Senatori amerikan Lindsey Graham, i cili ka ndikim të madh në Washington, flet për një gazetë gjermane mbi planet e tij për t’i dhënë fund agresionit rus në Ukrainë dhe një porosi për presidentin Donald Trump.
Senatori amerikan Lindsey Graham deklaroi në një intervistë me gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se synon t’i ndihmojë presidentit Donald Trump që t’i japë fund luftës në Ukrainë në mënyrë të ndershme. Kësisoj, sipas tij, mund të shmangen konflikte të tjera si ai mes Kinës dhe Tajvanit. Ai e konsideron tërheqjen amerikane nga Afganistani si një faktor që e ka bërë Rusinë edhe më agresive, po ashtu Iranin dhe Kinën: “Tërheqja jonë nga Afganistani pati pasoja katastrofike”, tha Graham.
Ai shtoi se sa i përket Ukrainës, i ka dhënë Trumpit këtë porosi: “Edhe nëse i kalon pushimet me Putinin, duhet ta përfundosh luftën në mënyrë të drejtë”. Graham është i bindur se bisedimet po bëhen të pakuptimta, sepse Rusia po përgatitet për një ofensivë të re: “Rusët po përgatiten për të pushtuar më shumë territor me forcë”.
Graham është duke punuar në formulimin e një projektligji për vendosjen e sanksioneve të ashpra ndaj Rusisë dhe vendeve që bashkëpunojnë me këtë shtet, duke përfshirë tarifa “drakonike” prej 500 për qind për çdo vend që importon energji ruse. Ai thotë se këto shtete duhet të zgjedhin a duan të ndihmojnë Rusinë apo të kenë qasje në tregun amerikan. “Kush ndihmon Rusinë është i keq. Kush ndihmon Ukrainën është i mirë”, deklaroi Graham.
Politikani amerikan është i kënaqur me unitetin mes shteteve europiane. “80 vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, shteti modern gjerman është pjesë e zgjidhjes për botën, jo pjesë e problemit”, tha ai. Për kancelarin gjerman Friedrich Merz, i cili këtë të enjte do të takojë Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, Graham ka këtë këshillë: të falënderojë Trumpin për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë. Po ashtu, sipas tij, “Merz duhet t’i thotë presidentit se Gjermania është e gatshme të paguajë; se Europa është e gatshme të përballojë disa dhimbje”.
Lindsey Graham e mbrojti qëndrimin e Trumpit ndaj diktatorit rus si përpjekje për ta sjellë atë në tryezën e negociatave duke i premtuar një karotë. Po ashtu Graham tha se nuk e sheh si problematike qasjen e ashpër të Trumpit ndaj presidentit ukrainas Vollodimir Zelenski nëse rezultati në fund është i drejtë. “Nëse ai (Trump) e përfundon këtë luftë në një mënyrë që të duket si shpërblim për agresionin, ai do të përjetojë më shumë agresion”, paralajmëroi Graham. Ai e përshkroi veten si “një republikan tradicional” që ka shërbyer si ushtar në Gjermni në vitet 1980-të dhe që beson në forcimin e NATO-s dhe bashkëpunimin e SHBA-së me Europën: “NATO është një forcë për të mirën, ndoshta organizata më e suksesshme për lirinë në historinë e botës”, tha ai.