Botë

Dënohet me burgim anëtari i Gardës Ajrore që publikoi sekrete të Pentagonit

Jack Teixeira

Jack Teixeira, anëtar i Gardës Kombëtare Ajrore, i cili publikoi dokumente të Pentagonit vitin e kaluar është dënuar me 15 vjet burgim.

22-vjeçari u deklarua fajtor për mbajtje dhe rrjedhje të qëllimshme të informacioneve konfidenciale.

Ndërsa punoi në bazën e Gardës Kombëtare Ajror, Teixeira mori materiale përfshirë harta, imazhe satelitore dhe informacione të tjera për aleatët e SHBA-së, e më pas i postoi ato në një platformë online.

Mes dokumentesh që i shpërndau kishte edhe informacione konfidenciale për luftën në Ukrainë.

Teixeira fillimisht nisi të shpërndante informacione të klasifikuara në fund të vitit 2022 me një komunitet të vogël të entuziastëve të armëve dhe ushtrisë në një server të Discord.

Fillimisht dokumentet qëndruan brenda grupit – dhe Teixeira shprehu zhgënjimin që miqtë e tij në internet s’e kuptuan domethënien e tyre – por, informacioni nisi shpejt të rishpërndahej në më shumë kanale publike.

Përfundimisht, dokumentet u përhapën në rrjete të mëdha sociale dhe u kapën nga kanalet pro-Kremlin në Telegram dhe nga blogerët ushtarakë.

Teixeira ishte duke qëndruar në Bazën Otis të Gardës Kombëtare Ajrore, pranë shtëpisë së tij diku rreth një orë në jug nga Boston, Massachusetts.

Ai punonte në mbrojtje kibernetike dhe mbante rangun e tretë më të lartë në Forcën Ajrore të SHBA-së, si “A1C”.

Teixeira u paralajmërua nga mbikëqyrësit se është parë duke marrë shënime ndërsa po shikonte dokumentet e klasifikuara, kanë thënë prokurorët, dhe se kishte bërë pyetje të caktuara duke u bazuar në inteligjencë të klasifikuara.

Teixeira thuhet se ka shfrytëzuar mungesën e mbikëqyrjes dhe ka nxjerrë dokumentet jashtë bazës.