Britaniku Paul Urey, i kapur nga separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainë, ka vdekur në burg.
Më 29 prill, Urey ishte arrestuar në një pikë kontrolli bashkë me kolegun e tij, Dylan Healy, të dy vullnetarë humanitarë.
Të dy më vonë u paditën për akuzat e “aktiviteteve mercenare” nga separatistët.
Darya Morozova, avokate në Donetsk, ka shkruar se Urey vdiq më 10 korrik si rezultat i “sëmundjes dhe stresit”.
“Veçse gjatë ekzaminimit të parë mjekësor, Paul Urey u diagnostikua me një numër të sëmundjeve kronike, si diabeti, dëmtim në sistemin e frymëmarrjes, veshkave dhe sëmundje në sistemin kardiovaskular”, tha ajo.
Nëna e Ureyt, Linda, kishte thënë më herët se djali i saj ishte diabetik dhe kishte nevojë për insulinë.
Morozova pretendoi se Zyra për Punë të Jashtme e Britanisë nuk ofroi “asnjë reagim” për kapjen e Ureyt pavarësisht se ishte njoftuar për situatën. Ajo pretendoi se Urey ishte “luftëtar profesionist” që kishte marrë pjesë në konflikte në Afganistan, Irak dhe Libi, duke udhëhequr “operacione ushtarake”.
Në fillim të majit, Urey u shfaq në televizionin shtetëror rus me pranga në duar. Në pamje, të cilat e ëma tha se i ka bërë nën presion, ai kritikoi qeverinë britanike.
Urey është i huaji i parë që vdes në mbajtje të separatistëve pro-Rusisë që nga fillimi i luftës.