Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Koalicioni i ish-presidentit Radev projektohet fitues i zgjedhjeve në Bullgari

Rumen Radev

Foto: Associated Press

Një koalicion i qendrës së majtë i udhëhequr nga ish-presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, do t’i fitojë zgjedhjet parlamentare, sipas një “exit polli” të publikuar disa orë pasi u mbyllën qendrat e votimit të dielën, raporton agjencia “AP”. Ky koalicion nuk ka gjasa të sigurojë vota të mjaftueshme për të qeverisur e vetme, gjë që mund të zgjasë një bllokim politik disavjeçar në vendin anëtar të Bashkimit Evropian. Zgjedhjet e së dielës ishin të tetat në pesë vjet, duke ilustruar një ngërç politik paralizues që ka kapluar këtë vend ballkanik. Rezultatet paraprake priten të hënën. Sondazhi i realizuar nga grupi kërkimor Trend tregoi se “Progressive Bulgaria” e Radevit ka marrë 39.2% të votave, duke lënë pas partinë e qendrës së djathtë GERB të liderit të saj veteran, Boyko Borissov, e cila pritet të marrë 15.1% të votave. Pavarësisht diferencës së madhe mes dy grupeve, përqindja e parashikuar mund të mos jetë e mjaftueshme që Radev të formojë një qeveri të vetme, dhe ai do të përballet me detyrën e vështirë për të gjetur partnerë për të qeverisur.

“Exit polli” parashikoi gjithashtu se pjesëmarrja në votime ishte 43.4% dhe se gjashtë parti mund të kalonin pragun prej 4% për të hyrë në një parlament të fragmentuar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Rumen Radev tha pas publikimit të projeksioneve fillestare se “ne do të bëjmë më të mirën për të shmangur që të shkojmë sërish në zgjedhje”.

“Zgjedhjet e reja do të ishin një katastrofë për Bulgaria”, tha ai. “Kjo do të thoshte të kalonim nga një krizë në tjetrën, kur ajo që duhet të bëjmë është të punojmë shumë për të dalë nga këto kriza”. 
Zgjedhjet e jashtëzakonshme erdhën pas dorëheqjes së një qeverie të udhëhequr nga konservatorët mes protestave mbarëkombëtare në dhjetorin e kaluar që nxorën qindra mijëra njerëz, kryesisht të rinj, në rrugë. Protestuesit kërkuan një sistem gjyqësor të pavarur për të luftuar korrupsionin e përhapur.
Nëse konfirmohet në rezultatin zyrtar, fitorja e koalicionit të Radev mund të sjellë në pushtet një lider me prirje të majta që shihet nga kritikët si pro-rus

Radev dha dorëheqje në janar nga posti i presidentit, disa muaj para përfundimit të mandatit të tij të dytë, për të nisur një përpjekje për të drejtuar qeverinë si kryeministër.
62-vjeçari, ish-pilot luftarak dhe komandant i forcave ajrore, ka premtuar t’i japë vendit një fillim të ri. Mbështetësit e tij janë të ndarë mes atyre që shpresojnë se ai do t’i japë fund korrupsionit oligarkik të vendit dhe atyre që rreshtohen pas qëndrimeve të tij euroskeptike dhe miqësore ndaj Rusisë.
 

 


 

Bullgaria voton, ish-presidenti pro-rus shihet si pretendent për fitore

Bullgarët u janë drejtuar kutive të votimit të dielën në zgjedhjet e teta parlamentare në pesë vjet, teksa, ish-presidentin pro-rus Rumen Radev, i cili premton të zhdukë korrupsionin dhe t'i japë fund një spiraleje qeverish të dobëta dhe jetëshkurtra, shihet si fitues i tyre.

Radev, një ish-pilot luftarak euroskeptik i cili kundërshton mbështetjen ushtarake për përpjekjet e luftës së Ukrainës kundër Moskës, ka dhënë dorëheqjen nga presidenca në janar për të kandiduar në zgjedhje, të cilat vijnë pasi protestat masive detyruan qeverinë e mëparshme të binte në tetor.

Një fushatë e zgjuar në mediat sociale dhe një premtim për stabilitet kanë rritur mbështetjen për Radev në vendin ballkanik me rreth 6.5 milionë banorë, ku votuesit janë të lodhur nga zgjedhjet e përsëritura të parakohshme dhe një grup i vogël politikanësh veteranë që shihen gjerësisht si të korruptuar.

"Më në fund na duhet një rrugë drejt Bullgarisë demokratike dhe moderne evropiane", ka thënë Radev pasi hodhi votën e tij në Sofje. 

"Ne kemi nevojë për programin tonë shumë të fuqishëm në parlament për të mbështetur qytetarët bullgarë që të dalin sa më shpejt të jetë e mundur nga kjo situatë shumë e vështirë”, ka shtuar ai.

Për marrëdhëniet me Moskën, ai ka thënë se “shpreson të zhvillojë marrëdhënie praktike, bazuar në respekt të ndërsjellë dhe trajtim të barabartë”. 

Bullgaria është zhvilluar me shpejtësi që nga rënia e komunizmit në vitin 1989 dhe u bashkua me Bashkimin Evropian në vitin 2007. Jetëgjatësia është rritur ndjeshëm, papunësia është më e ulëta në BE dhe ekonomia ka mbrojtje më të mëdha që nga bashkimi me zonën e euros në janar.

Por Bullgaria mbetet prapa vendeve të tjera të BE-së në shumë metrika dhe korrupsioni mbetet endemik, përfshirë në zgjedhje, ku blerja e votave është e përhapur.

Kostoja e jetesës është bërë një problem i veçantë që kur Bullgaria, një anëtare e NATO-s, miratoi euron. Qeveria e mëparshme ra mes protestave kundër një buxheti të ri që propozonte rritje të taksave dhe kontribute më të larta të sigurimeve shoqërore.