Kopenhaga zyrtare ka bërë të ditur se do të thërrasë ambasadorin e SHBA-së, pasi presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se ka emëruar një të dërguar special në Grenlandë, territorin autonom danez që ai ka kërcënuar ta aneksojë.
"Jam thellësisht i zemëruar nga emërimi dhe deklarata, të cilat i konsideroj krejtësisht të papranueshme", ka thënë ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, për TV2 të Danimarkës në një intervistë, duke shtuar se ministria e Jashtme do të thërrasë ambasadorin e SHBA-së në ditët në vijim "për të marrë një shpjegim".
Që kur është kthyer në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trumpi ka thënë vazhdimisht se SHBA-ja ka nevojë për ishullin e pasur me burime për arsye sigurie, dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta siguruar atë.
Trumpi ka njoftuar herët të hënën se kishte emëruar guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si të dërguar special të SHBA-së në Grenlandë.
"Jeff e kupton se sa thelbësore është Grenlanda për Sigurinë tonë Kombëtare dhe do të përparojë fuqishëm interesat e vendit tonë për sigurinë, mbijetesën dhe sigurinë e aleatëve tanë, dhe në fakt, të botës", ka shkruar Trumpi në platformën e tij të mediave sociale Truth Social.
Udhëheqësit e Danimarkës dhe Grenlandës kanë thënë vazhdimisht se ishulli i madh Arktik nuk është në shitje dhe se do të vendosë vetë për të ardhmen e tij.
Grenlanda ndodhet në njw pozicion strategjik midis Amerikës së Veriut dhe Evropës, në një kohë kur interesi amerikan, kinez dhe rus është në rritje për Arktikun, ku rrugët detare janë hapur për shkak të ndryshimeve klimatike.
Vendndodhja e Grenlandës e bwn atw gjithashtu rrugën më të shkurtër për raketat midis Rusisë dhe SHBA-së.
Në gusht, Danimarka ka thirrur të ngarkuarin me punë të SHBA-së pas raportimeve për përpjekje ndërhyrjeje në Grenlandë.