Zhvillimet e fundit në këto luftime:
Sulmet e fundit të Iranit: Sirenat janë aktivizuar në disa qytete të Izraelit në orët e para të mëngjesit të së martës, teksa Irani nisi valën e nëntë të sulmeve, që pritet të vazhdojnë sipas mediave iraniane. Ushtria e Izraelit ka thënë se mbrojtja e vet ajrore po punon për t’i ndërprerë raketat iraniane.
Sulmet e Izraelit: Sulmet e Izraelit ditëve të fundit kanë vrarë top-komandantët dhe shkencëtarët bërthamorë, dhe kanë pasur cak infrastrukturën ushtarake, duke e kthyer programin bërthamor të Iranit “shumë, shumë prapa”, sipas kryeministrit Benjamin Netanyahu. Të hënën, Izraeli sulmoi infrastrukturën e raketave dhe aeroplanëve të Iranit.
Sulmi në media: Izraeli ka goditur edhe studiot e televizionit shtetëror iranian IRINN. Nima Rajabpour, redaktore, dhe Masoumeh Azimi, pjesë e administratës, u vranë nga sulmet. Sulmet kanë nxitur që ushtria në Iran t’u bëjë thirrje dy kanaleve tjera televizive të largohen nga zyrat.
Fatalitetet: Në Iran, janë vrarë të paktën 224 persona. Në Izrael, 24.
Lideri i Iranit në rrezik: Netanyahu nuk ka përjashtuar se e ka në cak liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khameney kur është pyetur nga ABC News. Ai po ashtu ka thënë se sulmet do të mund të çojnë në ndryshim të regjimit në Iran. Sipas CNN-it, Trumpi ka refuzuar planin izraelit për ta vrarë Khamenein.
Ushtria iraniane po i synon bazat ajrore në Izrael
Garda Revolucionare e Iranit është duke shënjestruar një numër të bazave ajrore izraelite nga të cilat janë lansuar sulmet ndaj Iranit, raporton agjencia iraniane e lajmeve “IRNA”.
Sulmet në bazat ajrore izraelite janë kryer si reagim ndaj sulmeve në territorin iranian, është thënë nga Garda Revolucionare, transmeton “CNN”.
“Po ashtu njoftojmë se këto operacione do të vazhdojnë në një mënyrë të qëndrueshme, komplekse, shumështresore dhe graduale”, është thënë nga Garda Revolucionare.
CBS: Trump po shqyrton mundësinë t’i bashkohet Izraelit në sulmet ndaj zonave bërthamore në Iran
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po e shqyrton mundësinë t’i bashkohet Izraelit në sulmet ndaj zonave bërthamore në Iran, përfshirë atë në Fordow, kanë thënë për “CBS” burime të njohura me çështjen.
Kjo çështje ishte paraparë të diskutohej në takimin e sotëm të Trumpit me ekipin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, transmeton “BBC”.
Takimi ka përfunduar, ndërsa ka zgjatur një orë e 20 minuta. Nuk ka informata lidhur me atë nëse është marrë ndonjë vendim, por është shtuar se nuk ka pajtim të plotë në mesin e këshilltarëve më të afërt të Trumpit nëse SHBA-ja duhet t’i bashkohet Izraelit në sulmet ndaj Iranit.
Zyrtarët e lartë izraelitë po presin të mësojnë nëse Trumpi do t’u ndihmojë në sulmet ndaj zonave bërthamore, ka thënë një zyrtar i Izraelit për CNN-in.
“Po presim për vendimin e presidentit”, ka thënë ai.
E ligjvënësit amerikanë po e peshojnë mendimin e tyre lidhur me mënyrën se si Trumpi po e trajton konfliktin mes Iranit dhe Izraelit.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune, ka hedhur poshtë opsionin që Senati të japë shpejt dritë jeshile për veprimet e SHBA-së në Iran, duke thënë se momentalisht “presidenti është brenda autoritetit të tij” për të vepruar.
