Udhëheqësit demokratë të Senatit amerikan i bënë thirrje administratës së presidentit Donald Trump që të vendosë sanksione kundër Rusisë, pasi zyrtarët e inteligjencës amerikane e njoftuan Kongresin se Rusia po përpiqet sërish të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Senatorët Chuck Schumer, Bob Menendez dhe Sherrod Brown i shkruan sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, dhe sekretarit të Thesarit, Steven Mnuchin, duke iu kërkuar që të sanksionojnë Qeverinë ruse dhe çdo individ të përfshirë në ndikimin e zgjedhjeve të nëntorit.
Letra e tyre vjen pak ditë pasi zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë mbajtur një konferencë me dyer të mbyllura me ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve.
Gjatë kësaj konference, ligjvënësve u është thënë se Rusia dhe vendet e tjera janë duke kërcënuar integritetin e zgjedhjeve në SHBA.
Po ashtu është thënë se Rusia po përpiqet ta ndihmojë presidentin Trump për rizgjedhje.
Edhe
Demokratët shtojnë presionin mbi Trumpin pas raportit të Muellerit për Rusinë
Kandidati demokrat, senatori Bernie Sanders, tha se i është thënë se Rusia po përpiqet t’i forcojë edhe shanset e tij.
Një i dërguar i presidentit rus, Vladimir Putin, i mohoi akuzat teksa foli në një intervistë për të përditshmen ruse, Kommersant.
“Ne e respektojmë në mënyrë rigoroze dhe të përpiktë parimin e mosndërhyrjes në çështjet e brendshme të Shteteve të Bashkuara, i vendosur më 16 nëntor të vitit 1933, kur Rusia sovjetike dhe Shtetet e Bashkuara i kanë rivendosur marrëdhëniet e tyre diplomatike", tha Andrei Krutskikh, i dërguari special i Putinit për bashkëpunimin ndërkombëtar në sigurinë e informacionit.
"Presidenti [rus] vazhdimisht ka theksuar se Rusia nuk ka ndërhyrë kurrë dhe nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme të SHBA-së, përfshirë proceset zgjedhore", shtoi Krutskikh.
Një zyrtar i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) tha, në anën tjetër, se Rusia dëshiron t'i shohë amerikanët "duke u copëtuar".
David Porter foli në një konferencë për sigurinë zgjedhore në Uashington, ku e akuzoi Moskën për shpërndarjen e dezinformatave dhe ngritjen e dyshimeve në integritetin e zgjedhjeve në SHBA.
Zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë thënë se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA edhe më 2016, për të forcuar fushatën e Trumpit dhe për të shkaktuar kaos brenda procesit zgjedhor të SHBA-së.
Edhe
SHBA-ja vendos një sërë masash ndaj Rusisë për ndërhyrje në zgjedhjet e 5 nëntorit
Trump ka mohuar se ekipi i tij ka punuar me figura ruse gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, ndërsa hetimet për këtë çështje vazhdimisht i ka cilësuar si “mashtrim” dhe “gjueti shtrigash”.
Rusia po ashtu e ka mohuar ndërhyrjen në zgjedhjet në SHBA, katër vjet më parë/REL.