Dy shkencëtarë kanë fituar Çmimin Nobel për Kimi për zbulimin e një forme të re të krijimit të molekulave që mund të përdoren për ilaçe dhe mëlmesa ushqimore.
Zbulimi i Benjamin Listit nga Gjermania dhe britanikut David MacMillan ua ka mundësuar shkencëtarëve që të prodhojnë molekulat më me lehtësi, saktësi dhe siguri.
Këto molekula kanë shumë më pak ndikim negativ në ambient.
Duke komentuar çmimin e këtij viti, Komiteti i Nobelit ka deklaruar se shkencëtarët në kiminë organike tani kanë një mjet të ri që do të mundësojë përfitime të mëdha për njerëzimin.
Gjithsej 187 individë kanë marrë çmimin e kimisë që kur u dha për herë të parë në 1901.
Vetëm shtatë nga këta laureatë kanë qenë gra. Biokimisti britanik Frederick Sanger, fitoi çmimin dy herë, në vitin 1958 dhe 1980.
Vendet që kanë pasur më shumë laureatë të kimisë janë Shtetet e Bashkuara, me 72 fitues. Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar ndajnë vendin e dytë me nga 34 laureatë.