Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ishte personazhi kryesor në ngjarjet më të mëdha në vitin 2025. Me ndërmjetësimin e tij u arrit armëpushimi Izrael – Hamas, ndërsa ai i ka intensifikuar përpjekjet për arritjen e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës. Por, Trump gjatë vitit u përkujdes edhe për t’i shkundur tregjet botërore me vendosje të tarifave
Dora e presidentit amerikan Donald Trump ishte në shumicën e ngjarjeve më të mëdha në botë gjatë vitit 2025. Ndikimi i tij i madh është vërejtur që me vendimet e para të mandatit të dytë që ka nisur më 20 janar, përpjekjet dhe presionin e vazhdueshëm për fundin e luftërave në Gazë e Ukrainë, e deri te takimet historike e madje edhe të tensionuara me disa prej liderëve më aktualë në skenën ndërkombëtare. Çështja e Ukrainës, të cilën besonte se mund ta zgjidhte për 24 orë, i ka dalë të jetë problemi më i madh.
Arritja e armëpushimit në Gazë
Ngjarja kryesore që nisi vitin 2025 ishte arritja e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në luftën e Gazës, i cili hyri në fuqi më 19 janar. Palët ranë dakord t’i ndalojnë luftimet pas 15 muajsh lufte teksa shtysa kryesore për këtë u bë presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili ende pa e marrë zyrtarisht mandatin e dytë, kërkoi ndaljen e luftimeve para se ai të inaugurohej, duke kërcënuar me “ferr” për Lindjen e Mesme.

Inaugurimi i Trumpit dhe 200 urdhrat e parë
Donald Trumpi ka bërë betimin e tij të dytë si president i SHBA-së, më 20 janar. Që në ditët e para të mandatit të tij të dytë, Trumpi tronditi të gjithë duke nënshkruar rreth 200 urdhra ekzekutivë për çështje të ndryshme, filluar nga imigracioni, klima e deri te faljet për të akuzuarit për sulmin në Kapitol. Ndër urdhrat e parë ishin ata për shpalljen e emergjencës kombëtare në kufirin jugor me Meksikën, si dhe ai për t’i dhënë fund shtetësisë automatike për këdo që lind në Amerikë. Një nga vendimet që ka ngjallur reagim ndërkombëtar, ishte ai për tërheqje nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Trumpi po ashtu ka urdhëruar ushtrinë që t’i “mbyllë kufijtë”, ndërsa ka përmendur trafikimin e drogës, kontrabandën e qenieve njerëzore si dhe krime të tjera që ndërlidhen me kalimin ilegal të kufijve. SHBA-ja nën administratën “Trump 2” do të njohë vetëm “dy gjini, mashkull dhe femër”. Në grupin e parë të direktivave të nënshkruara nga Trumpi, përfshihet edhe tërheqja nga Marrëveshja e Parisit për klimën. Trumpi u tërhoq për herë të parë nga Marrëveshja e Parisit në vitin 2017, përpara se Joe Bideni ta rikthente SHBA-në në të në 2021-tën.
Zbulimi tronditës në Siri pas rënies së Assadit
Mbetjet mortore të dhjetëra viktimave të regjimit të Bashar al-Assadit janë gjetur në fund të janarit nga punonjësit e mbrojtjes civile siriane, në dy bodrume të ndryshme në një vend në periferi të Damaskut të Sirisë. Që nga rënia e qeverisë së Assadit në dhjetor 2024, janë gjetur disa varre masive. Qeveria e Assadit, e cila sundoi Sirinë për më shumë se dy dekada, përdori sulme ajrore në zonat civile, tortura, ekzekutime dhe burgosje masive, për ta mbajtur kontrollin mbi Sirinë dhe për t’i shtypur grupet opozitare gjatë luftës civile 13-vjeçare të vendit. Rënia e Assadit më 8 dhjetor nxiti qindra familje të vrapojnë drejt burgjeve dhe morgëve në kërkim të dëshpëruar për njerëzit e dashur.
Nisja e bisedimeve SHBA-Rusi për Ukrainën, pa Ukrainën
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka tronditur diplomacinë ndërkombëtare në fund të muajit shkurt, duke çuar zyrtarë të lartë amerikanë në takim me disa prej zyrtarëve më të lartë rusë, në Arabinë Saudite. Në bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë nuk ishte e ftuar vetë Ukraina. Asnjë zyrtar ukrainas nuk ishte i pranishëm në takim, i cili ndodhi teksa vendi po humbte terren kundër trupave më të shumta ruse, në një luftë të rëndë që ka nisur tre vjet më parë. Tensionet lindën mes presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe Trumpit pas takimit SHBA-Rusi.

