Në ditën kur amerikanët zgjodhën përfaqësuesit e tyre prej nivelit të qeverisjes lokale deri te ata në Kongres, Moska ka pranuar ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e kaluara. Megjithatë, zyrtarët më të lartë kanë thënë se zgjedhjet për mesmandat nuk janë cenuar. Republikanët e Donald Trumpit shpresojnë ta fitojnë shumicën në Kongres për të bllokuar disa politika kritike të presidentit Biden. Rezultatet finale mund të vonohen disa ditë pasi republikanët në disa shtete kanë votuar ligje që zvarrisin procesin e numërimit
Amerikanët kanë votuar të martën në zgjedhjet që do të përcaktojnë nëse republikanët do të fitojnë kontrollin e Kongresit, që do t'u jepte fuqinë për të bllokuar pjesën më të madhe të agjendës së presidentit Joe Biden në dy vjetët e ardhshëm.
Të motivuar nga shqetësimet për inflacionin e lartë dhe krimin, votuesit ishin gati të nisnin një epokë të qeverisë së ndarë në Uashington, pavarësisht paralajmërimeve nga demokratët për gërryerjen e të drejtave të abortit dhe minimin e normave demokratike.
Betejë e fortë
Tridhjetë e pesë mandate në Senat dhe të gjitha 435 mandatet e Dhomës së Përfaqësuesve janë në fletëvotim. Republikanët janë gjerësisht të favorizuar për të marrë pesë vendet që u nevojiten për të kontrolluar Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa Senati - aktualisht i ndarë 50 me 50 me demokratët që mbajnë votën përfundimtare - mund të sfidojë dy palët.
Në Kongres, një Dhomë e kontrolluar nga republikanët do të bllokonte projektligjet që adresojnë prioritetet demokratike si të drejtat e abortit dhe ndryshimet klimatike. Republikanët gjithashtu mund të iniciojnë përballje mbi tavanit e borxhit të vendit, i cili mund të tronditë tregjet financiare dhe të nisë hetime ndaj administratës dhe familjes së Bidenit.
Republikanët do të kenë fuqinë të bllokojnë ndihmën për Ukrainën nëse rifitojnë kontrollin e Kongresit, por analistët thonë se ata kanë më shumë gjasa të ngadalësojnë ose të frenojnë rrjedhën e mbrojtjes dhe ndihmës ekonomike.
Një Senat republikan do të kishte ndikim mbi nominimet gjyqësore të Bidenit, duke përfshirë çdo vend të lirë të Gjykatës së Lartë, duke intensifikuar vëmendjen në gjykatën gjithnjë e më konservatore.
Ndërhyrja ruse
Në ditën e zgjedhjeve administrata e Bidenit i është kundërpërgjigjur Yevgeni Prigozhynit, sipërmarrësit të lidhur ngushtë me Kremlinin, pasi e pranoi se kishte ndërhyrë në zgjedhjet e kaluara amerikane. Madje tha se do të vazhdonte ta bënte këtë, duke konfirmuar për herë të parë akuzat që Kremlini i ka hedhur poshtë prej vitesh.
Deklarata, nga shërbimi i shtypit i kompanisë së tij të hotelerisë, për çka njihet si "kryekuzhinieri i Putinit", erdhi në ditën e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, si përgjigje ndaj një kërkese për koment.
“Natyrisht, ne nuk presim nga presidenti Putin se do të veprojë kundër vetes. Ne do të donim të shihnim Federatën Ruse të vepronte kundër dikujt që mburret kaq hapur për ndërhyrjen në zgjedhjet e një vendi Sovran”, ka deklaruar Ned Price, zëdhënës i Departamentit të Shtetit. “Sigurisht, ne do të prisnim atë prej një sistemi të përgjegjshëm të zbatimit të ligjit, prej një qeverie të përgjegjshme. Por sigurisht, ne e dimë më mirë se këtë nuk e presim prej Rusisë”.
Zgjedhjet e sotme afatmesme do të përcaktojnë se kush do ta kontrollojë Kongresin e SHBA-së, i përbërë nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Aktualisht të dyja kontrollohen nga demokratët e presidentit Joe Biden, por republikanët parashikohet të marrin Dhomën e Përfaqësuesve.
Humbja e secilës dhomë do t'i bënte dy vjetët e ardhshëm shumë të vështira për presidentin Biden, pasi republikanët do të përpiqeshin të bllokonin legjislacionin. Amerikanët po zgjedhin gjithashtu 36 guvernatorët e shteteve.
Mbështetësit e ish-presidentit republikan, Donald Trumpit, kanë vënë në dyshim besueshmërinë e procesit zgjedhor, pavarësisht se drejtësia amerikane ka vërtetuar se edhe zgjedhjet e kaluara nuk u ndikuan prej përpjekjeve për ndërhyrje të brendshme ose të jashtme.
“Njerëzit duhet të kenë besim në sistemin e tyre zgjedhor. Siç e kemi thënë, shumë herë më parë, të kesh të drejtën e votës është e drejta më e shenjtë. Dhe njerëzit duhet ta ushtrojnë vërtet këtë të drejtë dhe duhet të ndihen të sigurt në procesin e tyre zgjedhor”, ka deklaruar Karine Jean-Pierre, sekretare për Shtyp e Shtëpisë së Bardhë.
Megjithatë, edhe në këto zgjedhje është vënë në dyshim siguria e procesit për shkak të akuzave të pabaza e të teorive të konspiracionit nga kandidatët që kanë përkrahjen e ish-presidentit Trump.