Botë

CBS: Trump po shqyrton mundësinë t’i bashkohet Izraelit në sulmet ndaj zonave bërthamore në Iran

Donald Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po e shqyrton mundësinë t’i bashkohet Izraelit në sulmet ndaj zonave bërthamore në Iran, përfshirë atë në Fordow, kanë thënë për “CBS” burime të njohura me çështjen. 

Kjo çështje ishte paraparë të diskutohej në takimin e sotëm të Trumpit me ekipin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, transmeton “BBC”. 

Takimi ka përfunduar, ndërsa ka zgjatur një orë e 20 minuta. Nuk ka informata lidhur me atë nëse është marrë ndonjë vendim, por është shtuar se nuk ka pajtim të plotë në mesin e këshilltarëve më të afërt të Trumpit nëse SHBA-ja duhet t’i bashkohet Izraelit në sulmet ndaj Iranit. 

Zyrtarët e lartë izraelitë po presin të mësojnë nëse Trumpi do t’u ndihmojë në sulmet ndaj zonave bërthamore, ka thënë një zyrtar i Izraelit për CNN-in. 

“Po presim për vendimin e presidentit”, ka thënë ai. 

E ligjvënësit amerikanë po e peshojnë mendimin e tyre lidhur me mënyrën se si Trumpi po e trajton konfliktin mes Iranit dhe Izraelit. 

Udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune, ka hedhur poshtë opsionin që Senati të japë shpejt dritë jeshile për veprimet e SHBA-së në Iran, duke thënë se momentalisht “presidenti është brenda autoritetit të tij” për të vepruar. 

I pyetur nëse Kongresi duhet të ketë fjalë në çdo sulm të mundshëm ushtarak amerikan në Iran, Thune, nuk e ka përjashtuar këtë mundësi në të ardhmen. 

E senatori Lindsey Graham tha se Trump duhet të marrë “shumë shpejt” vendim për t’i ofruar ndihmë Izraelit. 

Ai tha se këtë ia kërkoi Trumpit personalisht në një bisedë telefonike. 

Senatori Tommy Tuberville tha se Kongresi duhet të ketë fjalë në çdo veprim të mundshëm ushtarak amerikan kundër Iranit, por tha se beson se Trumpi do ta konsultojë Kongresin para se të veprojë. 

“Ne duhet të kemi fjalën për këtë, veçanërisht nëse në të përfshihet mundësia e një Lufte të Tretë Botërore. Kjo po bëhet shumë delikate”, tha Tuberville. 

E kryetari i Senatit për marrëdhënie të jashtme, Jim Risch, tha se mendon se Trumpi ka bërë punë të shkëlqyer. 

Lexo përditësimet tjera
Luftimet - Izrael

Luftimet Izrael – Iran intensifikohen në ditën e pestë

Zhvillimet e fundit në këto luftime:Sulmet e fundit të Iranit: Sirenat janë aktivizuar në disa qytete...