Takimi rrëqethës Trump-Zelensky
Me tensione të pazakonta është përcjellë takimi mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky, më 28 shkurt në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë takimit Zelensky kishte planifikuar të nënshkruante marrëveshje të rëndësishme me SHBA-në. Por në vend të kësaj, lideri i Ukrainës doli nga Shtëpia e Bardhë i përzënë. Tensionet u shfaqën në 10 minutat e fundit të takimit gati 45-minutësh. Presidenti Trump dhe zëvendësi i tij JD Vance e akuzuan Zelenskyn se është mosmirënjohës e jofalënderues për ndihmat e ofruara nga SHBA-ja për luftën e Ukrainës. Kur udhëheqësi ukrainas paraqiti skepticizëm ndaj çdo premtimi të Putinit për t'i dhënë fund luftës, Vance e qortoi fuqishëm për shfaqjen e mosmarrëveshjeve me Trumpin në publik. Kjo ndryshoi menjëherë thelbin e bisedës teksa Zelensky nisi të mbrohej ndërkaq Trumpi dhe zëvendësi i tij e quajtën atë mosmirënjohës dhe lëshuan paralajmërime të rrepta për mbështetjen e ardhshme amerikane.

CDU fiton zgjedhjet në Gjermani, e djathta ekstreme dyfishohet
CDU-ja doli e para në zgjedhjet e parakohshme nacionale në Gjermani, të mbajtura më 23 shkurt. E partia e ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë” ka dyfishuar mbështetjen duke dalë e dyta. Befasia e këtyre zgjedhjeve ka qenë rezultati i lartë i partisë “Alternativa për Gjermaninë” e ekstremit të djathtë, e cila ka dalë e dyta me 20,8% të votave. E formuar si reagim kundër politikave të Eurozonës në vitin 2013, AfD-ja ishte mësuar të ishte në periferi të politikës gjermane, në një vend të dëmtuar prej të kaluarës naziste, ku çdo parti e ekstremit të djathtë është trajtuar me kujdes. E kreu i CDU-së, Friedrich Merz, u bë kancelar i ri i Gjermanisë në fillim të majit.
Rikthimi i luftës në Gazë
Izraeli riktheu sulmet në Gazë më 18 mars. Armëpushimi ra pas mosmarrëveshjeve të shfaqura mes Izraelit dhe Hamasit lidhur me kthimin e pengjeve. Sulmet u rikthyen si formë presioni ndaj Hamasit i cili nuk kishte pranuar zgjatje të fazës së parë të armëpushimit. Banorëve të Rripit të Gazës u kishte mbaruar qetësia e shkurtër që gëzuan, madje edhe në gërmadhat e shtëpive të shkatërruara nga lufta që nisi në tetor të vitit 2023. Vetëm në ditën e parë të rifillimit të sulmeve mbetën të vdekur më shumë se 400 palestinezë, një nga ditët më vdekjeprurëse të luftës.
Arrestohet rivali kryesor i Erdoganit
Pak ditë para se të shpallej kandidat i partisë më të madhe opozitare për president të Turqisë, më 19 mars autoritetet e kanë arrestuar kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem Imamoglu. Imamoglu është rivali kyç i presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe shihej si fitues potencial i zgjedhjeve presidenciale që pritet të mbahen në vitin 2028. Zyra e Prokurorit të Stambollit ka thënë se arrestimi është bërë si pjesë e hetimeve për korrupsion dhe bashkëpunim me një organizatë të cilën Turqia e konsideron terroriste. Ndalimi i Imamoglut ka nxitur protesta në Stamboll, ku mijëra qytetarë dolën në rrugë për ta kundërshtuar veprimin.

Trumpi “ndez luftën tregtare”
Presidenti amerikan, Donald Trump, bëri një tronditje globale, kur më 3 prill shpalli tarifat e reja për importet amerikane. Duke e quajtur atë “Dita e Çlirimit” për Amerikën, Trumpi ka thënë se po vihej në radhë të parë interesi i popullit të tij. Tarifat kanë shkaktuar turbulenca në tregjet botërore dhe kanë nxitur dënimin nga liderët e tjerë që po përballen me fundin e një epoke të liberalizimit të tregtisë që ka formësuar rendin global për dekada. Trumpi kishte argumentuar se taksat e reja do të rrisnin prodhimin vendor në SHBA dhe po ashtu vendet e punës.
Vdekja e Papa Françeskut
Papa Françesku vdiq më 21 prill pasi kishte pësuar sulm në tru. Presidentë, anëtarë të familjeve mbretërore dhe qytetarë të shumtë i kanë dhënë lamtumirën atij në një ceremoni solemne gjatë të cilës, u bë thirrje që trashëgimia e Papës për kujdesin për emigrantët, të shtypurit dhe mjedisin të mbahej gjallë. Papa argjentinas, i cili udhëhoqi për 12 vjet, vdiq në moshën 88-vjeçare. Papa i parë nga Amerika Latine kishte bërë thirrje vazhdimisht për t'u dhënë fund konflikteve gjatë papatit të tij. Françesku, i cili ka shmangur shumë nga madhështia dhe privilegji i papatit, kishte kërkuar që të varrosej në Bazilikën e Shën Mërisë dhe jo në atë të Shën Pjetrit. Ishte hera e parë që një papë u varros jashtë Vatikanit në më shumë se një shekull.
Zgjedhja e papës së ri
Më shumë se 130 kardinalë arritën që më 8 maj ta zgjedhin papën e ri, në ditën e dytë të konklavës në Vatikan. Amerikani Robert Prevost u zgjodh papa i ri. Ai do të njihet si Papa Leoni XIV. Prejardhja dhe ideologjitë e tij kanë ngritur pikëpyetje në mesin e teologëve dhe akademikëve. I lindur në Çikago, Robert Prevost, është zgjedhur si papa i 267-të, duke kapërcyer shmangien tradicionale të zgjedhjes së një pape nga Shtetet e Bashkuara.

