Një çift nga Singapori, që besonte se kishte ndërtuar familjen e ëndrrave përmes birësimit të një foshnje nga Indonezia, u përball me një realitet tronditës kur autoritetet ngritën dyshime se fëmija mund të ishte trafikuar. Rasti ka nxitur hetime ndërkombëtare dhe ka hapur debat mbi përgjegjësinë e institucioneve dhe fatin e fëmijëve të përfshirë.
(BBC) – Kur Davidi dhe Ali e panë për herë të parë Markusin, besuan se ai ishte fëmija që kishin pritur prej kohësh.
“Për mua ishte dashuri në shikim të parë”, kujton Davidi. Pas një procesi të gjatë për birësim, foshnja nga Indonezia erdhi në krahët e tyre dhe ata menduan se më në fund kishin nisur jetën e tyre si familje.
Por vite më vonë, çifti përballet me mundësinë e humbjes së djalit të tyre, pasi autoritetet dyshojnë se Markusi mund të jetë një nga foshnjat e trafikuara ilegalisht drejt Singaporit.
Ai është një prej të paktën 20 fëmijëve që dyshohet se janë blerë në Indonezi dhe më pas janë dhënë për birësim në Singapor. Rreth 24 persona janë arrestuar dhe po gjykohen në Javan Perëndimore për akuza që lidhen me trafikimin e fëmijëve.
Rasti ka ngritur një dilemë të madhe për autoritetet e të dy vendeve: nëse këta fëmijë, të cilët janë rritur për vite me familjet e tyre birësuese, duhet të qëndrojnë në Singapor apo të kthehen te familjet biologjike në Indonezi.
Edhe
Fëmijë të lidhur dhe të keqtrajtuar në një qendër kujdesi në Indonezi
Ndërsa vendimi ende nuk është marrë, Davidi dhe Ali jetojnë me pasigurinë dhe frikën se mund të ndahen nga Markusi. Ata thonë se nuk e kishin menduar kurrë se birësimi i tij mund të lidhej me trafikim.
Për shkak të frikës se ekspozimi mund të ndikojë në rastin e tyre, çifti ka pranuar të flasë për historinë e tij me BBC-në duke përdorur pseudonime.
“Ankthi është gjithmonë aty. Gjithmonë ekziston mendimi se Markusi mund të na merret”, thotë Davidi.
“Ai na buzëqeshi”
Davidi dhe Ali kishin ëndërruar gjithmonë të bëheshin prindër. Pas disa abortesh spontane të dhimbshme që përjetoi Ali, ata vendosën të birësonin një fëmijë.
Fillimisht u përpoqën të birësonin një fëmijë në Singapor, por pritja ishte shumë e gjatë. Një agjenci u tha se ndodheshin në vendin e 142-të në listën e pritjes.
Si shumë çifte të tjera në Singapor, ata vendosën të kërkonin jashtë vendit. Rreth dy të tretat e fëmijëve të birësuar çdo vit në Singapor lindin në vende të tjera, kryesisht në shtetet fqinje.
Çifti zgjodhi një agjenci vendase që merrej me organizimin e birësimeve të foshnjave nga Indonezia.
Vetëm pak javë më vonë, gjatë një telefonate me video të organizuar nga agjencia, ata panë një foshnjë të vogël që mbahej para kamerës.
“Çfarë na tërhoqi më shumë tek ai? Ishte shumë i zgjuar. Na buzëqeshi”, kujton Davidi.
Çifti pagoi dhjetëra mijëra dollarë singaporianë. Sipas agjencisë, kjo shumë mbulonte tarifat e ndërmjetësimit, shpenzimet ligjore, kujdesin për fëmijën dhe një “shumë simbolike” për prindërit biologjikë.
Brenda pak muajsh, Markusi u soll në Singapor. Në momentin kur e morën për herë të parë në krahë, emocionet ishin të përziera.
“Ndiheshim të frikësuar, nervozë, por njëkohësisht shumë të lumtur”, kujton Davidi.
“Pamë njëri-tjetrin dhe thamë...ja ku jemi. Kjo është e vërteta”.
Birësimi i Markusit u miratua shpejt nga autoritetet e Singaporit. Hapi i fundit ishte aplikimi për shtetësinë e tij.
Kur u thirrën në një takim nga autoritetet e emigracionit, ata menduan se do të merrnin lajmin e shumëpritur.