I pyetur nëse Kongresi duhet të ketë fjalë në çdo sulm të mundshëm ushtarak amerikan në Iran, Thune, nuk e ka përjashtuar këtë mundësi në të ardhmen.
E senatori Lindsey Graham tha se Trump duhet të marrë “shumë shpejt” vendim për t’i ofruar ndihmë Izraelit.
Ai tha se këtë ia kërkoi Trumpit personalisht në një bisedë telefonike.
Senatori Tommy Tuberville tha se Kongresi duhet të ketë fjalë në çdo veprim të mundshëm ushtarak amerikan kundër Iranit, por tha se beson se Trumpi do ta konsultojë Kongresin para se të veprojë.
“Ne duhet të kemi fjalën për këtë, veçanërisht nëse në të përfshihet mundësia e një Lufte të Tretë Botërore. Kjo po bëhet shumë delikate”, tha Tuberville.
E kryetari i Senatit për marrëdhënie të jashtme, Jim Risch, tha se mendon se Trumpi ka bërë punë të shkëlqyer.
Izraeli goditi direkt impiantin bërthamor në Natanz
Një sulm ushtarak i Izraelit ndaj kompleksit bërthamor të Iranit në Natanz goditi direkt impiantin nëntokësor të pasurimit të uraniumit atje, ka thënë të martën Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike. Fillimisht pati raportuar se impianti nuk ishte goditur.
Që kur Izraeli nisi sulmet në Iran të premten, Agjencia ka dhënë përditësime mbi dëmet në zonat bërthamore, raportoi Reuters.
Agjencia ka thënë se nuk ka ndryshim në raportimet për dy zonat tjera bërthamore të Iranit, Isfahan dhe Fordow.
“Bazuar në analizat e vazhdueshme të imazheve satelitore të mbledhura pas sulmeve të së premtes, Agjencia ka identifikuar elemente shtesë që tregojnë ndikim të drejtpërdrejt në korridoret nëntokësore të pasurimit të uraniumit në Natanz”, thuhet në postimin e Agjencisë në X.
Macroni thotë se ndryshimi i regjimit në Iran do të çonte në kaos
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, thotë se do të bëhej gabim i madh po të arrihej ndryshim i regjimit në Iran me mjete ushtarake, raporton agjencia “AFP”.
Duke folur në samitin e G7 në Kanada, Macron, tha se një ndryshim regjimi do të sillte “kaos” dhe beson se vendet duhet të ulen në tryezë të negociatave për të diskutuar për programin bërthamor të Iranit, transmeton “BBC”.
“Unë besoj se kemi nevojë që SHBA-ja t’i sjellë të gjithë përsëri në tryezë”, tha Macron.
Merzi thotë se Izraeli “po bën punë të ndyrë për të gjithë ne” në Iran
Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka shprehur respekt për sulmin e Izraelit ndaj Iranit, duke e quajtur atë një shërbim ndaj aleatëve perëndimorë.
"Kjo është puna e ndyrë që Izraeli po bën për të gjithë ne", ka thënë Merz të martën në margjinat e samitit të G7-s në Kanada në një intervistë me transmetuesin gjerman ZDF.
"Ne jemi gjithashtu viktima të këtij regjimi. Ky regjim mullahësh i ka sjellë vdekje dhe shkatërrim botës", ka shtuar ai.
"Mund të them vetëm: respektin më të madh për faktin se ushtria izraelite dhe udhëheqja izraelite patën guximin ta bënin këtë".
Merz ka shtuar se sulmet e Izraelit ndaj Iranit mund të çojnë në rrëzimin e udhëheqjes së Republikës Islamike.
"Unë supozoj se sulmet e ditëve të fundit e kanë dobësuar tashmë ndjeshëm regjimin e mullahëve dhe se nuk ka gjasa të kthehet në forcën e tij të mëparshme, duke e bërë të ardhmen e vendit të pasigurt", ka deklaruar Merz në një intervistë me Ëelt TV të Gjermanisë në samitin e G7-s në Kanada.
Zyrtarët iranianë kanë raportuar 224 vdekje, kryesisht civilë, në sulme për të cilat ka thënë se kishin në shënjestër zyrtarë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë.
