Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“S’kisha parë njerëz të buzëqeshur derisa mbërrita në Mbretërinë e Bashkuar”

Jemen

Pasi u arrestua, u rrah dhe u vu në shënjestër për t’u rekrutuar me forcë, Amal Sahel e kuptoi se nuk kishte më vend për të në Jemen. Arratisja drejt Evropës u shndërrua në një udhëtim të mbushur me rreziqe, ku ai i shpëtoi për pak vdekjes disa herë. Sot, i vendosur në Mbretërinë e Bashkuar, 23-vjeçari rrëfen historinë e mbijetesës së tij, nga lufta civile në Jemen deri te kërkimi i tij për një jetë të sigurt dhe me dinjitet.

Kur Amal Sahel ishte 15 vjeç, ai dhe miqtë e tij gjetën një copë të gjatë metali të braktisur në rrugë. Djemtë menduan menjëherë se përdorimi më i mirë i saj ishte ta shndërronin në një shpatë. Gjatë vitit të fundit, ata ishin mësuar të shihnin mbeturina të pazakonta - ato që Sahel i quan “copëza interesante metali” - të shpërndara në lagjen e tyre.

Këto mbetje ishin lënë pas nga sulmet e njëpasnjëshme ajrore mbi qytetin e lindjes së Sahelit në Jemen, një vend që deri atëherë kishte qenë i qetë, por që po zhytej gradualisht në luftë civile.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Nuk e dinim se ishin të rrezikshme dhe i shihnim thjesht si diçka të çuditshme”, kujton ai. “Njëri nga miqtë e mi po luante me njërën prej tyre si të ishte shpatë, duke bërë ‘shuuush’ në ajër. Pak më vonë më duhej t’i lija, sepse po shkoja në palestër për stërvitjen e boksit”.

Ai ndodhej brenda shtëpisë kur dëgjoi shpërthimin.

“U ktheva menjëherë dhe nisa të vrapoja për të parë çfarë kishte ndodhur. Pashë miqtë e mi të mbuluar me gjak, duke vrapuar në drejtime të ndryshme. Njëri prej tyre vrapoi disa hapa dhe ra përtokë para syve të mi, ndërsa një tjetri i ishte ngulur një copë predhe në qafë. Besoj se ai kishte vdekur që në atë moment”.

Njëra prej copave metalike me të cilën kishin luajtur ishte një bombë e pashpërthyer, e cila shpërtheu papritur dhe përfshiu gjashtë djem në shpërthim.

“Thirrëm këdo që kishte një makinë që të vinte të na ndihmonte dhe i dërguam në spital. Pas dy orësh, na njoftuan se tre nga miqtë e mi kishin vdekur. Nuk tregova asnjë emocion, sepse nuk mund ta besoja atë që kishte ndodhur”.

Ky ishte vetëm i pari nga katër rastet kur Saheli, sot 23 vjeç, i shpëtoi për pak vdekjes. Në vitet që pasuan, ai do t’i shpëtonte me vështirësi rekrutimit ushtarak nga rebelët në luftën brutale civile të Jemenit, më pas do të ishte pranë mbytjes dhe, më vonë, do të përballej edhe me të shtëna me armë gjatë arratisjes drejt Evropës.

Thirrja për ushtri

Para se të shpërthente lufta, rritja në Jemen ishte si një ëndërr, thotë Saheli, babai i të cilit ishte profesor universiteti. Sipas tij, vendi ishte i sigurt dhe miqësor, me peizazhe të bukura dhe një klimë të butë, “vendi më i mirë në rajonin e Gjirit”.

Gjithçka ndryshoi në shtator të vitit 2014, kur nisën përplasjet e armatosura.

“U zgjova nga zhurma e bombave”, kujton Saheli, duke përshkruar ditën e parë të luftës civile në Jemen, një konflikt që mori jetën e më shumë se 350 mijë njerëzve përpara armëpushimit të vitit të kaluar mes Shteteve të Bashkuara dhe grupit rebel Houthi.

