Pas konfirmimit nga Rojat Bregdetare se nuk ka asnjë të mbijetuar nga nëndetësja që po udhëtonte drejt rrënojave të “Titanikut”, autoritetet kanë nisur hetimet se përse shpërtheu nëndetësja, teksa janë ngritur dyshime në lidhje me sigurinë e saj nga ish-punonjësit e kompanisë.
Autoritetet janë përqendruar që të përcaktojnë se përse nëndetësja që po transportonte pesë persona në rrënojat e “Titanikut” kishte shpërthyer në thellësi të Oqeanit Atlantik.
Njoftimi se pesë personat në nëndetëse nuk kanë mbijetuar pasi u gjetën mbetje të saj, u ka dhënë fund kërkimeve pesëditore në afërsi të rrënojave të anijes së “Titanikut”.
Autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet dhe do të vazhdojnë përreth “Titanikut” ku janë gjetur mbetjet e nëndetëses.
Viktimat janë shefi i kompanisë së udhëtimeve nënujore, Stockton Rush, babë e bir pasanikë nga Pakistani Shahzada dhe Suleman Dawood, aventurieri Hamish Harding dhe eksperti i “Titanikut”, Paul-Henri Nargeolet.
Një zyrtar i marinës amerikane në kushte anonimiteti ka thënë se kanë gjetur një anomali që kishte të bënte me shpërthimin ose eksplodimin e pajisjes në momentin kur humbi komunikimin me sipërfaqen. Krejt kjo është mësuar me të dhënat akustike që ka gjetur marina amerikane.
Nëndetësja “Titan” ishte nisur në orën gjashtë të mëngjesit të dielën dhe vonesa në dalje në sipërfaqe u raportua pasdite në afërsi të Newfoundland. Ekipet e shpëtimit menjëherë dërguan anije dhe aeroplanë në vendin e zhdukjes së nëndetëses.
Shpresa për të gjetur të mbijetuar u zhduk të enjten kur edhe mbaroi oksigjeni në nëndetëse.
Rojat Bregdetare të SHBA-së kanë njoftuar se mbetjet e nëndetëses janë gjetur 480 metra larg “Titanikut”.
Së paku 46 persona me sukses kanë arritur afër rrënojave të “Titanikut” me këtë nëndetëse gjatë viteve 2021 dhe 2022.
Mirëpo vazhdimisht ishin ngritur dyshime në lidhje me sigurinë e saj si nga ish-punonjësit e kompanisë dhe udhëtarët e mëparshëm.