E Izraeli thotë se 24 civilë janë vrarë në sulmet iraniane në territorin e tij.
Gjermania ka mbetur një nga mbështetëset më të mëdhenj të Izraelit, duke shkuar aq larg sa ka ndërhyrë në emër të Izraelit në akuzën e Afrikës së Jugut për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).
Izraeli thotë se ka identifikuar një valë të re raketash iraniane
Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë thënë të martën se kanë identifikuar një valë të re raketash që vijnë nga Irani.
Sirenat po bien në pjesë të ndryshme të vendit, kryesisht në veri dhe në Haifa. Publiku është udhëzuar të kërkojë strehim.
"Sistemet mbrojtëse po veprojnë për të kapur kërcënimin", ka thënë ushtria izraelite.
WhatsApp mohon pretendimin e Iranit se ndan informacione me Izraelin
Meta ka lëshuar një deklaratë në përgjigje të qeverisë së Iranit e cila u ka bërë thirrje qytetarëve të fshijnë WhatsApp-in.
Gjigandi i teknologjisë mohon pretendimet e Iranit se informacioni nga aplikacioni i mesazheve ndahet me Izraelin, raporton BBC.
Një zëdhënës i kompanisë mëmë të WhatsApp, Meta - e cila zotëron gjithashtu Facebook dhe Instagram, ka thënë se është "i shqetësuar se këto raportime të rreme do të jenë një justifikim që shërbimet tona të bllokohen në një kohë kur njerëzit kanë më shumë nevojë për to".
Deklarata thotë se të gjitha "mesazhet që u dërgoni familjes dhe miqve në WhatsApp janë të enkriptuara nga fillimi në fund, që do të thotë se askush përveç dërguesit dhe marrësit nuk ka qasje në ato mesazhe".
"Ne nuk u ofrojmë informacione me shumicë asnjë qeverie. Për më shumë se një dekadë, Meta ka ofruar raporte të vazhdueshme transparence që përfshijnë rrethanat e kufizuara kur është kërkuar informacioni i WhatsApp", ka shtuar zëdhënësi.
Erdogan: Netanyahu është kërcënimi më i madh për sigurinë në Lindjen e Mesme
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se kryemnistri izraelit, Benjamin Netanyahu është "kërcënimi më i madh" për sigurinë në Lindjen e Mesme, sipas një postimi në rrjetet sociale nga presidenca turke.
"Netanyahu ka demonstruar edhe një herë se ai është kërcënimi më i madh për sigurinë e rajonit", i ka thënë Erdogan Emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani, në një telefonatë, ka bërë të ditur presidenca në një postim në X.
"Duke vënë në dukje se ka mbajtur kontakte intensive diplomatike në lidhje me përplasjet e shkaktuara nga sulmet e Izraelit ndaj Iranit, presidenti Erdogan ka thënë se do të vazhdojë përpjekjet e tij për t'i dhënë fund spirales së dhunës", thuhej më tej në postim.
"Duke theksuar se sulmet e Izraelit nuk mund të lejohen të errësojnë krizën humanitare dhe gjenocidin në Gazë, presidenti Erdogan paralajmëroi kundër lejimit që incidentet të përfshijnë edhe Sirinë", ka vazhduar postimi.
Që kur ka nisur lufta e Izraelit në Gazë, Erdogani ka qenë një nga kritikët më të ashpër dhe më të zëshëm të Izraelit, duke e quajtur atë rregullisht një shtet terrorist dhe duke e krahasuar Netanyahun me Hitlerin.
Trumpi takohet me ekipin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se presidenti Donald Trump ka nisur takimin me Këshillin e tij të Sigurisë Kombëtare.
Para pak çastesh, një ushtar i Marinës qëndronte jashtë pjesës perëndimor të Shtëpisë së Bardhë, duke treguar se presidenti është brenda, raporton BBC.
Nuk është dhënë zyrtarisht shkaku i takimit, por që ai vjen në mes të krizës në Lindjes e Mesme, pasi Izraeli dhe Irani po sulmojnë njëri-tjetrin që nga e premtja.
