stilit të jetesës”

Kaliforni, SHBA, 27 dhjetor (AP) - Punëtorët në një restorant të ushqimit të shpejtë në Sakramento në Kaliforni, të lodhur nga puna në vapë ngufatëse e me paga të ulëta, kërkuan ngritje pagash dhe një kondicioner të ri - dhe ia dolën t’i jetësonin të dyja kërkesat.

Porositë e klientëve vërshuan një furnizues italian të makinave. Ai po mundohej të furnizohej mjaftueshëm me gjithçka, nga plastika te mikroçipet për të përmbushur kërkesat.

Një thatësirë ​​në Tajvan rriti mungesën e çipave kompjuterikë në mbarë botën, kaq jetike për prodhimin e makinave dhe pajisjeve elektronike.

Goditje e pashembullt

Ekonomia globale nuk kishte përjetuar diçka të ngjashme për dekada me radhë. Pas vitesh ku inflacioni ultra i ulët ishte bërë pjesë e ekonomive anembanë botës, çmimet shkuan në qiell në vitin 2021 - në dyqanet ushqimore, në pompat e benzinës, në parkun e makinave të përdorura, në dyqanet e mobilieve. Punëtorët amerikanë, pasi luftuan për vite të tëra për të realizuar përfitime ekonomike, siguruan paga, përfitime dhe kushte pune më të mira - dhe besimin për të lënë punën e tyre nëse nuk u realizoheshin kërkesat.

Zinxhirët e furnizimit global që funksionuan me efikasitet për vite me radhë u shkërmoqën, ndërsa fabrikat, portet dhe depot e mallrave nuk e përballuan dot peshën e porosive në rritje.

I nxitur nga infuzionet e mëdha të ndihmës qeveritare dhe shpërndarja e gjerë e vaksinave kundër COVID, rikthimi ekonomik ishte po aq befasues sa rënia që i kishte paraprirë. Politikëbërësit, pronarët e bizneseve dhe ekonomistët u zunë në befasi si nga shpejtësia e rimëkëmbjes, ashtu edhe nga variantet e reja të COVIDit që kërcënuan qëndrueshmërinë e tij.

Në fund të fundit, ata kurrë nuk kishin për të menaxhuar pasojat e paparashikueshme, ekonomike dhe të tjera, nga pandemia globale.

Rimëkëmbja

Në pranverën e vitit 2020, ekonomia globale dukej se ishte në prag të një katastrofe. Përhapja e papritur dhe verbuese e shpejtë e infeksioneve COVID-19 solli bllokime, i frikësoi njerëzit të izolohen në shtëpi, paralizoi udhëtimet dhe aktivitetin e zakonshëm të biznesit dhe i bëri punëdhënësit të shkurtojnë dhjetëra miliona vende pune.

Në qershor të atij viti, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikoi se ekonomia globale do të tkurrej 4.9% për vitin, rënia e parë e prodhimit ekonomik në mbarë botën që nga kriza financiare 2008-2009.

Por, qeveritë e shteteve më të pasura, të trembura nga rimëkëmbja e ngadaltë e dhimbshme nga kriza financiare pak më shumë se një dekadë më parë, derdhën para për të shpëtuar ekonomitë e tyre. Shtetet e Bashkuara ishin veçanërisht agresive: furnizuan 5 trilionë dollarë ndihmë stimuluese të lidhura me COVID për individët, bizneset dhe komunat këtë vit dhe vjet.

“Ne kishim xhepin më të thellë krahasuar me vend. Ne kemi këtë privilegj të tepruar” – aftësinë për të krijuar borxhe për të paguar lehtësimin e COVID-it pa pasur nevojë të paguajmë norma të larta interesi për ta bërë këtë, tha Robin Brooks, kryeekonomist në Institutin e Financave Ndërkombëtare, një grup tregtar global për kompanitë financiare.

Investitorët globalë e konsiderojnë borxhin e qeverisë amerikane si ndoshta investimin më të sigurt; blerjet e tyre të obligacioneve amerikane i mbajnë të ulëta normat e interesit amerikan.

Në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë, ndihma stimuluese vlerësohet gjerësisht për të ndihmuar në parandalimin e katastrofës. Megjithëse ekonomia globale u tkurr në vitin 2020, ajo e bëri këtë me 3.1% më pak se sa pritej. Dhe FMN-ja pret që rritja të kthehet në 5.9% për vitin 2021. Ky do të ishte zgjerimi më i shpejtë i vitit kalendarik në të dhënat e FMN-së që datojnë në 1980.

Image

Kriza e fuqisë punëtore

Megjithatë, vetë virusi ka vazhduar të komplikojë aftësinë e kujtdo për të parashikuar se ku po shkonte ekonomia ose për të përcaktuar se çfarë të bënte për të. Një valë infeksionesh gjatë verës, për shembull, e çoi ekonominë e Japonisë në një krizë të keqe: ajo u tkurr nga korriku në shtator me një normë vjetore prej 3.6%.

Po kështu, rimëkëmbja e Amerikës humbi vrullin pasi varianti i Deltës, shumë ngjitës, shpërtheu gjatë verës. Rritja u ngadalësua në një normë vjetore prej 2.1% nga korriku në shtator, duke rënë ndjeshëm nga një normë prej 6.7% në tremujorin prill-qershor dhe 6.3% në periudhën janar-mars.

