Stamboll, 4 shkurt (AP) – E fejuara e gazetarit të vrarë saudit Jamal Khashoggi ka bërë të ditur të enjten se liderët botërorë nuk duhet t’i ruanin marrëdhëniet me “një vrasës”, duke aluduar në princin saudit, Mohammed bin Salman.
Këtë gjë, Hatice Cengiz e ka thënë pak ditë pasi që raporti i Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka implikuar de facto sunduesin e Arabisë Saudite me vrasjen e disidentit dhe kritikut të princit.
Khashoggi, një kolumnist i së përditshmes amerikane “The Washington Post”, ishte parë për herë të fundit të kishte hyrë në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor 2018. Zyrtarët turq besojnë se ai është vrarë dhe kufoma e tij është gjymtuar dhe eliminuar përbrenda konsullatës. Mbetjet e tij mortore nuk janë gjetur kurrë.
Raporti i Inteligjencës amerikane, i publikuar të premten e shkuar, ka bërë të ditur se princi Mohammed e kishte aprovuar operacionin për kapjen apo vrasjen e Khashoggit në tetor të 2018-s. Qeveria saudite ka mohuar çdo përfshirje të princit dhe ka mohuar gjetjet e raportit.
Derisa Washingtoni u ka vendosur sanksione disa të përfshirëve në këtë rast, ka kursyer vetë princin e kurorës.
Cengiz, e fejuara turke e Khashoggit që kishte pritur para konsullatës kur ai kishte hyrë aty për t’u pajisur me dokumentet e nevojshme për martesën e tyre, ka thënë se raporti ishte “një hap shumë i madh dhe i rëndësishëm” në shtegun drejt drejtësisë, por që duhet vepruar tutje.
“Fakti se është thënë që nuk do të ketë sanksione kundër personit që ka dhënë urdhrin për kryerjen e krimit ka krijuar një dilemë të çuditshme në mendjen e gjithsecilit. Por, kjo gjë do të duhej ndryshuar në ditët në vijim”, ka thënë ajo. “Procesi i të kërkuarit të drejtësisë është i gjatë, e nganjëherë nuk është aspak i lehtë”.
Këto deklarata, Cengiz i ka dhënë pas një seance gjyqësore, në gjykimin në mungesë kundër 26 zyrtarëve sauditë lidhur me vrasjen e Khashoggit, në të cilin avokati Ali Ceylan ka kërkuar që raporti amerikan të përfshihet në dokumentet gjyqësore. Gjykatësi i rastit ka bërë të ditur se avokati për këtë duhet të paraqesë kërkesë nëpërmjet prokurorit dhe se Cengizi, që përmendet si paditëse në rast, duhet të paraqesë gjithashtu kërkesë që princi Mohammed të shtohet si i pandehur.
Në shtator, një gjykatë saudite kishte burgosur tetë persona me shtatë deri në 20 vjet burgim për vrasjen e disidentit, në procesin që kritikët e cilësuan si jotransparent. Asnjëri prej të pandehurve të rastit nuk është identifikuar.
Tensionet midis Turqisë dhe Arabisë Saudite lidhur me rastin kanë prodhuar bojkotimin informal saudit të mallrave turke.