Të paktën 60 ushtarë rusë janë vrarë pasi një qendër stërvitore në lindjen e Ukrainës të pushtuar nga Rusia është goditur nga dy raketa, raporton “BBC”.
Burime kanë thënë për “BBC” se trupat ishin mbledhur në një qendër stërvitore në Donetsk duke pritur ardhjen e një komandanti të lartë.
Sulmi erdhi disa orë para se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të takohej me ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu.
Në takim, Shoigu pretendoi për suksese ruse në disa zona në vijën e frontit dhe po ashtu foli për pushtimin e qytetit Avdiivka.
Rusia e Ukraina deri më tash nuk kanë konfirmuar rastin në afërsi të fshatit Trudovske në rajonin e Donetskut.
Sipas raportimeve thuhet se anëtarët e brigadës së 36-të të motorizuar të Rusisë, po prisnin ardhjen e gjeneralmajorit Oleg Moiseyev.
Një ushtar, që i mbijetoi sulmit, tha në një videoincizim se komandanti i brigadës i kishte detyruar të qëndronin në një fushë të hapur.
Ata u goditën nga dy raketa që pretendohet se u lansuan nga lansuesit amerikan “HIMARS”.
Në disa video të publikuara shihen ushtarë të vdekur të shtrirë në fushë. Raportohet se të paktën 60 ushtarë rusë u vranë në sulmin. BBC-ja ka njoftuar se po punon t’i verifikojë videot.