Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i zemëruar që BE-ja vendosi sanksione mbi regjimin e tij autoritar, pas një goditjeje të ashpër mes mospajtimeve të brendshme, u përgjigj duke thënë se po e humbte kontrollin kundër emigrantëve në kufijtë perëndimorë. Zyrtarët e BE-së e akuzuan atë për përdorimin e emigrantëve si pengje, kurse Lukashenko e mohon këtë duke thënë se Evropa po shkel të drejtat e tyre duke ua mohuar kalimin e sigurt
Sarkawt Ismat, i bllokuar mes ushtarëve polakë dhe bjellorusë, që po përballen në anët e kundërta të kufirit lindor të Bashkimit Evropian, kishte të ftohtë, ishte i uritur e i frikësuar tej mase.
Taksisti 19-vjeçar nga Iraku është në mesin e mijëra njerëzve nga Lindja e Mesme që ka qenë duke provuar të kalojë në BE gjatë muajve të fundit nga një derë e pasme, e cila ishte hapur nga shteti joanëtar i BE-së, Bjellorusia.
Ismat braktisi shtëpinë e tij në Dohuk, vend në rajonin vetëqeverisës kurd në Irak, dy javë më parë pasi e shiti taksinë e tij. Kishte paguar 2 mijë e 600 dollarë te një agjenci vendore e udhëtimeve për biletë në Turqi, hotelin për të qëndruar në Stamboll, një biletë fluturimi për në Minsk dhe tri net për një hotel në kryeqytetin e Bjellorusisë.
Ai kishte shpresuar të futej në Poloni e pastaj të kalonte në Gjermani për t’iu bashkuar vëllait, i cili me sukses kishte arritur ta përfundonte këtë rrugë.
Diku në kufijtë e Polonisë, ëndrrat e tij u shkatërruan. Ai dhe të tjerët në grupin e tij u ndaluan nga trupat bjelloruse, sipas të cilit, ata i rrahën ata dhe u morën ato që i kishin me vete, përfshirë paratë e tij dhe telefonin. Më ditë të tëra grupi kishte ngecur në pyll, duke mos u lejuar të hynin në Poloni apo të ktheheshin në Minsk.
“Kam frikë e dëshiroj të kthehem prapë, por nuk kam asnjë qindarkë,” ka theksuar ai për një intervistë telefonike, me përdorimin e një telefoni të huazuar. “Një poshtërsi e madhe po ndodh këtu”, ka thënë ai.
“Kur u nisa për rrugë më thanë se është shumë e lehtë. Duhen vetëm tri ditë për të shkuar në Evropë”, ka shtuar ai. Kjo nuk i doli ashtu.
Kriza në vendlindje
Për të shumtët e Lindjes së Mesme, të rrëzuar keq nga konflikti dhe pashpresa, vendet e punës dhe stabiliteti në Evropë ishin gjithmonë të lakmueshme dhe të fuqishme. Hyrja legale kishte qenë pothuajse e pamundur me shtrëngimin e masave në kufij nga BE-ja gjatë viteve të fundit. Çdo vit, dhjetëra mijëra përpiqen të hyjnë duke u nisur në rrugë të pasigurta e ndonjëherë këto rrugë janë vdekjeprurëse nga deti dhe toka.
Të tjerët u penguan nga rreziqe të tilla, derisa një mundësi që dukej më e lehtë për të hyrë në Evropë u shfaq në fillim të këtij viti.
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i zemëruar që BE-ja vendosi sanksione mbi regjimin e tij autoritar, pas një goditjeje të ashpër mes mospajtimeve të brendshme, u përgjigj duke thënë se e po humbte kontrollin kundër emigrantëve në kufijtë perëndimorë. Zyrtarët e BE-së e akuzuan atë për përdorimin e emigrantëve si pengje, kurse Lukashenko e mohon këtë duke thënë se Evropa po shkel të drejtat e tyre duke ua mohuar kalimin e sigurt.

Vizat turistike
Bjellorusia filloi të ofrojë viza të lehta turistike për irakianët, sirianët dhe për të tjerët nga Lindja e Mesme dhe Afrika. Kjo nënkuptonte se tani ata mund të arrinin skajin e Evropës me fluturimet e rehatshme për në Bjellorusi e pastaj të përpiqeshin të futeshin fshehurazi në Poloni, Lituani, Letoni, të gjitha vende anëtare të BE-së.
Mijëra njerëz kanë tentuar të udhëtojnë që nga vera. Kjo ka çuar javët e fundit në bllokime gjithnjë e më të tensionuara në kufirin e Bjellorusisë, ku shihen skena të emigrantëve të dëshpëruar e të grumbulluar në pyje mes temperaturave të ulëta. Polonia ka dërguar njësi speciale dhe trupa ushtarakë për përforcimin e rojeve kufitare. Të paktën tetë vdekje janë raportuar deri tani.
Një automekanik, 44-vjeçar nga Siria, ka spikatur se ai nuk do t’ia dijë për motivet e Lukashenkos ose për raportet e vuajtjeve në kufirin e Bjellorusisë.
Ai është i vendosur të arrijë në Bjellorusi me djemtë e tij më të mëdhenj, 16 dhe 17 vjeç, dhe në fund të futet në Gjermani. Atje ai shpreson të gjejë punë dhe më pas t’i marrë me vete gruan dhe dy fëmijët e tij më të vegjël.
“Këtu nuk ka të ardhme për të rinjtë, as në arsim, as në kulturë e as në jetën shoqërore”, ka potencuar ai, me kërkesën që mos të publikohet emri i tij nga frika se kjo mund t’ia prishë planet që ka.