Takimi historik i Trumpit me liderin e Sirisë
Një takim historik ka ndodhur më 14 maj në Riad të Arabisë Saudite. Presidenti amerikan, Donald Trump, është përballur sy më sy me presidentin e përkohshëm të Sirisë, Ahmed al-Sharaa. Qe takimi i parë mes liderëve të të dy vendeve, që prej vitit 2000. Një ditë para takimit, Trumpi, gjatë një fjalimi në Riad, në kuadër të turneut të tij katërditor në Lindjen e Mesme, njoftoi mbi vendimin për heqjen e sanksioneve rreth 40-vjeçare ndaj Sirisë. E presidentin Sharaa, personin për të cilin deri një vit më parë SHBA-ja ofronte 10 milionë dollarë për shkak të lidhjeve të tij në të kaluarën me Al-Qaedan, Trumpi e ka quajtur një djalë atraktiv dhe me të kaluar prej luftëtari.

Rrëzimi i aeroplanit në Indi pak pas ngritjes
Një avion pasagjerësh “Boeing 787” u rrëzua në Indi më 12 qershor, pak minuta pas ngritjes, me mbi 240 persona në bord. Avioni u rrëzua në qytetin veriperëndimor të Ahmedabad teksa vetëm një person ka arritur të mbijetojë. Një pjesë e aeroplanit ka rënë mbi një kolegj mjekësor në Ahmedabad, duke çuar numrin e të vdekurve në total në 270. Ky ishte rrëzimi i parë fatal qëkur aeroplani, i njohur edhe si Dreamliner, hyri në shërbim në vitin 2009, sipas bazës së të dhënave të Rrjetit të Sigurisë së Aviacionit.