Ndërkohë, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Tammy Bruce, ka deklaruar në një konferencë për media të martën se teksa konflikti midis Izraelit dhe Iranit vazhdon, presidenti Trump ka qenë i qartë se Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore.
Bruce ka shtuar se Departamenti i Shtetit ka krijuar një taskë forcë për Lindjen e Mesme për të ndihmuar në koordinimin e mbështetjes për qytetarët dhe misionet diplomatike.
Ajo u ka kujtuar qytetarëve amerikanë të mos udhëtojnë në Izrael, Irak ose Iran.
Bruce ka sqaruar se taska forca përfshin njerëz që marrin telefonata nga qytetarët amerikanë në të gjithë botën dhe sigurohen që ata të marrin atë që u nevojitet.
Irani paralajmëron banorët e Tel Avivit dhe Haifës të evakuohen
Shefi i shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit ka thënë në një videomesazh të postuar nga mediat iraniane për banorët e Izraelit se "veçanërisht Tel Avivi dhe Haifa duhet të evakuohen sa më shpejt të jetë e mundur për të shpëtuar jetët e tyre".
Gjeneral Major Abdolrahim Mousavi ka thënë gjithashtu se "operacionet e kryera deri më tani kanë qenë një paralajmërim për frenim" dhe se një "operacion ndëshkues" nga Irani "do të kryhet së shpejti".
Edhe pse sulmet iraniane kanë vrarë të paktën 24 izraelitë që nga e premtja, shumica e raketave iraniane janë ndaluar nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Izraelit.
SHBA-ja dërgon avionë shtesë luftarakë në Lindjen e Mesme
Ushtria amerikane po vendos më shumë avionë luftarakë në Lindjen e Mesme dhe po zgjeron vendosjen e avionëve të tjerë luftarakë, duke fuqizuar forcat ushtarake amerikane në rajon, ndërsa lufta midis Izraelit dhe Iranit vazhdon, kanë thënë tre zyrtarë amerikanë për Reuters.
Një nga zyrtarët ka thënë se vendosjet përfshijnë avionë luftarakë F-16, F-22 dhe F-35.
Dy nga zyrtarët kanë përmendur natyrën mbrojtëse të vendosjes së avionëve luftarakë, të cilët janë përdorur për të rrëzuar dronë dhe predha.
Trump: E dimë se ku është udhëheqësi iranian, nuk do ta vrasim aktualisht
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-ja e di se ku fshihet saktësisht Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei.
Trumpi në një postim në rrjetet sociale ka thënë se nuk do ta vrasin atë aktualisht.
"E dimë saktësisht se ku fshihet i ashtuquajturi 'Udhëheqës Suprem’. "Ai është një objektiv i lehtë, por është i sigurt atje, Nuk do ta vrasim! Të paktën jo aktualisht”, ka shkruar Trump.
"Nuk duam që raketat të qëllohen drejt civilëve ose ushtarëve amerikanë. Durimi ynë po shteron. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, ka shtuar ai.
Ditë më parë ka pasur raportime se ishte Trumpi ai që e ka ndaluar Izraelin të vrasë Khamenein.
Trumpi po ashtu ka thënë se kanë kontroll të plotë dhe total mbi qiellin e Iranit.
Ndërkaq, në një postim të tretë po në Truth Social, Trumpi bën thirrje për dorëzim.
“Dorëzim pa kushte”, ka shkruar ai.
Katari dënon shënjestrimin e objekteve energjetike iraniane nga Izraeli
Ministria e Jashtme e Katarit ka dënuar shënjestrimin e objekteve energjetike të Iranit nga Izraeli dhe ka paralajmëruar për pasojat nëse ata do të vazhdojnë me një strategji të tillë.
Gjatë një konference për shtyp të martën, zëdhënësi i ministrisë, Majed al-Ansari, e ka quajtur sulmin e Izraelit ndaj Iranit një "veprim të pallogaritur që do të ketë pasoja të rëndësishme dhe një ndikim të madh në tregjet globale të energjisë dhe sigurinë rajonale në përgjithësi".
