Gazetari bjellorus dhe e dashura e tij, të cilët u arrestuan nga regjimi i Bjellorusisë më 23 maj, janë vendosur në arrest shtëpiak.
Roman Protasevich dhe Sofia Sapega u arrestuan kur autoritetet bjelloruse e detyruan aterrimin në Minsk të aeroplanit që po udhëtonte nga Greqia në Lituani.
Gazetari është vënë tani në arrest shtëpiak në një apartament të marrë me qira nga Qeveria në Minsk. Arrestin shtëpiak po e vuan ndaras nga e dashura e tij, e cila është dërguar në një apartament tjetër.
Vendimin ndaj gazetarit e ka konfirmuar edhe opozitarja bjelloruse, Svietlana Tsikanovskaya.
Bashkimi Evropian i ka vendosur të enjten sanksione ekonomike Bjellorusisë.
Cak i këtyre sanksioneve janë industritë e eksportit dhe të financave. Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, ka thënë se ndalja e aeroplanit është bërë për të parandaluar një trazirë të re.
Gazetari Protasevich është akuzuar për organizimin e protestave masive dhe përballet me 15 vjet burgim, po qe se shpallet fajtor.