Botë

Gjithçka rreth zgjedhjeve në SHBA

Amerikanët do të hedhin votat në kutitë e votimit në nëntor të 2024-s për të zgjedhur presidentin e ri amerikan. Personi që merr detyrën në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë ka ndikim të madh në jetët e njerëzve brenda SHBA-së dhe jashtë saj, andaj rezultati ka rëndësi për të gjithë.

Sistemi politik amerikan dominohet nga dy parti kryesore. Çdo president i kohës moderne u ka takuar njërës prej dy partive.

Demokratët janë parti liberale. Agjenda e saj definohet nga shtyrja përpara e të drejtave civile dhe masat për të adresuar ndryshimet klimatike. Në këtë parti, presidenti aktual Joe Biden synon të marrë mandatin e dytë.

Republikanët janë parti konservatore në SHBA. Ajo kërkon taksa më të ulëta, zvogëlim të kabinetit qeveritar, të drejta për mbajtje të armëve dhe shtrëngime të masave për imigrim e abort. Ish-presidenti Donald Trump do të jetë prijës i tyre.

Kur mbahen zgjedhjet e ardhshme presidenciale?

Zgjedhjet e 2024-s mbahen të martën e 5 nëntorit. Fituesi do të shërbejë në mandatin që nis nga janari i vitit të ardhshëm, për katër vjet.

Kush janë kandidatët dhe si nominohen?

Fushata presidenciale 2024 tashmë është aktive. Ka nisur me 15 kandidatë – nëntë republikanë e katër demokratë dhe dy të pavarur – shumica tashmë janë larguar nga gara.

Dy partitë nominojnë kandidatët me seri zgjedhjesh të brendshme. Ka dallime në garat e brendshme të partive dhe procesi dallon nga njëri shtet në tjetrin.

Një nga ditët më të mëdha e zgjedhjeve njihet si “Super e marta” – ka marrë këtë emër sepse shumë shtete organizojnë zgjedhjet paraprake. Sivjet ishte më 5 mars.

Presidenti Biden njoftoi kandidaturën më herët gjatë vitit. Ai do t’u prijë demokratëve. Në anën tjetër, Trumpi tashmë s’ka rivalë të mëdhenj në parti.

Ka kandidatura të pavarura, përfshirë nipin e ish-presidentit John Kennedy, Robert F Kennedy Jr.

Si funksionojnë zgjedhjet?

Kandidatët garojnë për të fituar votat e kolegjit elektoral. Secili shtet ka numër të caktuar të votave në kolegjin elektoral, bazuar në popullatë. Janë gjithsej 538 vota. Për të fituar, kandidati duhet të ketë të paktën 270 vota.

Kjo nënkupton se votuesit më shumë zgjedhin garat shtetërore sesa kombëtare. Andaj ka shanse që një kandidat të marrë më shumë vota në nivel kombëtar – sikurse që bëri Hillary Clintoni më 2016 – por në fund të humbë në kolegjin zgjedhor.

Të gjitha shtetet, përpos dy, e kanë rregullin që fituesi i merr të gjitha votat në koleg. Pra kandidati që fiton më shumë vota nga votuesit e një shteti i merr të gjitha votat e këtij shteti në kolegjin zgjedhor.

Shumica e shteteve tashmë janë bastione të partive, dhe fokusi zakonisht shkon drejt shteteve që dinë të ndërrojnë parti.

Zgjedhjet tjera?

E gjithë vëmendja shkon te presidenca, por votuesit zgjedhin edhe anëtarët e Kongresit. Dhoma e Përfaqësuesve ka 435 ulëse që zgjidhen, dhe 33 ulëset e Senatit po ashtu.

Republikanët udhëheqin me Dhomën e Përfaqësuesve e Demokratët janë në krye të Senatit. Ato miratojnë legjislacionin, kështu që veprojnë si kontroll mbi planet e Shtëpisë së Bardhë.

Kush mund të votojë?

Çdo shtetas i SHBA-së i rritur është i lirë të votojë për zgjedhjet presidenciale, që mbahen çdo katër vjet.

Kur dihet fituesi?

Zakonisht fituesi shpallet natën e zgjedhjeve, por më 2020 u deshën disa ditë të numërohen të gjitha votat.

Periudha pas zgjedhjeve njihet si periudhë tranzicioni, nëse ka ndryshime në Shtëpinë e Bardhë.

Ajo kohë shfrytëzohet për të bërë administratën e re e për të kompletuar planet për mandatin e ardhshëm.

Presidenti zyrtarisht betohet në janar në një ceremoni të njohur si inaugurim, e që mbahet në shkallët e ndërtesës së Capitolit në Washington DC.