Al-Ansari ka thënë se autoritetet po monitorojnë ujërat e Gjirit në baza ditore, por që nga tani Ngushtica e Hormuzit po funksionon normalisht, si dhe eksportet dhe furnizimet globale të energjisë nga rajoni. Ai ka shtuar se nuk është zbuluar ndotje në ujë aktualisht.
Komentet kanë ardhur teksa Izraeli ka sulmuar Iranin për të pestën ditë, në një fushatë ajrore kundër programit ushtarak dhe bërthamor të armikut të tij të hershëm.
Izraeli thotë se sulmi i tij gjithëpërfshirës ndaj udhëheqësve të lartë ushtarakë të Iranit, shkencëtarëve bërthamorë, vendeve të pasurimit të uraniumit dhe programit të raketave balistike është i nevojshëm për të parandaluar kundërshtarin e tij që t'i afrohet ndërtimit të një arme atomike. Sulmet kanë vrarë të paktën 224 persona në Iran.
Irani është hakmarrë duke lëshuar më shumë se 370 raketa dhe qindra dronë drejt Izraelit. Deri më tani, 24 persona janë vrarë në Izrael. Ushtria izraelite ka thënë se një breshëri e re raketash është lëshuar të martën.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka thënë të martën se beson që sulmet e para ajrore të Izraelit në vendin e pasurimit të uraniumit në Natanz të Iranit kishin "ndikime të drejtpërdrejta" në sallat nëntokësore të centrifugave të objektit.
E vendosur 220 kilometra në juglindje të Teheranit, objekti i Natanzit mbrohej nga bateritë kundërajrore, gardhe dhe Garda Revolucionare paraushtarake e Iranit.
Pjesa nëntokësore e objektit është varrosur për ta mbrojtur atë nga sulmet ajrore dhe përmban pjesën më të madhe të objekteve të pasurimit në Natanz, me 10,000 centrifuga që pasurojnë uranium deri në 5%, vlerësojnë ekspertët.
Irani lëshon disa raketa drejt Izraelit
Sirenat e sulmeve ajrore janë aktivizuar në pjesë të mëdha të Izraelit rreth orës 5:00 pasdite sipas orës lokale.
"Irani po sulmon përsëri", kanë thënë Forcat Mbrojtëse të Izraelit në një deklaratë të shkurtër në X.
Ushtria izraelite ka thënë në një deklaratë të veçantë se Irani kishte lëshuar disa raketa drejt Izraelit gjatë orës së kaluar.
"Shumica e tyre u penguan”, ka deklaruar ushtria.
Brenda një ore, Komanda e Brendshme Izraelite u ka dhënë qytetarëve leje të largoheshin nga strehimoret e tyre kundër bombave.
Kallas: Përfshirja e SHBA-së në konfliktin Izrael-Iran do ta zgjeronte atë
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, ka thënë të martën se nëse SHBA-ja përfshihet në sulmin izraelit ndaj Iranit, "atëherë kjo do ta përfshijë patjetër rajonin në një konflikt më të gjerë".
Kallas ka shtuar se Bashkimi Evropian po koordinon evakuimin e qytetarëve të saj nga zona e konfliktit në Lindjen e Mesme, raporton AP.
Komentet e saj vijnë teksa ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka paralajmëruar banorët të evakuojnë pjesë të Teheranit të martën, ndërsa fushata ajrore e Izraelit në kryeqytetin e Iranit ka hyrë në ditën e pestë.
Izraeli thotë se sulmi i tij gjithëpërfshirës ndaj udhëheqësve të lartë ushtarakë të Iranit, vendeve të pasurimit të uraniumit dhe shkencëtarëve bërthamorë është i nevojshëm për të parandaluar që kundërshtari i tij i hershëm të afrohet më shumë me ndërtimin e një arme atomike.
