Dhuna që shpërtheu në Amsterdam javën e kaluar u nxit nga “një koktej toksik” huliganizmi dhe antisemitizmi, sipas një raporti të detajuar të publikuar nga zyra e kryetares së qytetit.
Qyteti u mbërthye nga tensione të larta kur shpërtheu dhuna pas një ndeshjeje futbolli të enjten e kaluar mes Ajaxit dhe Maccabi Tel Aviv.
Në një dokument 12-faqesh, kryetarja Femke Halsema detajoi ngjarjen që ndodhi në Amsterdam.
“Çfarë ndodhi gjatë ditëve të fundit ishte një koktej toksik i antisemitizmit, huliganizmit dhe zemërimit për luftën në Palestinë dhe Izrael dhe pjesët tjera në Lindjen e Mesme”, thuhet në raportin e saj.
Halsema ia prezantoi gjetjet këshillit të qytetit gjatë mbledhjes urgjente ku tha se “padrejtësi u është bërë dy palëve në qytetin tonë, hebrenjve si dhe njerëzve të pakicave që simpatizojnë palestinezët”, raportoi The Guardian.
Dhjetë banorë të Izraelit ishin në mesin e të arrestuarve, thuhet në raport, në pranimin e parë publik se mbështetësit e Maccabit mund ta kenë shkelur ligjin.
Raporti thotë se policia ishte e shqetësuar për mbështetësit “fanatikë” të Maccabi Tel Avivit një ditë para ndeshjes, dhe konfirmoi raportimet e policisë se huliganët e Maccabit, disa me fytyrë të mbuluar, hoqën një flamur palestinez, brohoritën slogane dhe sulmuan një taksist.
Mëngjesin e së enjtes, kryetarja dhe policia mbajtën takim që kishte të bënte kryesisht me “agresionin e mbështetësve të Maccabit...”. Një telefonatë iu bë ambasadorit izraelit para ndeshjes për t’u siguruar se qeveria izraelite e kishte të qartë se “sporti nuk përzihet me politikën”.
Në mesditë, policia vërejti mesazhet në rrjetet sociale që “tregonin gatishmërinë për të ndërmarrë veprime kundër mbështetësve të Maccabit” me tone “të ashpra” dhe “përdorim termash antisemitik”.
Atë natë, një grup i madh i mbështetësve të Maccabit ecën nëpër qendrën e qytetit me shkopinj në duar dhe kryen akte vandalizmi, thuhet në raport.
Pas mesnate, grupe lokale kryen “veprime të dhunshme që synonin mbështetësit izraelitë”, shtohet aty.
Pesë persona u dërguan në spital dhe rreth 30 u lënduan gjatë dhunës atë natë.