Botë

Bota reagon për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II

Liderë e figura të rëndësishme botërore kanë reaguar pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II, të enjten mbrëma. Mbretëresha Elizabeth II e Mbretërisë së Bashkuar ka vdekur në moshën 96-vjeçare, pas 70 vjetësh sundimi, ka njoftuar Pallati Mbretëror. Të enjten gjatë ditës u njoftua për gjendjen e rënduar shëndetësore. Mbretëresha erdhi në fron në vitin 1952. Me vdekjen e saj, i biri më i madh, Charlesi, do ta udhëheqë vendin si Mbreti i ri dhe si lider i 14 shteteve nën monarki.

22:49 - Johnson: Kjo është dita më e trishtë për vendin

Vetëm disa ditë pasi takoi Mbretëreshën Elizabeth ll, për të dhënë dorëheqjen si kryeministër, Boris Johnson, ka thënë se e enjtja është dita më e trishtë për Britaninë.

Ai ka thënë se monarkja ka pasur një fuqi unike dhe ka arritur shumë lehtë t’i bëjë të lumtur.

"Kjo është arsyeja pse ne e donim atë”, ka shtuar ai, raportoi BBC-ja.

Johnsoni ka thënë se trashëgimtari i Elizabeth ll, Mbreti Charles lll, do të vazhdojë ta ndjekë rrugën e saj.


21:55 - Trudeau: Shërbimi i mbretëreshës për kanadezët, pjesë e rëndësishme e historisë së vendit

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, ka thënë se Mbretëresha Elizabeth ll ishte një nga njerëzit e tij të preferuar në botë.

Pas vdekjes së mbretëreshës 96 vjeçare të Mbretërisë së Bashkuar, Trudeau ka thënë se shërbimi i saj për kanadezët do të zë vend gjithmonë në historinë e vendit.

“Ajo kishte një prani të vazhdueshme në jetën tonë dhe shërbimi i saj për kanadezët do të mbetet përgjithmonë një pjesë e rëndësishme e historisë së vendit tonë. Do të më mungojë shumë”, ka thënë Trudeau, shkruan BBC-ja. 

 


21:50 - Scholz: Mbretëresha Elizabeth ll, model dhe frymëzim për miliona njerëz

Ndërkohë, kancelari gjerman, Olaf Scholz e ka përshkruar Mbretëreshën Elizabeth ll, e cila vdiq të enjten në moshën 96-vjeçare, si model dhe frymëzim për miliona njerëz.

Ai vlerësoi rolin e saj në rregullimin e marrëdhënieve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore.

“Po aq sa ajo, do të na mungojë humori i saj i mrekullueshëm”, ka thënë Scholz, raportoi BBC-ja.


21:08 - Obama: Jam dëshmitar i shërbimit të palodhur të Mbretëreshës Elizabeth ll

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ka shprehur ngushëllimet e tij dhe të bashkëshortes, Michelle, për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth ll, e cila vdiq të enjten mbrëma në moshën 96-vjeçare.

Nëpërmjet një komunikate të lëshuar në Twitter, Obama ka thënë se është dëshmitar i udhëheqjes së përkushtuar të mbretëreshës.

Ai është shprehur se shërbimi i saj i palodhur dhe dinjitoz publik do të mbahet mend.

“Si shumë prej jush, Michelle dhe unë jemi mirënjohës që kemi qenë dëshmitarë të udhëheqjes së përkushtuar të Madhërisë së Saj dhe jemi të mahnitur nga trashëgimia e saj e shërbimit të palodhur dhe dinjitoz publik. Mendimet tona janë me familjen e saj dhe popullin e Mbretërisë së Bashkuar në këtë kohë të vështirë”, ka shkruar Obama.

 


21:00 - Shtëpia e Bardhë: Mbretëresha Elizabeth ll përcaktoi një epokë, ishte më shumë se monarke

Shtëpia e Bardhë ka reaguar pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth ll të enjten mbrëma.

Në komunikatën e lëshuar nga Uashingtoni, në emër të presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe zonjës së parë, Jill, thuhet se Mbretëresha ishte më shumë se një monarke dhe se ajo përcaktoi një epokë.

“Shtatë dekadat e mbretërimit të saj historik dëshmuan një epokë përparimi të paparë njerëzor. Ajo ishte monarkja e parë britanike me të cilën njerëzit anembanë botës mund të ndjenin një lidhje personale, pasi ajo u kushtoi jetën e saj shërbimit ndaj tyre”, thuhet në deklaratë.

Më tej është thënë se Mbretëresha ka qenë një burrështetase me dinjitet dhe qëndrueshmëri të pakrahasueshme, gjë që e ka thelluar edhe më shumë aleancën midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Tani e tutje, mezi presim të vazhdojmë miqësinë e ngushtë me mbretin e ri.

