Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Danimarka shpall zgjedhje paralamentare më 24 mars

Mette Frederiksen

Foto: Associated Press

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ka njoftuar të enjten se Danimarka do të mbajë zgjedhje parlamentare më 24 mars, duke u dhënë votuesve mundësinë të shprehen disa muaj më herët, ndërsa vendi përballet me një përplasje diplomatike me SHBA-në për shkak të synimeve të presidentit amerikan, Donald Trump ndaj Greenlandës.

Votuesit do të zgjedhin përbërjen e parlamentit danez me 179 vende, 175 përfaqësues nga Danimarka dhe nga dy vende për secilin prej dy territoreve gjysmë-autonome të mbretërisë, Greenlandën dhe Ishujt Faroe.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Tani ju takon juve, votuesve, të vendosni se çfarë drejtimi do të marrë Danimarka në katër vjetët e ardhshëm. Dhe mezi po e pres këtë”, ka thënë Frederiksen gjatë njoftimit në parlament.

Zgjedhjet e përgjithshme duhet të mbahen të paktën çdo katër vjet, por kryeministrja e vendit anëtar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian mund t’i shpallë ato në çdo kohë. Zgjedhjet e fundit u mbajtën më 1 nëntor 2022 dhe rezultuan në një koalicion trepartiak që përfshin parti si nga e majta ashtu edhe nga e djathta.

Frederiksen, socialdemokrate e qendrës së majtë, drejton Danimarkën që nga mesi i vitit 2019. Ajo aktualisht udhëheq një qeveri koalicioni me Partinë Liberale të ministrit të Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen dhe Partinë Moderatore të ministrit të Jashtëm, Lars Løkke Rasmussen, ish-kryeministër.

Një nga sfidat kryesore për qeverinë gjatë vitit të kaluar ka qenë përpjekja e Trumpit për kontroll amerikan mbi Greenlandën. Tensionet arritën kulmin muajin e kaluar, kur ai kërcënoi përkohësisht me tarifa të reja ndaj Danimarkës dhe disa vendeve të tjera evropiane. Pas përshkallëzimit, SHBA, Danimarka dhe Greenlanda nisën bisedime teknike për një marrëveshje sigurie në Arktik.

Frederiksen dhe zyrtarë të tjerë danezë dhe grenlandezë kanë theksuar se sovraniteti nuk është objekt negociatash. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ajo u shpreh se, megjithëse kriza është zbutur, dëshira e presidentit amerikan për këtë çështje mbetet serioze dhe e pandryshuar.