Por, kërkesa e fortë, veçanërisht për makineri, pajisje dhe mallra të tjera fizike, i ka ngufatur prodhuesit globalë. Fabrikat nuk mund të siguronin lëndë të para dhe pjesë të mjaftueshme. Portet dhe depot e mallrave u ngufatën. Kompanitë u përballën me mungesat e gjithçkaje që u nevojitej, veçanërisht punëtorët.

Kjo ishte veçanërisht e vërtetë në shumë restorante. Për shembull, në restorantin “Gotham”, të rihapur rishtazi në Manhatan, klientët nuk janë në gjendje të gjejnë çokollata të prodhuara me dorë, dikur një ëmbëlsirë e stërçmuar në pushime, ose të marrin një hamburger ose të porosisin ushqime deti. “Gotham” nuk po mund të gjente punëtorë të mjaftueshëm për të prodhuar çokollata ose për punë në skarë.

"Ne punuam për ta rimëkëmbur restorantin”, tha Bret Csencsitz, pronari i ri i restorantit. “Kërkesa është aty. Produkti është superior. Megjithatë, unë nuk kam mjaft njerëz për ta bërë çfarë duhet të jetë”.

Restoranti u pengua gjithashtu nga mungesa e furnizimeve bazë si pjata qeramike dhe enë qelqi. Kostot e ushqimit luhateshin jashtëzakonisht.

Përtej Atlantikut, MTA, një prodhues i komponentëve të automjeteve që përballoi bllokimin e parë të Italisë në shkurt 2020. Por, rimëkëmbja solli telashe të reja.

"Gjithçka mungon", thotë Maria Vittoria Falchetti, shefe e marketingut të kompanisë. “Plastika mungon. Mungojnë metalet. Letra mungon. Mikroçipet - as mos i përmendni. Gjithashtu, ne po përballemi me një rritje të madhe të çmimeve të këtyre materialeve, por edhe të energjisë”.

Në Azi, prodhuesit e gjithçkaje, nga lodrat te celularët, vuajtën nga mungesa globale e çipave kompjuterikë dhe rritja e kostove për komponentët, lëndët e para dhe transportin.

Image

Vuajtja nga ngritja e madhe e çmimeve

Grykat e ngushta të zinxhirit të furnizimit kanë rritur kostot, duke kontribuar në një problem që shumica e vendeve të pasura nuk është dashur ta durojnë për vite të tëra: inflacioni i lartë i vazhdueshëm. FMN-ja pret që çmimet e konsumit në ekonomitë e zhvilluara të rriten me 2.8% këtë vit. Kjo do të ishte shkalla më e lartë e tillë që nga viti 2008.

Rritja e çmimeve të energjisë, një përgjigje ndaj rimëkëmbjes së shpejtë ekonomike, kontribuoi fuqishëm në rritjen e çmimeve. Çmimi i naftës së papërpunuar standarde të SHBA-së shkoi në qiell me 75% - në 84 dollarë për fuçi - nga janari në tetor, përpara se të lehtësohej në javët e fundit, pasi varianti Omicron ngriti perspektivën e rritjes më të ngadaltë.

Presionet inflacioniste ishin veçanërisht të forta në Shtetet e Bashkuara. Përveç energjisë, disa nga rritjet më të mëdha të kostos ishin për nevoja të tilla si ushqimi, strehimi, makinat dhe veshmbathjet – mallra dhe shërbime nga të cilat varen rregullisht miliona amerikanë. Veçanërisht të goditura ishin familjet me të ardhura më të ulëta me pak ose aspak jastëkë parash. Muajin e kaluar, çmimet e konsumit në SHBA u rritën me 6.8% nga 12 muaj më parë - rritja më e madhe nga viti në vit që nga viti 1982.

Gjatë vitit të kaluar, çmimet e makinave të përdorura u rritën me 31%, mishi i pjekur i viçit me 26%, kostumet dhe palltot e meshkujve 14%. Dhe rritjet e çmimeve po tejkalojnë fitimet e pagave. Pas inflacionit, të ardhurat për orë të punëtorëve amerikanë, pavarësisht rritjes së pagave, në fakt ranë 1.9% muajin e kaluar krahasuar me nëntorin 2020.

Në një stacion mobil në Yonkers, Nju Jork, një gallon gaz i rregullt shitej për 3,89 dollarë. Mario Bodden, menaxher projekti në një qendër tregtare aty pranë, tha se kushtonte 50 dollarë për ta mbushur rezervuarin, në vend të 35 dollarëve sa ishte më parë.

“Ju filloni të mendoni: A do të shkoj në pazar? A e mbush sot?” - tha Boddeni. “Çdo udhëtim është i planifikuar dhe i synuar. Pra, ka një ndryshim të stilit të jetesës”.

"Ne ende duhet të bëjmë atë që duhet të bëjmë për të mbijetuar", tha Ray Khoury, administrator spitali, ndërsa mbushte një Mercedes në një stacion të BP-së në Yonkers. “Nevojat e përditshme të familjeve tuaja, të fëmijëve tuaj - ato zvogëlohen. Harrojini kursimet. Kursimet i ka marrë era”.

Artikuj të ngjashëm