Administrata e Joe Bidenit i është kundërpërgjigjur Jevgeni Prigozhinit, sipërmarrësit të lidhur ngushtë me Kremlinin, pasi e pranoi se kishte ndërhyrë në zgjedhjet amerikane. Madje ai tha se do të vazhdonte ta bënte këtë duke konfirmuar për herë të parë akuzat që i ka hedhur poshtë prej vitesh.
Deklarata nga shërbimi i shtypit i kompanisë së tij të hotelerisë, për çka njihet si "kryekuzhinieri i Putinit", erdhi në ditën e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, si përgjigje ndaj një kërkese për koment.
“Natyrisht ne nuk presim nga presidenti Putin se do të veprojë kundër vetes. Ne do të donim të shihnim Federatën Ruse të vepronte kundër dikujt që mburret kaq hapur për ndërhyrjen në zgjedhjet e një vendi sovran. Sigurisht, ne do të prisnim atë prej një sistemi të përgjegjshëm të zbatimit të ligjit, prej një qeverie të përgjegjshme. Por ne e dimë më mirë se këtë nuk e presim prej Rusisë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, raportoi AP.
Zgjedhjet e sotme afatmesme do të përcaktojnë se kush do ta kontrollojë Kongresin e SHBA-së, i përbërë nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Aktualisht të dyja kontrollohen nga demokratët e presidentit Joe Biden, por republikanët parashikohet të marrin Dhomën e Përfaqësuesve.
Humbja e secilës dhomë do t'i bënte dy vjetët e ardhshëm shumë të vështirë për presidentin Biden, pasi republikanët do të përpiqeshin të bllokonin legjislacionin. Amerikanët po zgjedhin gjithashtu 36 guvernatorët e shteteve.
Ndërkohë Donald Trump në tubimin e tij të fundit njoftoi se do të kandidojë përsëri për president në vitin 2024. Mbështetësit e tij kanë vënë në dyshim besueshmërinë e procesit zgjedhor, pavarësisht se drejtësia amerikane ka vërtetuar se edhe zgjedhjet e kaluara nuk u ndikuan prej përpjekjeve për ndërhyrje të brendshme ose të jashtme.
Edhe
Fitorja e republikanëve – bllokim për Bidenin
“Njerëzit duhet të kenë besim në sistemin e tyre zgjedhor. Siç e kemi thënë shumë herë më parë, të kesh të drejtën e votës është e drejta më e shenjtë. Njerëzit duhet ta ushtrojnë vërtet këtë të drejtë dhe duhet të ndihen të sigurt në procesin e tyre zgjedhor”, tha Karine Jean-Pierre, Sekretare për Shtyp e Shtëpisë së Bardhë.
Megjithatë, edhe në këto zgjedhje është vënë në dyshim siguria e procesit për shkak të akuzave të pabaza e të teorive të konspiracionit nga kandidatët që kanë përkrahjen e ish-presidentit Trump.