Tërheqja e trupave ushtarake amerikane nga Afganistani ka nisur edhe zyrtarisht, është bërë e ditur nga Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarë të mbrojtjes amerikane.
“Tërheqja është duke ndodhur”, ka thënë zëvendëssekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
“Derisa këto veprime fillimisht do të rezultojnë në rritjen e niveleve të forcave, ne mbetemi të përkushtuar që të kemi të gjithë personelin ushtarak jashtë Afganistanit, deri në shtator”, ka shtuar Jean-Pierre.
Më pak se 100 trupa, bashkë me pajisjet ushtarake, janë larguar nga Afganistani deri më tani, si pjesë e ekzekutimit të urdhrit të presidentit Joe Biden, për të nisur procesin e tërheqjes jo më larg se deri më 1 maj të këtij viti.
Në mesin e atyre që do të largohen do të jenë edhe kontraktues dhe punonjës të qeverisë amerikane.
Rreth 2.500 trupa ushtarake amerikane kanë qenë të vendosura në Afganistan e po ashtu edhe qindra forca të tjera shtesë. Të gjithë këta do të largohen si pjesë e planit të Bidenit.
Zyrtarë të NATO-s i kanë thënë CNN-it se aleatët e NATO-s kanë nisur po ashtu tërheqjen e trupave dhe se ata e kanë në plan që të largohen në tërësi brenda pak muajsh.