Botë

Britania shpall rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes

Keir Starmer

Foto: Associated Press

Mbretëria e Bashkuar do të ndërtojë nëndetëse të reja sulmuese me energji bërthamore dhe do ta përgatisë ushtrinë e saj për të luftuar një luftë në Evropë, ka thënë të hënën kryeministri Keir Starmer, si pjesë e një rritjeje të shpenzimeve ushtarake, të hartuara për t'ua dërguar një mesazh Moskës dhe Uashingtonit.

Starmer u ka thënë gazetarëve dhe punëtorëve në një kantier detar në Skoci se Britania nuk mund a injorojë kërcënimin që paraqet Rusia, teksa është zotuar të ndërmarrë ndryshimet më rrënjësore në mbrojtjen e Britanisë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik më shumë se tre dekada më parë, raporton AP.

"Do të ndërtojmë një forcë luftarake më të integruar, më të gatshme, më vdekjeprurëse se kurrë. Me një rezervë strategjike më të fortë, plotësisht të trajnuar dhe të gatshme për t'u mobilizuar në çdo kohë. Së dyti, çdo gjë që bëjmë do ta shtojë forcën e NATO-s. Teksa ne marrim përsipër përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen tonë kolektive, aleanca e NATO-s do të thotë diçka më thellë - se ne kurrë nuk do të luftojmë vetëm. Është një burim themelor i forcës sonë strategjike", ka deklaruar Starmer.

Ashtu si anëtarët e tjerë të NATO-s, Mbretëria e Bashkuar ka rivlerësuar shpenzimet e saj të mbrojtjes që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.

Qeveria ka njoftuar plane ushtarake në përgjigje të një rishikimi strategjik të mbrojtjes të porositur nga Starmer dhe të udhëhequr nga George Robertson, një ish-sekretar i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar dhe sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

Është rishikimi i parë i tillë që nga viti 2021 dhe vjen në një botë të tronditur dhe të transformuar nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe nga rizgjedhja e presidentit Donald Trump vitin e kaluar.

Muaj pasi ishte botuar rishikimi i fundit i madh i mbrojtjes i Britanisë në vitin 2021, kryeministri i atëhershëm Boris Johnson kishte thënë me besim se epoka e “luftimeve të betejave të mëdha me tanke në territorin evropian” kishte mbaruar. Tre muaj më vonë, tanket ruse kanë hyrë në Ukrainë.

Qeveria e Partisë Laburiste të qendrës së majtë e Starmer thotë se do të pranojë të gjitha 62 rekomandimet e bëra në shqyrtim, që synojnë të ndihmojnë Mbretërinë e Bashkuar të përballet me kërcënimet në rritje në tokë, ajër dhe në hapësirën kibernetike.

Masat përfshijnë rritjen e prodhimit të nëndetëseve dhe armëve dhe "nxënien e mësimeve nga Ukraina", e cila ka zhvilluar me shpejtësi teknologjinë e saj të dronëve për t'iu kundërvënë forcave të Moskës dhe madje për të goditur objektiva thellë brenda Rusisë.

Qeveria ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të krijojë gjithashtu një komandë kibernetike për t'iu kundërvënë sulmeve "të përditshme" të lidhura me Rusinë ndaj mbrojtjes së Britanisë.

Njoftimet e së hënës përfshijnë ndërtimin e deri në 12 nëndetëseve me energji bërthamore, të armatosura konvencionale, sipas partneritetit AUKUS me Australinë dhe Shtetet e Bashkuara.

Qeveria gjithashtu thotë se do të investojë 15 miliardë funte në arsenalin bërthamor të Britanisë, i cili përbëhet nga raketa të mbajtura në një numër të vogël nëndetësesh. Detajet e këtyre planeve ka të ngjarë të mbahen sekret.

Qeveria gjithashtu do të rrisë rezervat e armëve konvencionale të Britanisë me deri në 7,000 armë me rreze të gjatë veprimi të prodhuara në Mbretërinë e Bashkuar.

Sekretari i Mbrojtjes, John Healey, ka thënë se ndryshimet do t'i dërgojnë "një mesazh Moskës" dhe do të transformojnë ushtrinë e vendit pas dekadash shkurtimesh, megjithëse ai ka deklaruar se nuk pret që numri i ushtarëve, aktualisht në nivelin më të ulët në dy shekuj, të rritet deri në fillim të viteve 2030.

Healey ka thënë se planet për shpenzimet e mbrojtjes deri në 2.5% të të ardhurave kombëtare deri në vitin 2027 janë "në rrugën e duhur" dhe se nuk ka "asnjë dyshim" se do të arrijnë 3% para vitit 2034.

Mirëpo edhe 3% është nën atë që disa udhëheqës në NATO mendojnë se është e nevojshme për të penguar Rusinë nga sulmet e ardhshme ndaj fqinjëve të saj. Shefi i NATO-s, Mark Rutte, thotë se udhëheqësit e 32 vendeve anëtare do të debatojnë një angazhim për të shpenzuar të paktën 3.5% të PBB-së për mbrojtjen kur të takohen në Holandë këtë muaj.

Ky është gjithashtu një mesazh për Trumpin se Evropa po i kushton vëmendje kërkesës së tij që anëtarët e NATO-s të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen e tyre.