Qëllimi i Izraelit s'është ndryshimi i regjimit të Iranit, thotë ministri i Jashtëm izraelit
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar ka deklaruar të martën se ndryshimi i regjimit në Iran nuk është objektivi i veprimeve të Forcave Mbrojtëse të Izraelit.
Sipas tij, kjo mund të jetë rezultat i kësaj, por nuk është synimi, raporton BBC.
Sa’ar i ka bërë komentet gjatë një vizite në qytetin qendror të Izraelit, Rishon Lezion i cili është goditur nga sulmet iraniane.
Sa’ar u ka thënë gazetarëve se Izraeli ka tri qëllime kryesore: para së gjithash, të dëmtojë rëndë programin bërthamor të Iranit, duke shtuar se nuk ka mbaruar ende me këtë.
"Ne ende kemi objektiva", ka shtuar Sa'ar, duke pretenduar se avionët luftarakë të Izraelit tani kanë epërsi në hapësirën ajrore iraniane.
Ai ka thënë se objektivi i dytë i Izraelit është të "dëmtojë rëndë programin e raketave balistike të regjimit iranian" dhe së fundmi të "dëmtojë rëndë planin për të eliminuar shtetin e Izraelit".
Xi Jinping “thellësisht i shqetësuar” nga konflikti Izrael-Iran
Udhëheqësi kinez, Xi Jinping, ka thënë se vendi i tij është "thellësisht i shqetësuar" nga "përshkallëzimi i papritur" i tensioneve në Lindjen e Mesme, i shkaktuar nga veprimi ushtarak i Izraelit kundër Iranit, raportoi të martën agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua e Kinës.
Në komentin e tij të parë publik mbi konfliktin Iran-Izrael që nga shpërthimi i tij të premten, Xi ka thënë se Kina, një mbështetëse kryesore diplomatike dhe ekonomike e Iranit, kundërshton "çdo akt që cenon sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial" të vendeve të tjera, raporton CNN.
"Konflikti ushtarak nuk është një mënyrë për të zgjidhur problemet dhe përshkallëzimi i tensioneve rajonale nuk është në interesin e përbashkët të bashkësisë ndërkombëtare", ka thënë Xi, duke folur së me presidentin Uzbek Shavkat Mirziyoyev në Astana, kryeqytetin e Kazakistanit.
Xi është në Astana për Samitin e dytë Kinë-Azi Qendrore.
Xi ka shtuar se të gjitha palët duhet të punojnë për të qetësuar konfliktin sa më shpejt të jetë e mundur dhe se Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët "për të luajtur një rol konstruktiv në rivendosjen e paqes dhe stabilitetit" në rajon.
Raportohet për më shumë se 450 të vrarë në Iran që nga e premtja
Organizata jofitimprurëse “Aktivistët për të Drejtat e Njeriut në Iran” (HRANA) ka qenë duke ndjekur nga afër numrin e viktimave që nga fillimi i bombardimeve izraelite në Republikën Islamike të Iranit, raporton BBC. Sipas HRANA-s, 224 civilë janë vrarë dhe 188 janë plagosur.
Gjithashtu, janë vrarë 109 pjesëtarë të ushtrisë dhe 123 janë plagosur. Përveç kësaj, 119 persona të tjerë janë vrarë dhe 335 janë plagosur, por ende nuk janë identifikuar. Kjo e çon numrin total të viktimave, sipas HRANA-s, në 452 të vrarë dhe 646 të plagosur.
Mediet shtetërore iraniane kanë qenë të heshtura në lidhje me numrin e të vdekurve deri tani, duke dhënë shumë pak të dhëna zyrtare nga qeveria.
Kufizimet në vend e bëjnë të vështirë që gazetarët të punojnë në mënyrë të rregullt atje, gjë që e bën të vështirë verifikimin e saktë të numrit real të viktimave të konfliktit deri tani.
Udhëheqësi i Iranit sheh rrethin e tij të ngushtë teksa zbrazet nga Izraeli
Udhëheqësi Suprem 86-vjeçar i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, shfaqet si një figurë gjithnjë e më e vetmuar.