Si Siria ashtu edhe Iraku janë shkatërruar ndër vite nga konflikti. Siria është një vend i thyer pas një dekade të luftës civile, që la të vdekur më shumë se 400 mijë njerëz e gjysmën tjetër të popullsisë e zhvendosi. Presidenti Bashar Assad ia doli mbanë me ndihmën e Rusisë dhe Iranit, duke i ndaluar ata që ia mësynë ta rrëzonin duke e shtyrë në një cep të vogël të Sirisë. Mirëpo, vendi është në rënie të lirë ekonomike, që u shkaktua nga sanksionet perëndimore dhe kostot e grumbulluara të luftës.
Mekaniku vuri në pah se nuk ka asnjë shpresë të vetme se situata do të përmirësohet atje dhe që është më mirë të rrezikojë tani sesa t’i shohë fëmijët e tij të vuajnë në Siri. Gjërat janë aq keq saqë djali i madh i tij nuk mund të marrë as edhe një libër shkollor të kërkuar për anglishten e klasës së 10, ka shtuar ai.
Kur dëgjoi përmes rrjeteve sociale se çfarë po ndodh në Bjellorusi, shkoi në një agjenci fluturimi ne Damask, që i ofertoi pakon 4 mijë dollarëshe për person. Ai aplikoi për vizë dhe huazoi para për të mbuluar pjesën tjetër të shpenzimeve për të dhe djemtë e tij.
Do të nisem për në Bjellorusi sapo ta marrë vizën, ka thënë ai.
Deri në këtë shkallë, asgjë nuk do ta ndalojë atë. Tha se ishte i përgatitur që të përpiqej katër a pesë herë.
“Ka njerëz që ia dalin mbanë me herën e parë, të tjerë me herën e dytë a të tretën, por në fund arrijnë. Duhet të garantoj një të ardhme më të mirë për fëmijët e mi”, përfundoi ai.
Agjencitë turistike
Një agjent i fluturimeve në Damask ka treguar se kërkesat i kanë rritur çmimet për pako të Bjellorusisë nga 2,600 dollarë për një fluturim dhe pesë net në hotelin e Minskut në rreth 4 mijë dollarë.
Shumica e sirianëve e bëjnë udhëtimin me kompaninë private siriane, Cham Wings, ka thënë agjenti, i cili foli në kushte anonimiteti nga frika e ndonjë dëmtimi të mundshëm në biznesin e tij.
BE-ja po e vështron rolin që kanë disa linja ajrore, duke i marrë në konsideratë sanksionet kundër tyre.
Opsionet e fluturimeve po pakësohen. Të premten Turqia tha se po i ndalon biletat e linjave ajrore për irakianët, sirianët dhe jemenasit, që dëshironin të udhëtonin për në Bjellorusi. Duke e përmendur po këtë vendim, linja ajrore e Bjellorusisë, Belavia, ka njoftuar po ashtu se nuk do të lëshojë bileta për qytetarët e fluturimit Stamboll-Minsk.
Iraqi Airways, i cili ka suspenduar fluturimet mes Bagdadit dhe Minskut më 5 gusht, ka dërguar në shtëpi rreth 1 mijë irakianë të bllokuar nga Bjellorusia dhe janë planifikuar më shumë fluturime shpëtimi, ka folur zëdhënësi Hussein Jalil.
Irakiani Kameran Hassan ka treguar se ai dhe familja e tij katër anëtarëshe u detyruan të kthen në fluturim. Ata ia kishin dalë deri në Poloni, por pastaj ishin nxënë. Pas tri javë në qendrën e mbajtjes, u vendosën në një autobus me irakianë të tjerë. U kishin thënë se do të dërgohen në një kamp tjetër në Varshavë, por në të vërtetë po shkonin drejt aeroportit. “Po na futnin me forcë në aeroplan”, ka treguar Hassani nga Sulaymaniyah, rajoni kurd i Irakut.
Kthimi mbrapsht
Një njeri i humbi ndjenjat kur e kuptoi se po e kthejnë mbrapsht, pasi ai kishte shitur gjithçka që kishte për këtë përpjekje, ka shpjeguar Hassani. Eskortat polake e bartën zvarrë në fluturimin për kthim në Irak.
Për nënën e Sarkawt Ismat, gjendja e tij në Bjellorusi e konfirmoi frikën e saj. Adla Salim e kishte lutur atë që të mos shkonte.
Djali i madh i saj, 22-vjeçari Sarwar, ishte nisur për në Bjellorusi tre muaj më parë dhe kishte arritur në Gjermani në fillim të tetorit, pasi kishte kaluar 10 ditë duke u fshehur në pyll. Ai vuan nga sëmundja kronike e zemrës e u shtri në spital të Gjermanisë, ka thënë ajo. Familja e la të shkonte, sepse ai ishte i sëmurë dhe s’mund të bënin asgjë për të në Dohuk.
“U munduam ta bindim që të mos nisej, por ai këmbëngulte shumë”, ka përfunduar nëna e tij.
Sarkawt ende ishte borxhli për 10,000 dollarët e taksisë që ai kishte shitur për ta paguar udhëtimin, para të cilat babai i tij, luftëtar kurd, duhet t’i paguajë nga të ardhurat e tij mujore rreth $1,000.
Të gjitha paratë duket se shkuan kot për asgjë. Sarkawt u lejua të enjten ta lërë pyllin për në Minsk e të përgatitet për kthimin e tij në Irak.
Nëna e tij, amvise 45-vjeçare, ka theksuar se krejt çka do është që djali i saj të kthehet në shtëpi.
“Ai thërret duke dënesur. ‘Dua të kthehem në Irak. S’dëshiroj asgjë. Vetëm të kthehem. Jam i uritur dhe kam të ftohtë’”, ka rrëfyer ajo.
Përktheu: Blerta Haxhiu