Kryeministri kanadez, Mark Carney do të takohet të martën me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në vizitën e tij të parë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë.

Marrëdhëniet midis dy vendeve mbeten të tensionuara për shkak të tarifave të Trumpit dhe kërcënimeve për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të të SHBA-së, gjë për të cilën, Carney ka thënë se "nuk do të ndodhë kurrë", raporton BBC.

Në një konferencë shtypi paszgjedhore të premten, Carney ka deklaruar se ka ndërmend të diskutojë tarifat dhe marrëdhëniet më të gjera SHBA-Kanada me Trumpin gjatë takimit të tyre.

Presidenti amerikan ka shpallur tarifa 25% për Kanadanë dhe Meksikën në shkurt, duke pretenduar se kjo ishte për të ndaluar trafikimin e fentanilit dhe emigrantëve, por ka pasur disa vonesa dhe përjashtime që nga ajo kohë.

Sipas Zyrës së Përfaqësuesit të Tregtisë së Shteteve të Bashkuara, Kanadaja ka qenë "vazhdimisht një nga dy partnerët kryesorë tregtarë për Shtetet e Bashkuara". 

Faqja e internetit e qeverisë kanadeze thotë se pothuajse 2.7 miliardë dollarë mallra dhe shërbime kaluan kufirin çdo ditë në vitin 2023.

Sipas të dhënave të vitit 2024, Kanadaja ishte në krye të listës së eksportuesve kryesorë të SHBA-së.

Carney thotë se Kanadaja s’është në shitje, Trumpi ia kthen me “kurrë mos thuaj kurrë”

2 o. më parë / 6 maj 2025 18:38
Mark Carney dhe Donald Trump

Mark Carney dhe Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka pritur në Shtëpinë e Bardhë të martën, kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney.

Gjatë takimit në Zyrën Ovale, në takimin e tyre të parë zyrtar, Trumpi ka thënë se ka shumë respekt për kanadezët, duke shtuar se anëtarët e familjes së nënës së tij jetonin atje.

"Kanadaja është një vend shumë i veçantë”, ka thënë Trump, raporton BBC.

Ai ka shtuar se i qëndron komenteve të tij për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të të SHBA-së.

Në përgjigje të pyetjes së një gazetari, presidenti amerikan ka thënë se shtetësia do të nënkuptonte ushtri të lirë dhe një ulje masive të taksave për kanadezët.

Si kundërpërgjigje, Carney ka thënë se disa vende nuk janë kurrë në shitje.

"Disa vende nuk janë kurrë në shitje”, ia ka kthyer Carney.

Ndërkaq, Trumpi i ka replikuar duke i kërkuar Carneyt që “kurrë të mos thotë kurrë”.

"Do të shohim me kalimin e kohës se çfarë do të ndodhë”, ka deklaruar Trump.