Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar tërheqjen e forcave të tyre nga Afganistani.
Lajmi është konfirmuar nga Pentagoni. Fluturimi i fundit i forcave amerikane nga aeroporti i Kabulit të hënën në mbrëmje shënon fundin e luftës më të gjatë të SHBA-së, pas plot 20 vjetësh.
Gjenerali amerikan, Frank McKenzie, tha se SHBA evakuoi pothuajse 80,000 civilë nga Kabuli në javët e fundit. Kjo shifër përfshin edhe 6,000 civilë amerikanë.
"Çdo pjesëtar i shërbimit amerikan tani është jashtë Afganistanit", tha gjenerali amerikan.
Evakuimi përfundimtar i forcave të SHBA-së, atyre të vendeve aleate dhe civilëve afganë ka qenë kaotik.
Edhe
Afganistani dhe Pakistani bien dakord për armëpushim të menjëhershëm
Javën e kaluar ndodhi një sulm vetëvrasës nga militantët e Shtetit Islamik Khorasan jashtë aeroportit të Kabulit që la të vrarë rreth 170 afganë dhe 13 trupa amerikane.
Disa raketa u hodhën drejt aeroportit të Kabulit mëngjesin e së hënës.
Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve Reuters se pesë raketa u lëshuan në aeroport, porse u penguan nga sistemi i mbrojtjes raketore.
Grupi militant Shteti Islamik tha se merr përgjegjësinë për hedhjen e gjashtë raketave.
Nuk është e qartë nëse të gjitha raketat u shkatërruan, pasi banorët lokalë raportuan për rënien e disa copave në rrugë.
Të dielën, ushtria amerikane tha se një sulm i saj me dron mbi një automjet në Kabul ka parandaluar një sulm të grupit militant Shteti Islamik Khorasan (ISIS-K), që kishte në shënjestër njerëzit e tubuar në aeroportin e kryeqytetit.
Mbi 122,000 njerëz deri tani janë evakuuar nga forcat e koalicionit që nga 14 gushti një ditë para se talibanët të marrin kontrollin e Kabulit.
Në bazë të një marrëveshjeje mes talibanëve dhe Shteteve të Bashkuara të arritur në fillim të vitit 2020, për tërheqjen e forcave të huaja nga Afganistani, pas 20 vjetësh të operacioneve atje, talibanët ishin zotuar se nuk do të lejojnë që territori afgan të përdoret nga grupet terroriste.
Edhe
SHBA-ja tërheq komplet forcat e saj nga Iraku në shtator
Gjenerali McKenzie tha se ende ka rreth 2,000 luftëtarë të IS -it në Afganistan.
Sipas tij, talibanët kanë liruar militantët e IS-it nga burgjet prandaj do të "korrin atë që kanë mbjellë".
"Talibanët do t'i kenë duart plot me ISIS-K", tha ai.
Afati përfundimtar për tërheqjen e plotë të forcave të huaja ishte nesër 31 gusht, një afat ky i vendosur nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden.
Presidenti Biden ka qenë nën presion nga vendet aleate për të shtyrë afatin e evakuimit mirëpo ai kishte kundërshtuar duke thënë se ekziston rreziku nëse forcat amerikane vazhdojnë të qëndrojnë në terren.
SHBA-ja dhe forcat aleate janë futur në Afganistan në vitin 2001, pas sulmeve terroriste të Al Kaidës në SHBA, më 11 shtator, 2001.
Gjithsej 2,461 pjesëtarë të shërbimit amerikan u vranë në Afganistan dhe më shumë se 20,000 u plagosën, në dy dekadat e fundit.
Uashingtoni ka shpenzuar më shumë se 1 trilion dollarë në këtë luftë.
Edhe
Dhjetëra të vrarë nga sulmet e Pakistanit në Afganistan
Më herët Biden ka thënë se ushtria amerikane ka "arritur" qëllimet e saj në këtë vend për të mposhtur Al-Kaidën dhe për të parandaluar më shumë sulme mbi Shtetet e Bashkuara.
Të hënën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë përmes së cilës u bëhet thirrje talibanëve të sigurojnë dalje të sigurt për njerëzit që përpiqen të largohen nga Afganistani. (REL)