Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar të godasë urat dhe termocentralet e Iranit javën e ardhshme nëse vendi nuk kthehet në bisedime.
Komentet e tij në një intervistë për Fox News janë transmetuar ndërsa të dy vendet shkëmbyen sulme për të katërtën ditë radhazi.
Të martën, Trumpi është tërhequr nga kërcënimi për një tarifë prej 20% për të gjitha anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, por ka rifilluar bllokimin e porteve iraniane.
"Javën tjetër gjërat do të përkeqësohen shumë për ta”, ka thënë Trumpi.
"Do t'i rrëzojmë të gjitha termocentralet e tyre. Do t'i rrëzojmë të gjitha urat e tyre nëse nuk ulen në tryezën e bisedimeve dhe nuk negociojnë”, ka thënë ai, duke përsëritur kërcënimet e mëparshme të dënuara në atë kohë nga zyrtarët e OKB-së.
Pasi Trumpi ka kërcënuar në prill të bombardonte infrastrukturën civile në Iran, duke përfshirë urat dhe termocentralet, shefi i të drejtave të njeriut të OKB-së, Volker Türk, ka thënë se "sipas ligjit ndërkombëtar, sulmi i qëllimshëm ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile është një krim lufte”.
Konventat e Gjenevës të vitit 1949 mbi sjelljen humanitare në luftë ndalojnë sulmet në vendet që konsiderohen thelbësore për civilët.
"Do t'i ruaj objektivat e energjisë për në fund, por në fund do t'i arrijmë objektivat e energjisë", ka thënë Trumpi në një intervistë në "Special Report with Bret Baier" që është transmetuar të martën në mbrëmje.
Ai ka shtuar se negociatorët amerikanë u kishin përcjellë homologëve të tyre iranianë të martën në mbrëmje se ata është më mirë bëjnë një marrëveshje, ose nuk do t'ju mbetet asgjë.
Përshkallëzimi i retorikës vjen pasi Trumpi ka thënë se një taksë prej 20% që ai kishte kërcënuar të vendoste në Ngushticën e Hormuzit do të zëvendësohej nga marrëveshje "masive" tregtare dhe investimesh me shtetet e Gjirit. Njoftimi i tij erdhi disa orë para se SHBA-ja të rifillonte bllokadën e porteve iraniane.
Sulmet e rikthyera midis SHBA-së dhe Iranit kanë shkaktuar një rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës, ndërsa trafiku i tankerëve përmes Ngushticës praktikisht është bllokuar.
SHBA-ja nis sulme të reja ndaj Iranit, godet një ishull në Hormuz
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) ka thënë të mërkurën se ka nisur sulme ajrore në ishullin Greater Tunb në Ngushticën e Hormuzit, duke synuar mbrojtjen dhe bazat e raketave iraniane.
Ishulli, i pushtuar nga Irani që nga viti 1971, shihet si një pikë strategjike në ngushticë.
Komanda Qendrore ka thënë se ka nisur një sulm 90-minutësh që synonte ishullin.
“Sulmet degraduan më tej aftësinë e Iranit për të sulmuar anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit”, ka thënë Komanda.
SHBA-ja ka rikthyer një bllokadë detare ndaj Iranit dhe ka intensifikuar fushatën e saj ajrore të mërkurën në hakmarrje për sulmet e Teheranit ndaj anijeve që përpiqeshin të kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Sulmet amerikane kanë goditur një kazermë të ushtrisë iraniane, kanë vrarë të paktën shtatë trupa dhe plagosur më shumë se 260 njerëz në të gjithë vendin, kanë thënë zyrtarët iranianë.
Ditë të tëra sulmesh të ndërsjella nga SHBA-ja dhe Irani në të gjithë Lindjen e Mesme, dhe kërcënimet e ripërtërira ndaj rrugës ujore thelbësore për furnizimet globale me energji, kanë shkatërruar marrëveshjen e përkohshme për t'i dhënë fund konfliktit, dhe rajoni mund të kthehet në një luftë të plotë.
SHBA-ja kishte vendosur fillimisht një bllokadë në prill dhe më pas e ka hequr atë muajin e kaluar, pasi dy vendet nënshkruan marrëveshjen e përkohshme që ndalonte luftimet dhe caktonte një periudhë 60-ditore për negociata mbi çështje si programi bërthamor i Iranit.
Këto bisedime kanë ngecur ndërsa luftimet për Ngushticën e Hormuzit janë intensifikuar.
Irani kërcënon të mbyllë më shumë rrugë detare
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) ka kërcënuar të mbyllë "të gjitha korridoret e tjera të eksportit që u sjellin dobi SHBA-ve dhe aleatëve të saj", kanë raportuar mediat iraniane.
Kërcënimi vjen pasi Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit dhe SHBA-ja rivendosi një bllokadë detare të porteve iraniane.
"Eksportet rajonale të energjisë ose ndahen nga të gjithë, ose u mohohen të gjithëve", ka thënë IRGC-ja në një deklaratë të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve IRNA e Iranit të mërkurën.
Njohësit e Lindjes së Mesme kanë thënë se Irani ka sinjalizuar se mund të përdorë aleatët e tij Houthi në Jemen për të mbyllur portën Bab el-Mandeb për në Detin e Kuq, duke hapur një front të ri kundër Washingtonit, dhe duke vënë në rrezik dy nga arteriet më jetësore të energjisë në botë.
Porta e ngushtë lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit, përmes të cilit kalojnë eksportet e naftës saudite dhe një pjesë e konsiderueshme e transportit global të anijeve.
Një zyrtar i lartë Houthi ka paralajmëruar të hënën se grupi ishte i përgatitur të mbyllte Ngushticën Bab el-Mandeb, një veprim që siç ka thënë ai, mund t'i çonte çmimet e naftës në 200 dollarë për fuçi, nëse Arabia Saudite vazhdonte të sulmonte Jemenin, sipas një raporti në faqen e internetit të Press TV të Iranit.
Forcat Houthi kanë qëlluar me raketa drejt Arabisë Saudite pasi akuzuan mbretërinë për bombardimin e një aeroporti nën kontrollin e tyre të hënën, duke thyer armëpushimin katërvjeçar në konfliktin midis mbretërisë dhe grupit të lidhur me Iranin.
Houthit kanë treguar tashmë se mund ta pengojnë tregtinë globale përmes Bab el-Mandeb. Pas shpërthimit të luftës në Gazë në tetor 2023, grupi i mbështetur nga Irani nisi sulme ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq, duke thënë se po synonte anijet e lidhura me Izraelin në mbështetje të palestinezëve.
Kërcënimi i fundit ndaj anijeve globale vjen një ditë pasi ushtria amerikane tha se filloi një rund të ri sulmesh "për të vazhduar degradimin e aftësive iraniane të përdorura për të sulmuar anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit".
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Irani kishte sulmuar shtatë anije tregtare gjatë javës së fundit, duke çuar në vdekjen, zhdukjen ose plagosjen e dhjetëra anëtarëve ekuipazhi.