Botë

Danimarka i kërkon SHBA-së që t’ia respektojë integritetin territorial

Rasmusen

Foto: Associated Press

Ministri i Jashtëm danez, Lars Loekke Rasmusen ka thënë të hënën se vendi i tij këmbëngul që të gjithë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duhet të respektojnë "integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës".

Deklarata e tij është bërë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar emërimin e guvernatorit të Luizianës si të dërguarin special të SHBA-së në Grenlandë.

Trumpi ka bërë thirrje të përsëritura gjatë tranzicionit të tij presidencial dhe muajve të parë të mandatit të tij të dytë për juridiksionin e SHBA-së mbi Grenlandën, një territor i gjerë, gjysmë-autonom i Danimarkës, dhe nuk e ka përjashtuar forcën ushtarake për të marrë kontrollin e ishullit të Arktikut të pasur me minerale dhe me vendndodhje strategjike.

Në mars, zëvendëspresidenti JD Vance ka vizituar një bazë të largët ushtarake amerikane në Grenlandë dhe ka akuzuar Danimarkën për investime të pamjaftueshme atje

Çështja gradualisht u zhduk nga titujt kryesorë, por, në gusht, zyrtarët danezë thirrën ambasadorin e SHBA-së pas një raporti se të paktën tre persona me lidhje me Trumpin kishin kryer operacione të fshehta ndikimi në Grenlandë. Danimarka është një aleat i Shteteve të Bashkuara.

Të dielën, Trumpi ka njoftuar emërimin e guvernatorit të Luizianës, Jeff Landry, si të dërguar special në Grenlandë. 

Ai ka thënë se “Jeff e kupton sa thelbësore është Grenlanda për Sigurinë tonë Kombëtare dhe se ai do të përparojë fuqishëm interesat e vendit tonë për sigurinë, mbijetesën dhe sigurinë e aleatëve tanë, dhe në fakt, të botës.”

E ministri i Jashtëm danez, Rasmussen ka thënë në një deklaratë të shkurtër të dërguar me email nga ministria e tij se “emërimi konfirmon interesin e vazhdueshëm amerikan në Grenlandë”.

“Megjithatë, ne këmbëngulim që të gjithë, përfshirë SHBA-në, duhet të tregojnë respekt për integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës”, ka shtuar ai.

Më herët këtë muaj, Shërbimi i Inteligjencës së Mbrojtjes Daneze ka thënë në një raport vjetor se SHBA-ja po përdor fuqinë e saj ekonomike për të “shpallur vullnetin e tyre” dhe për të kërcënuar me forcë ushtarake si kundër miqve ashtu edhe kundër armiqve.