Bora mbuloi pjesë të verilindjes së Turqisë të premten, ndërkohë që rajone të tjera të vendit po përballen me një numër në rritje të zjarreve në natyrë shkaku i nxehtësisë.
Sipas ekspertëve, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktivitetet njerëzore po sjellin gjithnjë e më shpesh dukuri ekstreme të motit – nga thatësirat dhe valët e të nxehtit, deri te breshëri dhe reshjet e pazakonta të borës.
Temperaturat ranë ndjeshëm në zonat malore përreth qytetit Rize, në bregun verilindor të Detit të Zi, rreth 120 kilometra larg kufirit me Gjeorgjinë. Gencaga Karafazlioglu, një gazetar nga Rize, ka thënë se nuk kishte parë kurrë borë në muajin korrik, shkruan “France24”.
“Në Rize jemi mësuar me anomali të motit. Kemi parë borë disa herë në mars, por kurrë kaq shumë. Gjeneratat e vjetra thonë se kanë parë borë në korrik para 30 ose 40 vjetësh, por jo në këtë masë”, u shpreh ai.
Në Ovit Yaylasi, një fushë malore rreth 2,500 metra mbi nivelin e detit, fushat ishin mbuluar me borë, siç tregojnë pamjet në rrjete sociale. Reshjet e borës përfshinë një zonë të gjerë prej të paktën 100 kilometrash, nga Anzer Yaylasi përmes Parkut Kombëtar të Maleve Kackar dhe më tej.
Ndërkohë, në pjesë të tjera të Turqisë, zjarrfikësit po përballen me të paktën 10 zjarre “të mëdha” në pyje, deklaroi ministri i Pylltarisë, Ibrahim Yumakli, në një konferencë për media.
Ai ka thënë se zjarret në provincën e Izmirit, ku dy persona humbën jetën të enjten dhe temperaturat pritet të arrijnë deri në 40°C në ditët në vijim, janë tashmë kryesisht nën kontroll. Megjithatë, flakët e përhapura nga erërat e forta që rrezikojnë Muglën në jugperëndim dhe Hatayn në jug mbeten shqetësuese.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya, bëri të ditur se janë arrestuar 44 persona në lidhje me këto zjarre, dhe 10 prej tyre janë vendosur në paraburgim. Sipas tij, shumica janë punëtorë ose fermerë që përdornin pajisje bujqësore të cilat kanë shkaktuar shkëndija.