Khamnei ka parë këshilltarët e tij kryesorë ushtarakë dhe të sigurisë të vriten nga sulmet ajrore izraelite, duke lënë boshllëqe të mëdha në rrethin e tij të ngushtë dhe duke rritur rrezikun e gabimeve strategjike, sipas pesë personave të njohur me procesin e tij të vendimmarrjes.
Një nga këto burime, i cili merr pjesë rregullisht në takime me Khamenein, e ka përshkruar rrezikun e llogaritjes së gabuar për Iranin në çështjet e mbrojtjes dhe stabilitetit të brendshëm si "jashtëzakonisht të rrezikshëm".
Disa komandantë të lartë ushtarakë janë vrarë që nga e premtja, përfshirë këshilltarët kryesorët të Khameneit nga Garda Revolucionare, forca ushtarake elitare e Iranit, komandanti i përgjithshëm i Gardës Hossein Salami, shefi i saj i hapësirës ajrore, Amir Ali Hajizadeh, i cili drejtoi programin e raketave balistike të Iranit, dhe shefin e spiunazhit Mohammad Kazemi.
Këta burra ishin pjesë e rrethit të ngushtë të udhëheqësit suprem prej afërsisht 15-20 këshilltarësh, që përfshinin komandantë të Gardës, klerikë dhe politikanë, sipas burimeve, të cilat përfshijnë tre persona që marrin pjesë ose kanë marrë pjesë në takime me udhëheqësin për çështje të mëdha, dhe dy të afërt me zyrtarë që marrin pjesë rregullisht.
Grupi i lirshëm mblidhet në baza ad-hoc, kur zyra e Khameneit kontakton këshilltarët përkatës për t'u mbledhur në kompleksin e tij në Teheran për të diskutuar një vendim të rëndësishëm, thanë të gjithë njerëzit. Anëtarët karakterizohen nga besnikëri e palëkundur ndaj tij dhe ideologjisë së Republikës Islamike, shtuan ata.
Khamenei, i cili është burgosur para revolucionit të vitit 1979 dhe është gjymtuar nga një sulm me bombë përpara se të bëhej udhëheqës në vitin 1989, është thellësisht i përkushtuar për të ruajtur sistemin islamik të qeverisjes së Iranit dhe thellësisht mosbesues ndaj Perëndimit.
Sipas sistemit të qeverisjes së Iranit, ai ka komandën supreme të forcave të armatosura, fuqinë për të shpallur luftë dhe mund të emërojë ose shkarkojë figura të larta, përfshirë komandantët ushtarakë dhe gjyqtarët.
Khamenei merr vendimin përfundimtar për çështje të rëndësishme, megjithëse ai vlerëson këshillat, dëgjon me vëmendje pikëpamjet e ndryshme dhe shpesh kërkon informacione shtesë nga këshilltarët e tij, sipas një burimi që merr pjesë në takime.
"Dy gjëra mund të thuash për Khamenein: ai është jashtëzakonisht kokëfortë, por edhe jashtëzakonisht i kujdesshëm. Ai është shumë i kujdesshëm. Kjo është arsyeja pse ai ka qenë në pushtet për aq kohë sa ka qenë", ka thënë Alex Vatanka, drejtor i Programit të Iranit në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington.
"Khamenei është mjaft i pozicionuar për të bërë analizën bazë të kostos dhe përfitimit, e cila në të vërtetë në thelb ka prioritet një gjë tjetër: mbijetesën e regjimit", ka shtuar ai.
Fokusi te mbijetesa është vënë vazhdimisht në provë. Khamenei ka vendosur Gardën Revolucionare dhe milicinë e saj të lidhur me Basij për të shuar protestat kombëtare në vitet 1999, 2009 dhe 2022.
Ndërsa forcat e sigurisë kanë qenë gjithmonë në gjendje t’u mbijetojnë demonstratave dhe të rivendosin sundimin shtetëror, vitet e sanksioneve perëndimore kanë shkaktuar mjerim të përhapur ekonomik që analistët thonë se në fund të fundit mund të kërcënojnë trazirat e brendshme.