Shumë shpejt, qyteti i tij në perëndim të vendit u rrethua nga pika kontrolli dhe u mbush me armë, ndërsa rebelët Houthi morën kontrollin.

“Më kujtohet se disa ditë dilja jashtë dhe shihja se rëra ishte nxirë nga bombardimet”, tregon ai.

Ndërsa lufta u përshkallëzua gjatë viteve në vijim dhe grupet e armatosura patrullonin rrugët, Saheli u përpoq të përqendrohej vetëm te studimet.

“U përpoqa ta injoroja gjithçka”, thotë ai.

Ambicia e tij kishte qenë gjithmonë të krijonte biznesin e vet. Megjithatë, puna e tij me kohë të pjesshme si fotograf dhe model do të tërhiqte vëmendjen e rebelëve Houthi dhe, në fund, do ta detyronte të largohej nga vendi.

“Po përgatiteshim për një sesion fotografik në një park kur ata erdhën të armatosur”, kujton ai. Ushtarët e akuzuan se ishte spiun dhe se po fotografonte objekte ushtarake.

“Ma morën aparatin fotografik dhe, edhe pasi panë fotografitë, përsëri më çuan në kazermat e tyre dhe filluan të më rrihnin”.

“Ata më thoshin vazhdimisht se flisja anglisht dhe se duhej të punoja për Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, duke bërë fotografi për ta. Më thoshin se duhej të bashkohesha me ta si ushtar. Kur u përgjigjesha: ‘Jam civil, nuk dua të përfshihem me asnjërën palë’, ata më thoshin: ‘Jo, kjo do të thotë se je me armikun. Pse nuk lufton me ne?’”.

Edhe pse më në fund u lirua, Saheli thotë se ndihej si “një njeri i ndjekur”. Burra të armatosur shkonin vazhdimisht në shtëpinë e tij dhe i kërkonin të bashkohej me ushtrinë.

“Ata më thoshin: ‘Ne të konsiderojmë djalë të mirë, të arsimuar dhe që di të flasë. Mos u shqetëso, nuk do të të dërgojmë në frontin e luftës. Do të të mbajmë të sigurt dhe do të të caktojmë në një punë administrative’. Por unë e dija se ata merrnin edhe fëmijë vetëm 14 vjeç dhe më pas ua kthenin familjeve trupat e pajetë, duke u thënë: ‘Ai tani është në parajsë’. Unë nuk doja të vdisja”.

“Parajsë në duart e djallit”

Në vitin 2023, në moshën 21-vjeçare, Saheli u largua drejt Egjiptit, një prej vendeve të pakta ku shtetasit jemenas mund të udhëtonin pa vizë. Por edhe atje, sipas tij, ai u përball vazhdimisht me kërcënimin se do të deportohej përsëri në Jemen.

“Nuk tregojnë asnjë mëshirë, edhe pse e dinë se mund të të vrasin sapo të kthehesh. Thjesht të dërgojnë prapa. Shumë nga miqtë e mi e kanë pësuar këtë fat”.

Pasi dëgjoi se udhëtimi nga Turqia drejt Greqisë zgjaste vetëm rreth 15 minuta me gomone, ai vendosi të ndiqte këshillën e miqve dhe të provonte të arrinte në Evropë.

Ky vendim do ta çonte drejt përballjes së tij të tretë me vdekjen.

Pasi pagoi për t’u bashkuar me një gomone që nisej nga Turqia, Saheli dhe një grup njerëzish të tjerë u detyruan të notonin deri në breg, pasi kontrabandisti u përpoq të shmangte vëmendjen e rojës bregdetare greke që patrullonte zonën.

“Unë kisha arritur në breg, por pashë një burrë dhe një fëmijë që po mbyteshin”.

Ai u hodh sërish në ujë.

