Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Johnsoni pritet t’i kërkojë Bidenit shtyrjen e tërheqjes së trupave amerikane në Afganistan

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson pritet të kërkojë nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, që t’i mbajë forcat amerikane në Afganistan edhe pas 31 gushtit, në mënyrë që fluturimet e evakuimit të mos ndalen.

Johnsoni pritet ta bëjë këtë kërkesë, gjatë një takimi urgjent të liderëve botërorë të G7-ës që pritet të zhvillohet të martën.

Mijëra njerëz janë duke u grumbulluar çdo ditë jashtë aeroportit të Kabulit për të ikur, pasi talibanët morën Afganistanin në duar.

Ndërkohë, SHBA-ja i ka vënë vetes synimin që deri në fund të këtij muaji, t’i largojë të gjitha trupat e saj ushtarake nga ky vend.

Vetë presidenti Biden ka deklaruar se është diskutuar mundësia që të shtyhet koha e tërheqjes së trupave amerikane, duke shtuar se shpreson që të mos ketë nevojë për një gjë të tillë.

Edhe Britania nuk beson që do të shtyhet afati i evakuimit nga Afganistani Botë Britania nuk beson që do të shtyhet afati i evakuimit nga Afganistani

Bideni ka deklaruar se trupat amerikane kanë zgjeruar perimetrin rreth Aeroportit Ndërkombëtar “Hamid Karzai” në Kabul, si pjesë të përpjekjeve për të përshpejtuar evakuimet.

Ndërkaq, qeveria britanike ka bërë të ditur se nuk ka caktuar ndonjë datë të saktë për tërheqjen e trupave të saj, duke shprehur shqetësimet se pa ndihmën e trupave amerikane, sigurimi i zonës së evakuimit do të jetë i vështirë.