"Ne ishim të mbërthyer aq fort së bashku sa nuk mund të lëviznim as të thërrisnim dhe ta raportonim situatën", tha i mbijetuari Lee. “Ne ishim të panjohur, por mbanim duart e njëri-tjetrit dhe bërtisnim vazhdimisht: ‘Le të mbijetojmë!’”. Kim Mi Sung, e cila punon për një organizatë jofitimprurëse në Itaevon, tha për Associated Press se vdiqën nëntë nga 10 personat që u ofroi ndihmë
Në një moment, mijëra meraklinj të Halloweenit u grumbulluan në rrugët e ngushta, plot gjallëri të lagjes më kozmopolite të Seulit, të etur për të treguar pelerinat, kapelat e magjistarëve dhe krahët e lakuriqëve të natës.
Pas pak, një valë paniku u përhap, ndërsa turma e pakontrollueshme u bllokua në një rrugicë të ngushtë në Itaevon. Meraklinjtë e rrëzuar u bllokuan për 40 minuta, të grumbulluar mbi njëri-tjetrin "si domino" në një përplasje kaotike aq intensive sa rrobat u grisën.
Seul i habitur sapo kishte filluar të bashkohej në zi për viktimat e së shtunës mbrëma që mori të paktën 154 jetë, kryesisht njerëz në të 20-at dhe të 30-at e tyre, përfshirë shtetas të huaj. Zyrtarët thanë se prisnin më shumë raportime të tjera për vdekje, sepse kishte rreth 150 të tjerë të plagosur, 33 prej tyre në gjendje të rëndë.
Skena makthi
Dëshmitarët përshkruan skena makthi teksa njerëzit po u ofronin ndihmën e parë atyre që po vdisnin dhe po transportonin trupa në ambulanca, ndërsa muzika e vallëzimit pulsonte nga klubet e natës me drita neoni. Të tjerët u përpoqën me dëshpërim të tërhiqnin të bllokuarit në fund të turmës së njerëzve, por shpesh dështuan sepse kishte shumë njerëz të plandosur mbi ta.
"Ne ishim të mbërthyer aq fort së bashku sa nuk mund të lëviznim as të thërrisnim dhe të raportonim situatën", tha i mbijetuari Lee. “Ne ishim të panjohur, por mbanim duart e njëri-tjetrit dhe bërtisnim vazhdimisht: ‘Le të mbijetojmë!’”.
Kim Mi Sung, e cila punon për një organizatë jofitimprurëse në Itaevon, tha për Associated Press se vdiqën nëntë nga 10 personat që u ofroi ndihmë. Shumë prej tyre kishin gjakderdhje nga hunda dhe goja. Shumica ishin gra të veshura si shtriga ose me kostume të tjera të Halloweenit; dy ishin të huaja.
"Ishte si një ferr", tha Kim. "Unë ende nuk mund ta besoj atë që ndodhi”.
Në këtë vend të teknologjisë së lartë, ankthi, terrori dhe pikëllimi - si dhe shumë nga detajet e asaj që ndodhi - po shfaqen më qartazi në mediat sociale. Përdoruesit postuan mesazhe duke kërkuar dëshpërimisht miqtë dhe të dashurit, ndërsa dëshmitarët dhe të mbijetuarit përshkruan atë që kaluan.
“Mendova se po vdisja”
“Mendova se po vdisja”, tha një grua në postimet në Twitter. “I gjithë trupi im ishte mbërthyer mes gjithë të tjerëve, ndërsa njerëzit qeshnin nga një tarracë dhe na filmonin. Mendova se do të vdisja vërtet nëse do të bërtisja. I shtriva duart kah të tjerët që ishin sipër meje dhe arrita të dal”.
Një grua e paidentifikuar rreth të 20-ave qau gjersa përshkroi skenën për agjencinë e lajmeve Yonhap: “Dukej sikur varret e njerëzve të grumbulluar mbi njëri-tjetrin. Disa prej tyre po humbnin ngadalë vetëdijen dhe të tjerët dukej se kishin vdekur tashmë”.
Një burrë, me mbiemrin Kong, tha se ai arriti të arratisej në një lokal aty pranë me miqtë e tij, pasi ndodhi përplasja. Ai pa nga dritaret e barit se njerëzit po binin mbi njëri-tjetrin "si domino", raportoi Yonhap.
Kur një punonjës zyre 27-vjeçar, i cili dha vetëm mbiemrin Choi, u largua nga lokali ku kishte qenë gjatë përplasjes, ai pa dhjetëra policë dhe ndihmësmjekë. “Dukej si një zonë lufte”, tha ai.
Trupat e 10 deri në 15 personave ishin rreshtuar përpara restorantit King Kebab në asfalt dhe po mbuloheshin me qese blu teksa kalonte pranë.
“Dukej sikur po flinin – sytë e mbyllur, goja e hapur. Ata dukeshin si manekine”, tha Choi.
Miqtë dhe anëtarët e familjes u mblodhën në një zyrë të qeverisjes vendore për të siguruar lajme për të zhdukurit.
Histeri
Një përdorues i Twitter postoi një seri mesazhesh duke kërkuar informacion për një shoqe 17-vjeçare që kishte shkuar në Itaevon për të festuar duke mbajtur një shirit flokësh që dukej si veshë mace.
“Kam humbur kontaktet me të. Ajo është shoqja ime qe 12 vjet dhe ne ishim si familje. Ju lutem më ndihmoni”, thuhet në mesazh.
Edhe pas përplasjes, dëshmitarët thanë se panë disa adhurues Halloweeni që nuk i hapnin menjëherë rrugë automjeteve të urgjencës, shpëtimtarëve dhe oficerëve të policisë. Një videoklip viral në Twitter, që tregonte një turmë të rinjsh që kërcenin dhe këndonin pranë masakrës, nxiti fyerje nga koreano-jugorët.
Ken Fallas, arkitekt kostarikan që ka punuar në Seul për tetë vjetët e fundit, pa i habitur teksa një duzinë ose më shumë njerëz të pavetëdijshëm po nxirreshin nga një rrugë e ngushtë e mbushur me të rinj të veshur si personazhe filmash.
Fallas tha se policia dhe punonjësit e urgjencës iu lutën njerëzve që të lajmëroheshin nëse dinin të ofronin ndihmë sepse ishin të mbingarkuar nga numri i madh i të lënduarve.
“Pashë shumë njerëz të rinj duke qeshur, por nuk mendoj se ata po qeshnin me të vërtetë, sepse, e dini, çfarë është për të qeshur?” - ka thënë Fallas. “Ata po qeshnin sepse ishin shumë të frikësuar. Sepse të jesh përballë një gjëje të tillë nuk është e lehtë. Jo të gjithë e dinë se si ta përpunojnë atë”.