Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka njoftuar për fundin e misionit britanik në Afganistan, pas tërheqjes së shpejtë dhe sekrete të trupave të mbetura, 20 vjet pas pushtimit të Afganistanit që nisi si betejë kundër terrorizmit.
Kryeministri britanik ka thënë se intervenimi, gjatë të cilit humbën jetën 357 ushtarë britanikë, do të përfundojë edhe nëse talebanët e marrin kontrollin mbi territorin.
Me gjithë tërheqjen e forcave ndërkombëtare, udhëheqësit ushtarakë të Britanisë kanë thënë se ushtria afgane ka nisur të rigrupohet për të mbrojtur zonat urbane nga talebanët.
Kontingjenti prej 750 ushtarësh është larguar në heshtje nga Afganistani, vetëm pak kohë pas njoftimit të presidentit amerikan, Joe Biden, për tërheqjen e 2 mijë e 500 ushtarëve të mbetur të vendit.
Kritikët kanë thënë se tërheqja e shpejtë dhe e fshehtë përbën fyerje për veteranët, të cilëve u është mohuar një largim i ndershëm.
Burimet nga qarqet e Mbrojtjes kanë thënë se tërheqja e fshehtë dhe e shpejtë është realizuar me kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.