Rreziku vështirë se mund të jetë më i lartë për Khamenein, i cili përballet me një luftë në rritje me Izraelin, i cili ka synuar vendet dhe personelin bërthamor dhe ushtarak me sulme ajrore, duke tërhequr sulme hakmarrëse iraniane.
Pesë personat e njohur me procesin e vendimmarrjes së Khameneit theksuan se persona të tjerë të brendshëm që nuk janë synuar nga sulmet e Izraelit mbeten të rëndësishëm dhe me ndikim, duke përfshirë këshilltarët kryesorë për çështje politike, ekonomike dhe diplomatike.
Khamnei emëron këshilltarë të tillë për të trajtuar çështjet ndërsa ato lindin, duke zgjeruar shtrirjen e tij drejtpërdrejt në një gamë të gjerë institucionesh që përfshijnë fushat ushtarake, të sigurisë, kulturore, politike dhe ekonomike, thanë dy nga burimet.
Burimet kanë thënë se djali i tij, Mojtaba, është bërë gjithnjë e më qendror në këtë proces gjatë 20 vjetëve të fundit, duke ndërtuar një rol që ndërthur personalitetet, fraksionet dhe organizatat e përfshira për të koordinuar çështje specifike, kanë thënë burimet.
Një klerik i rangut të mesëm, i parë nga disa persona të brendshëm si një pasardhës i mundshëm i babait të tij në plakje, Mojtaba ka ndërtuar lidhje të ngushta me Gardën, duke i dhënë atij ndikim shtesë në të gjithë aparatin politik dhe të sigurisë të Iranit, kanë shtuar njerëzit.
Ali Asghar Hejazi, zëvendësi i çështjeve të sigurisë politike në zyrën e Khameneit, është përfshirë në vendime të ndjeshme të sigurisë dhe shpesh përshkruhet si zyrtari më i fuqishëm i inteligjencës në Iran, sipas burimeve.
Ndërkohë, kreu i zyrës së Khameneit, Mohammad Golpayegani, si dhe ish-ministrat e jashtëm Ali Akbar Velayati dhe Kamal Kharazi, dhe ish-kryetari i parlamentit Ali Larijani, mbeten njerëz të besuar për çështje diplomatike dhe të politikave të brendshme, siç është mosmarrëveshja bërthamore, thanë njerëzit.
Megjithatë, humbja e komandantëve të Gardës Revolucionare shkatërron radhët e larta të një organizate ushtarake që Khamenei e ka vënë në qendër të pushtetit që kur është bërë udhëheqës suprem në vitin 1989, duke u mbështetur në të si për sigurinë e brendshme ashtu edhe për strategjinë rajonale.
Ndërsa zinxhiri i rregullt i komandës së ushtrisë kalon nëpër ministrinë e Mbrojtjes nën presidentin e zgjedhur, Garda i përgjigjet personalisht Khameneit, duke siguruar pajisjet më të mira ushtarake për degët e tyre tokësore, ajrore dhe detare dhe duke u dhënë komandantëve të tyre një rol të madh shtetëror.
Ndërsa përballet me një nga momentet më të rrezikshme në historinë e Republikës Islamike, Khamenei e gjen veten të izoluar edhe më tej nga humbjet e fundit të këshilltarëve të tjerë kryesorë në rajon, ndërsa koalicioni "Boshti i Rezistencës" i Iranit është goditur nga Izraeli.
Shefi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, i cili ishte personalisht i afërt me udhëheqësin iranian, është vrarë nga një sulm ajror izraelit në shtator të vitit të kaluar dhe presidenti sirian Bashar al-Assad u rrëzua nga rebelët në dhjetor.
Shpërthime të fuqishme në qendër të Teheranit
Dy shpërthime të fuqishme raportohen të kenë ndodhur në qendër të Iranit. Skynews ka bërë me dije se mbrojtja ajrore në zonë është aktivizuar.
Sulmet janë përqendruar në perëndim të kryeqytetit iranian.
Ende s'dihet për viktima apo të plagosur.