Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bjellorusia kërcënon me ndërprerje të gazit Evropën, blloku shqyrton sanksionet

Udhëheqësi i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka kërcënuar se do të ndërpresë furnizimin me gaz në Evropë nëse vendosen sanksione për një krizë të përshkallëzuar emigrantësh në kufirin e vendit.

Mijëra njerëz ndodhen në kufirin me Poloninë, ku po përballojnë kushtet e ftohta me shpresën për të kaluar në Bashkimin Evropian.

Zyrtarët perëndimorë kanë akuzuar Bjellorusinë për provokimin e krizës për të minuar sigurinë e BE-së, një akuzë që ajo e mohon.

Ndërkohë, BE-ja thuhet se po përgatit një paketë sanksionesh të reja.

"Nëse ata vendosin sanksione shtesë ndaj nesh... ne duhet të përgjigjemi", tha të enjten Lukashenko.

"Ne po ngrohim Evropën dhe ata po na kërcënojnë", shtoi ai, duke iu referuar një gazsjellësi rus që kalon përmes Bjellorusisë dhe drejt BE-së.

"Dhe po sikur të ndalojmë furnizimet me gaz natyror? Unë do të rekomandoja që udhëheqja polake, lituanezët dhe [të tjerët] të mendojnë përpara se të flasin".

Edhe Putin paralajmëron Bjellorusinë për kërcënimin që i bëri BE-së për gazin Botë Putin paralajmëron Bjellorusinë për kërcënimin që i bëri BE-së për gazin

Komentet e tij ngritën shqetësime të reja rreth mungesës së furnizimeve me gaz natyror dhe çmimeve të larta në Evropë.

Komisioneri i ekonomisë i BE-së, Paolo Gentiloni, tha të enjten se blloku "nuk duhet të frikësohet" nga kërcënimet e Lukashenkos. Më shumë sanksione të BE-së ndaj Bjellorusisë mund të vendosen që të hënën, thanë dy diplomatë të paidentifikuar për agjencinë e lajmeve Reuters.

Ata shtuan se aeroporti në kryeqytet, Minsk, mund të sanksionohet në një përpjekje për të ndaluar linjat ajrore ndërkombëtare që transportojnë emigrantë atje.