Një anëtar i Gardës Kombëtare Ajrore të SHBA-së është deklaruar fajtor për postimin në internet të dhjetëra dokumenteve të klasifikuara, raporton “BBC”.
Prokurorët rekomandojnë që Jack Teixiera (22) të dënohet me deri 16 vjet e tetë muaj burgim.
Ndërsa punonte në një bazë të Gardës Kombëtare Ajrore, Jack Teixiera, postoi dokumente në “Discord”, platformë e njohur për adhuruesit e videolojërave.
Në materialet që kishte postuar përfshiheshin harta, imazhe satelitore dhe inteligjencë mbi aleatët e SHBA-së.
Teixeira është deklaruar fajtor në një gjykatë federale në Boston të hënën, në gjashtë akuza për mbajtje të qëllimshme dhe shpërndarje të informacionit të mbrojtjes kombëtare.
Çdo akuzë përmban një dënim maksimal prej 10 vjet burgim.
Megjithatë, sipas detajeve të një marrëveshjeje të pranimit të fajësisë, prokurorët ranë dakord të kërkonin një dënim 200 muaj burgim – të cilin Teixeira u pajtua se nuk do ta kundërshtonte.
Ai po ashtu do të gjobitet me 50 mijë dollarë.
Teixeira fillimisht nisi të shpërndante informacione të klasifikuara në fund të vitit 2022 me një komunitet të vogël të entuziastëve të armëve dhe ushtrisë në një server të Discord apo në një dhomë “chati”.
Fillimisht dokumentet qëndruan brenda grupit – dhe Teixeira shprehu zhgënjimin që miqtë e tij në internet s’e kuptuan domethënien e tyre – por, informacioni nisi shpejt të rishpërndahej në më shumë kanale publike.
Përfundimisht, dokumentet u përhapën në rrjete të mëdha sociale dhe u kapën nga kanalet pro-Kremlin në Telegram dhe nga blogerët ushtarakë.
Disa kopje të dokumenteve më vonë u ndryshuan nga atjerët, për shembull për të fryrë shifrat e viktimave në Ukrainë.
Teixeira ishte duke qëndruar në Bazën Otis të Gardës Kombëtare Ajrore, pranë shtëpisë së tij diku rreth një orë në jug nga Boston, Massachusetts.
Ai punonte në mbrojtje kibernetike si i angazhuar – një punë e teknologjisë për të mirëmbajtur rrjetin e komunikimit të Forcave Ajrore – dhe mbante rangun e tretë më të lartë në Forcën Ajrore të SHBA-së, si “A1C”.
Teixeira u paralajmërua nga mbikëqyrësit se është parë duke marrë shënime ndërsa po shikonte dokumentet e klasifikuara, kanë thënë prokurorët, dhe se kishte bërë pyetje të caktuara duke u bazuar në inteligjencë të klasifikuara.
Teixeira thuhet se ka shfrytëzuar mungesën e mbikëqyrjes dhe ka nxjerrë dokumentet jashtë bazës.