“Ishte përvoja më e tmerrshme e jetës sime. Djali ishte 16 ose 17 vjeç, por ishte trupmadh dhe nuk dinte të notonte. Ai përpiqej me dëshpërim të qëndronte mbi ujë dhe vazhdimisht ma shtynte kokën poshtë, duke më fundosur. Edhe unë po mbytesha dhe nuk dija si ta nxirrja prej andej. Atë ditë e pashë vdekjen me sytë e mi. Në fund arrita të shkoja pas shpinës së tij dhe e shtyja përpara duke notuar, në mënyrë që të mos mund të më kapte”.

Pasi më në fund arriti sërish në breg, Saheli ndihmoi një grup njerëzish, përfshirë edhe dy personat që kishte shpëtuar, të përshkonin një rrugëtim pesorësh nëpër male.

Grupi mbërriti në një stacion policie, por, sipas tij, u thanë se duhej ta kalonin natën duke fjetur në rrugë. Saheli qëndroi në Greqi për tre muaj, por thotë se gjatë gjithë kësaj kohe u trajtua si kriminel. Miqtë e tij i thanë se nuk kishte pothuajse asnjë shans të fitonte azil në Evropë.

“Ata më thanë se i vetmi vend që ende ua jep këtë mundësi njerëzve si unë është Mbretëria e Bashkuar”.

Në fund të vitit 2024, Saheli udhëtoi drejt Kaleit, në Francë, me synimin për të ndërmarrë kalimin e rrezikshëm të Kanalit të La Manshit. Dita kur u nis, në fillim të dhjetorit, ishte e ftohtë dhe me shi.

“I pyeta për njerëzit që kishin humbur jetën duke u përpjekur ta kalonin kanalin, por kontrabandisti më tha se kjo ndodhte sepse ata donin të bëheshin heronj”, kujton ai. “Mendova me vete: nëse vdes, le të jetë kështu. Do ta marr këtë rrezik, sepse shanset për të qenë më në fund i lirë janë shumë më të mëdha”.

Në fund rezultoi se rreziku më i madh nuk vinte nga mundësia që gomonia të fundosej, por nga një përplasje e dhunshme mes një kontrabandisti tjetër dhe personit që po organizonte kalimin e Sahelit.

“Ata nxorën armët dhe filluan të qëllonin drejt nesh. Nuk e di pse donin të na vrisnin, por ne vazhduam të vraponim dhe u fshehëm. Edhe pse pati të shtëna me armë, policia nuk u shfaq askund”.

Më vonë atë mbrëmje, Saheli dhe rreth 60 persona të tjerë arritën të hipnin në një gomone tjetër dhe, kësaj radhe, mbërritën me sukses në Mbretërinë e Bashkuar.

Mbërritja e tij atje ishte një përjetim i fortë, jo vetëm për shkak të motit të ftohtë, por edhe për lehtësimin që ndjeu nga mënyra se si, sipas tij, u prit.

“Kisha shumë kohë pa parë njerëz që buzëqeshnin, derisa mbërrita në Mbretërinë e Bashkuar. U ndjeva i mirëpritur. Këtu mund të gjesh njerëzi dhe mirësi. Askush nuk do të më vrasë. Tani jam i sigurt”.

Që prej fillimit të këtij viti, Saheli ka të drejtën ligjore të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar dhe të kërkojë punë. Ai thotë se tani ka kohë të reflektojë njëkohësisht mbi fatin që pati duke shpëtuar dhe mbi dhimbjen që ndien për Jemenin, vendin që e përshkruan si “parajsë në duart e djallit”.

“Më mungon jashtëzakonisht shumë, por i urrej gjërat që më ndodhën atje. Nuk dua të qëllohem në rrugë dhe të vdes pa asnjë kuptim. Dua të arrij diçka të madhe në këtë botë dhe të njihem si një njeri i mirë. Kjo është ajo që kërkoj në jetë”.