Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Çka është “Mali i Kazmës”, fortesa iraniane që Trumpi kërcënon ta sulmojë?

Fotografia satelitore që tregon hyrjen në tunelin e “Malit të Kazmës”

Fotografia satelitore që tregon hyrjen në tunelin e “Malit të Kazmës”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka rikthyer kërcënimet për një sulm ndaj “Malit të Kazmës”, një kompleksi bërthamor nëntokësor pranë Natanzit në Iran, ndërsa tensionet mes Washingtonit dhe Teheranit vazhdojnë të rriten.

I njohur në Iran si Kuh-e Kolang Gaz La, kompleksi ndodhet rreth 220 kilometra në jug të Teheranit dhe vetëm dy kilometra larg objektit bërthamor të Natanzit, ku ndodhen dy nga impiantet kryesore të pasurimit të uraniumit.

Pak dihet për atë që ndodhet brenda malit, por ekspertët vlerësojnë se objekti është ndërtuar rreth 100 metra nën shtresat e granitit, duke e bërë atë një nga objektet bërthamore më të mbrojtura të Iranit. Ndërtimi i tij ende nuk konsiderohet i përfunduar.

Sipas një analize të Institute for Science and International Security, punimet nisën në vitin 2020, pas shpërthimit në objektin bërthamor të Natanzit, të cilin autoritetet iraniane e cilësuan si një akt sabotimi.

Ish-kreu i programit bërthamor iranian, Ali Akbar Salehi, deklaroi më vonë se Irani kishte nisur ndërtimin e një objekti “modern, më të madh dhe më gjithëpërfshirës në zemër të malit pranë Natanzit”, i destinuar për prodhimin e centrifugave të avancuara – pajisje që rrotullohen me shpejtësi të lartë për pasurimin e uraniumit dhe prodhimin e karburantit bërthamor.

Edhe Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) ka bërë të ditur më herët se Irani kishte njoftuar për aktivitete bërthamore në këtë lokacion. Drejtori i IAEA-s, Rafael Grossi, deklaroi në mars se kjo ishte “pjesë e synimit të tyre sistematik për t'i zhvendosur objektet më të ndjeshme nën tokë”.

Pamjet satelitore të analizuara nga ekspertët tregojnë dy palë hyrje tunelesh, si dhe një mur të ri sigurie të ndërtuar rreth kompleksit.

Edhe Trumpi kërcënon të godasë ura e termocentrale nëse Irani nuk u kthehet bisedimeve Botë 1 j. më parë Trumpi kërcënon të godasë ura e termocentrale nëse Irani nuk u kthehet bisedimeve

Megjithëse ka kërcënuar me sulm, Trumpi ka deklaruar më parë se shërbimet amerikane të inteligjencës nuk kanë identifikuar aktivitet në këtë kompleks.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se objekti, për shkak të thellësisë së madhe dhe mbrojtjes nga shtresat e granitit, mund të jetë jashtë mundësive të depërtimit edhe të bombave amerikane më të fuqishme për shkatërrimin e bunkerëve, çka do ta bënte çdo sulm jashtëzakonisht të vështirë.

Sipas vlerësimeve, kompleksi mund të ketë një rol kyç në rindërtimin e kapaciteteve të Iranit për prodhimin e centrifugave, megjithëse ende nuk dihet se kur do të jetë plotësisht operacional.