Presidenti amerikan, Donald Trump, ka pritur në Shtëpinë e Bardhë të martën, kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney.
Gjatë takimit në Zyrën Ovale, në takimin e tyre të parë zyrtar, Trumpi ka thënë se ka shumë respekt për kanadezët, duke shtuar se anëtarët e familjes së nënës së tij jetonin atje.
"Kanadaja është një vend shumë i veçantë”, ka thënë Trump, raporton BBC.
Ai ka shtuar se i qëndron komenteve të tij për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të të SHBA-së.
Në përgjigje të pyetjes së një gazetari, presidenti amerikan ka thënë se shtetësia do të nënkuptonte ushtri të lirë dhe një ulje masive të taksave për kanadezët.
Si kundërpërgjigje, Carney ka thënë se disa vende nuk janë kurrë në shitje.
"Disa vende nuk janë kurrë në shitje”, ia ka kthyer Carney.
Ndërkaq, Trumpi i ka replikuar duke i kërkuar Carneyt që “kurrë të mos thotë kurrë”.
"Do të shohim me kalimin e kohës se çfarë do të ndodhë”, ka deklaruar Trump.
