Kremlini ka thënë të hënën se ato që quan "çështjet kryesore", duke përfshirë çështje të ndjeshme territori, do të diskutohen në bisedimet e paqes mbi Ukrainën që do të mbahen në Gjenevë këtë javë.
Bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, do të zhvillohen të martën dhe të mërkurën në një kohë kur Kievi është nën presion të shtuar nga SHBA-ja për të arritur një marrëveshje dhe ndërsa Moska kërkon që aUkrjo të heqë dorë nga e gjithë zona e Donbasit.
Kremlini ka konfirmuar se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, një ndihmës i presidentit Vladimir Putin.
"Këtë herë, ideja është të diskutohet një gamë më e gjerë çështjesh, duke përfshirë, në fakt, ato kryesore. Çështjet kryesore kanë të bëjnë si me territoret ashtu edhe me gjithçka tjetër që lidhet me kërkesat që kemi paraqitur", u ka thënë gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ai ka shtuar se shefi i inteligjencës ushtarake, Igor Kostyukov, do të marrë pjesë gjithashtu në bisedime dhe se i dërguari special i Putinit, Kirill Dmitriev, do të marrë pjesë në një grup pune të veçantë për çështjet ekonomike.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka intensifikuar përpjekjet për përfundimin e konfliktit që ai e ka quajtur një "gjakderdhje" të pakuptimtë, megjithëse Rusia dhe Ukraina mbeten larg çështjeve kyç, duke përfshirë territorin, atë se kush e kontrollon centralin bërthamor Zaporizhzhia dhe rolin e çdo trupe perëndimore në Ukrainën e pasluftës.