Demokratët janë duke e ashpërsuar presionin mbi presidentin amerikan, Donald Trump, pas publikimit të raportit të shumëpritur të Këshilltarit të Posaçëm, Robert Mueller, mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016-s.
Ata kërkojnë që Muelleri të dëshmojë publikisht para Kongresit lidhur me punimin e tij të gjatë, të cilin e përpiloi pas 22 muajsh hetime, ka raportuar “BBC”, transmeton “Koha Ditore”.
Versioni i redaktuar i raportit, i publikuar zyrtarisht të enjten, zbulon se presidenti është përpjekur që ta sigurojë shkarkimin e Muellerit, në një instancë që mund të konsiderohet si tentim për pengimin e hetimeve. Ekipi ligjor i Trumpit e ka cilësuar publikimin e këtij raporti si një “triumf të plotë”.
Ministria e Jashtme ruse ndërkohë i ka hedhur poshtë gjetjet e raportit, duke pretenduar se ai nuk ia ka dalë të gjejë dëshmi që e vërtetojnë ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.
Dokumenti i redaktuar prej 448 faqesh është rezultat i hetimeve të gjata të Muellerit, i cili ishte emëruar që t’i shikojë pretendimet për ndërhyrjen ruse në zgjedhje si dhe bashkëpunimin e mundshëm me Moskën të njerëzve të ekipit zgjedhor të Trumpit.
Raporti konstaton se nuk janë gjetur dëshmi për konspiracion kriminal në mes të fushatës së Trumpit dhe Rusisë, por as nuk e shfajëson plotësisht presidentin nga përpjekjet për pengim të këtyre hetimeve.
-
Demokratët kërkojnë që Rusia të sanksionohet për ndërhyrje në zgjedhje në SHBA
-
Raporti i Demokratëve për shkarkimin e Trumpit thotë se ai abuzoi me detyrën
-
Mueller i shkruan prokurorit Barr: Nuk e publikove thelbin e hetimit tim për ndërhyrjen ruse
-
Demokratët nuk e përjashtojnë opsionin e shkarkimit të Trumpit
-
Komiteti i Kongresit urdhëron publikimin e plotë të raportit të Muellerit