SHBA-ja sulmon Iranin
Presidenti amerikan Donald Trump, i cili nuk është përballur me ndonjë krizë të madhe ndërkombëtare në mandatin e tij të parë, u përfshi në një të tillë vetëm gjashtë muaj pas fillimit të mandatit të tij të dytë. Më 21 qershor ai dha dritën e gjelbër që SHBA-ja ta godasë Iranin, duke u përfshirë në luftën Izrael-Iran. Miratimi është dhënë pasi më shumë se një javë sulmesh ajrore izraelite ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake të Iranit, kanë hapur rrugën që SHBA-ja të jepte goditjen potencialisht vendimtare. SHBA-ja ka goditur të shtunën e 21 qershorit tri objekte bërthamore iraniane: Fordoë, Natanz dhe Esfahan.
Takimi historik Trump-Putin
Samiti i shumëpritur dhe i shumëpërfolur mes presidentit amerikan Donald Trumpit dhe atij rus Vladimir Putinit më 16 gusht në Alaska nuk solli paqe në Ukrainë. Dy presidentët vlerësuan njëri-tjetrin dhe e quajtën takimin të suksesshëm, por nuk dhanë asnjë detaj se çka diskutuan për Ukrainën në takimin dyorësh. Trumpi e priti Putinin në një tepih të kuq të shtruar në pistën e bazës së përbashkët Elmendorf-Richardson. Të dy udhëheqësit shtrënguan duart me ngrohtësi dhe buzëqeshën. Ishte një moment i jashtëzakonshëm për Putinin - një udhëheqës i shmangur nga shumica e vendeve perëndimore që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 2022.
Plani i Trumpit i jep fund luftës në Gazë
Pak ditë para se të shënoheshin plot 2 vjet që kur kishte nisur lufta në Gazë, Izraeli dhe Hamasi iu përgjigjën pozitivisht një plani 20-pikësh të presidentit amerikan, Donald Trump për armëpushim. Sipas planit të Trumpit për paqe në Gazë, i cili hyri në fuqi më 10 tetor, Hamasi do të lironte 48 pengjet e mbetura, rreth 20 prej të cilëve ishin gjallë, brenda tri ditësh. Gjithashtu do të hiqte dorë nga pushteti dhe do të çarmatosej. Në këmbim Izraeli do të ndalonte ofensivën e tij dhe do të tërhiqej nga pjesa më e madhe e Gazës, do të lironte qindra të burgosur palestinezë dhe do të lejonte një fluks ndihmash humanitare dhe rindërtim përfundimtar. Deri më tani, as faza e parë nuk është përmbyllur pasi ka mbetur edhe një trup pengu izraelit pa u kthyer nga Hamasi.
Takimi Trump - Xi
Një takim mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij kinez, Xi Jinping, më 30 nëntor në Kore të Jugut duket se ka shtensionuar pak marrëdhëniet, sidomos ato tregtare, mes dy vendeve. Mirëpo, përveç disa marrëveshjeve bazë, problemet rrënjësore të tensioneve tregtare nuk janë zgjidhur. Në bisedime munguan çështjet e mëdha të përmendura nga Trumpi kur ai shpalli tarifat e tij në prill - politikat industriale të Kinës, mbikapaciteti i prodhimit dhe modeli i saj i rritjes i udhëhequr nga eksporti. Por presidenti amerikan doli nga takimi i entuziazmuar, teksa njoftoi më pas se tarifat mbi importet kineze do të uleshin në 47% nga rreth 57%. Ai tha se Xi do të punojë shumë fort për të ndaluar rrjedhën e kimikateve të përdorura për prodhimin e opioidit vdekjeprurës që është shkaku kryesor i vdekjeve nga mbidoza në Amerikë.
Plani 28-pikësh i Trumpit për Ukrainën
Në javën e fundit të muajit nëntor, në media ka qarkulluar një plan të hartuar nga administrata Trump me të cilin synohet t’i jepet fund luftës në mes të Ukrainës dhe Rusisë. Sipas raportimeve, draftpropozimi i ri parasheh që Kievi të heqë dorë nga një pjesë e territorit e t’i zvogëlojë kapacitetet ushtarake. Plani 28-pikësh ka ngjallur reagimet e ukrainasve dhe evropianëve, pasi forma e tij fillestare konsiderohej se ishte në favor të kërkesave të Rusisë. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se plani ende po përpilohet dhe se çfarëdo marrëveshje përfundimtare duhet të përfshijë lëshime nga të dyja palët, jo vetëm nga Ukraina. Disa runde takimesh janë zhvilluar deri më tani ndërmjet të dërguarve të Trumpit dhe palëve ukrainase e ruse, mirëpo nuk ka përparim të dukshëm. Ukraina bashkë me aleatët evropianë kanë përgatitur së fundmi një plan të ri, i cili sipas Zelenskyt, parasheh mundësinë e tërheqjes së trupave ukrainase nga rajoni lindor, me kushtin që të mbetet zonë e çmilitarizuar dhe e lirë ekonomike, nën mbikëqyrje ndërkombëtare.
Putini refuzon kompromisin për Ukrainën
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë një sinjal të qartë në dhjetor se nuk do të bëjë kompromis me kërkesat e tij që Ukraina të lëshojë territor, pavarësisht përpjekjeve intensive të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për paqe. Në një fjalim të ashpër gjatë një takimi vjetor, Putini sulmoi aleatët evropianë të Ukrainës dhe tha se Rusia do të merrte territor edhe me forcë nëse është e nevojshme. Çështja e territorit si dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën po rezultojnë të jenë pjesët më të vështira për t’u zgjidhur gjatë bisedimeve të paqes. Rusia ka aneksuar në mënyrë të paligjshme rajonin Donbas të Ukrainës, por nuk e ka pushtuar plotësisht. Më 15 dhjetor, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se Kievi nuk do ta njohë pjesën e pushtuar përkohësisht të rajonit lindor të Donbasit si ligjërisht, ose de facto, ruse.
Takimi i “progresit” mes Trumpit e Zelenskyt
Donald Trumpi dhe Volodymyr Zelensky kanë thënë se ishte bërë përparim për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë gjatë një takimi të fundit në Florida më 28 dhjetor, por udhëheqësi amerikan ka shtuar se megjithatë kanë mbetur edhe “një ose dy çështje shumë të vështira për t’u zgjidhur”. Trumpi ka thënë se një pikë ngërçi është çështja e territorit. Një ditë pas takimit, Zelensky u ka thënë gazetarëve se kishte kërkuar garanci sigurie nga SHBA-ja për 50 vjet, teksa sipas tij, plani amerikan i paqes parasheh garanci sigurie vetëm për 15 vjet.