“Sot, mendimet dhe lutjet e njerëzve në mbarë Shtetet e Bashkuara janë me popullin e Mbretërisë së Bashkuar. I dërgojmë ngushëllimet tona më të thella Familjes Mbretërore, e cila jo vetëm po mban zi për Mbretëreshën e tyre, por edhe nënën, gjyshen dhe stërgjyshen e tyre të dashur. Trashëgimia e saj do të duket e madhe në faqet e historisë britanike dhe në historinë e botës sonë”, thuhet më tej në kumtesë.


20:37 - Clinton: Jemi falënderues për veprën e jashtëzakonshme të Mbretëreshës Elizabeth ll

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth ll të enjten në moshën 96 vjeçare.

Nëpërmjet një komunikate të lëshuar në Twitter, Clinton ka thënë se ai bashkë me gruan, Hillary, ndjejnë keqardhje për vdekjen e mbretëreshës dhe se qëndrojmë me njerëzit e Mbretërisë së Bashkuar, duke falënderuar për “veprën e saj të jashtëzakonshme”.

Clinton ka thënë se përgjatë mbretërimit të saj 70-vjeçar, Mbretëresha ka bërë një transformim të madh në dinjitetin dhe kujdesin e madh për njerëzit e vendit të saj.

“Mendimet dhe lutjet tona janë me Familjen Mbretërore dhe gjithë njerëzit përreth që Madhëria e s Saj i ka inspiruar përgjatë shërbimit të saj 70-vjeçar”, ka shkruar Clinton.

 

 


20:20 - Të martën u emërua kryeministre nga Mbretëresha, Truss reagon pas vdekjes së saj

Kryeministrja e re e Britanisë së Madhe, e cila u emërua nga Mbretëresha Elizabeth ll të martën, ka reaguar pas vdekjes së saj.

Truss tha se mbretëresha i ka dhënë vendit stabilitetin dhe forcën që i nevojitej, raportoi BBC-ja.

“Sot Kurora i kalon, siç ka ndodhur për më shumë se një mijë vjet, monarkut tonë të ri, kreut tonë të ri të shtetit, Madhërisë së Tij, Mbretit Charles III. Me familjen e Mbretit ne vajtojmë humbjen e nënës së tij dhe qëndrojmë bashkë për t’i ofruar atij besnikërinë dhe përkushtimin tonë, ashtu si nëna e tij na ka kushtuar kaq shumë për kaq shumë kohë”, ka thënë Truss që e përfundoi fjalën e saj duke uruar për shëndetin e mbretit.

 


20:04 - Edi Rama: Lamtumirë Mbretëreshë

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas vdekjes së Mbretëreshës së Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeth ll.

Me një foto të saj të publikuar në Faebook, Rama i ka dhënë lamtumirën duke thënë “Lamtumirë Mbretëreshë”.

Mbretëresha Elizabeth ll vdiq në moshën 96 vjeçare, ndërsa frontin mbretëror e mbajti për 70 vjet, që nga 1952-ta.

 


19:58 - Zelensky i shpreh ngushëllime Familjes Mbretërore për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth ll

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth ll.

Ai ka shprehur ngushëllime për familjen mbretërore dhe gjithë popullin britanik.

“Me pikëllim të thellë mësuam për vdekjen e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeth ll. Në emër të popullit të Ukrainës i shprehim ngushëllime të sinqerta Familjes Mbretërore dhe të gjithëve në Mbretërinë e Bashkuar për këtë humbje. Lutjet tona janë me ju”, ka shkruar Zelensky nw Twitter.

 


19:45 - Emmanuel Macron: Mbretëresha do të mbahet mend si mikeshë e Francës

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është ndër liderët e parë ndërkombëtarë që reagoi pas vdekjes së mbretëreshës.

Ai postoi një fotografi të mbretëreshës në rrjetin social Twitter, e më pas edhe një përshkrim, ku tha se ajo do të mbahet mend si mikeshë e Francës.

“Madhëria e saj, Mbretëresha Elizabeth II mishëroi vazhdimësinë dhe unitetin e kombit britanik për më shumë se 70 vjet. Mbaj kujtimin e një shoqeje të Francës, një mbretëreshë zemrash që shënoi përgjithmonë vendin dhe shekullin e saj”, ka shkruar Macron.

 


19:50 - Kombet e Bashkuara: Udhëheqja e Mbretëreshës Elizabeth ll është admiruar në mbarë botën

Pas Macronit, ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Ai është shprehur i pikëlluar për vdekjen e mbretëreshës, për të cilën tha se është admiruar në mbarë botën për udhëheqjen dhe përkushtimin e saj.

“Përkushtimi i saj i palëkundur dhe i përjetshëm i saj, do të mbahet mend gjatë”, ka shkruar Guterres në Twitter.