Në vend të kësaj, jeta e tyre mori një kthesë të papritur.
Zyrtarët u njoftuan se procedura për shtetësinë ishte pezulluar, pasi ekzistonin dyshime se Markusi mund të ishte trafikuar nga Indonezia drejt Singaporit.
“Në atë moment u shemba”, rrëfen Davidi.
Ai thotë se kërkoi shpjegime nga autoritetet.
“I pyeta: ‘A nuk i bëtë të gjitha verifikimet? Ne iu nënshtruam një procesi të gjatë dhe të rreptë, të cilin ne e respektuam plotësisht. Atëherë si ndodhi kjo?’ Ata nuk kishin përgjigje”.
Rrjeti i dyshuar i trafikimit
Gjithsej 19 persona po gjykohen në Javan Perëndimore, të akuzuar se kanë blerë ilegalisht foshnja, kanë falsifikuar dokumente dhe i kanë dërguar jashtë Indonezisë për t’i paraqitur rastet si birësime të ligjshme.
Sipas prokurorisë, rrjeti drejtohej nga indoneziania Lie Siu Luan, e cila ka pranuar se siguronte foshnja për të paktën katër kontakte në Singapor, të cilët paguanin rreth 18 mijë dollarë singaporianë për secilën foshnjë.
Hetimet tregojnë se ndërmjetësit gjenin prindër në rrjetet sociale, kujdeseshin për foshnjat dhe falsifikonin certifikatat e lindjes e dokumentet e birësimit. Në disa raste, anëtarë të rrjetit paraqiteshin si prindër biologjikë dhe komunikonin me prindërit e ardhshëm birësues përmes videotelefonatave.
Foshnjat dërgoheshin fillimisht në një shtëpi në qytetin Pontianak, ku mbaheshin nën kujdesin e dado-ve të punësuara, ndërsa përgatiteshin dokumentet e falsifikuara që do t’u hapnin rrugën birësimeve jashtë vendit. Sipas akuzës, rrjeti kishte krijuar një skemë të organizuar për ta bërë të gjithë procesin të dukej i ligjshëm.
Gjatë gjyqit u zbulua se të paktën 12 nga 20 foshnjat e dyshuara si të trafikuara kishin mbërritur në Singapor, megjithëse autoritetet singaporiane nuk i kanë konfirmuar këto shifra. Prokuroria ka kërkuar dënime me burg nga pesë deri në dhjetë vjet për të gjithë të pandehurit.
Dyshimet për Markusin
Davidi dhe Ali ende nuk kanë marrë një konfirmim zyrtar se Markusi është një nga foshnjat e trafikuara, por dokumentet e siguruara nga BBC-ja tregojnë lidhje të forta mes rastit të tij dhe hetimit në Indonezi.
Emri i plotë indonezian i Markusit figuron në dokumentet gjyqësore mes fëmijëve të dyshuar si të trafikuar, ndërsa një grua që po gjykohet për falsifikim të identitetit të nënave biologjike figuron si nëna e tij në dokumentet e birësimit.
Hetimet kanë lidhur gjithashtu me këtë rast agjencinë e birësimit në Singapor që ndërmjetësoi birësimin e Markusit. Agjencia vazhdon të jetë aktive, ndërsa përpjekjet e BBC-së për të marrë një reagim nga pronarja e saj kanë mbetur pa përgjigje.
Autoritetet e Singaporit kanë deklaruar se po bashkëpunojnë me Indonezinë në hetime, por nuk kanë komentuar nëse po hetojnë agjencinë apo persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë.
Edhe
Dëshmi të reja për abuzim të punëtorëve në fabrikën kineze në Serbi
Rasti ka shkaktuar debat edhe në Parlamentin e Singaporit. Disa ligjvënës kanë theksuar se prindërit birësues janë palë të pafajshme, pasi kanë ndjekur procedurat ligjore, ndërsa autoritetet kanë rikujtuar se edhe agjencitë e birësimit kanë përgjegjësi për të verifikuar burimin e fëmijëve.
Davidi dhe Ali thonë se nuk kishin dyshuar kurrë se Markusi mund të ishte viktimë e trafikimit. Ata besojnë se përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet, pasi zyrtarët janë ata që kanë ekspertizën për të verifikuar ligjshmërinë e një birësimi.
Ministria e Zhvillimit Social dhe Familjar nuk ka dhënë hollësi mbi mënyrën e kontrolleve për birësimet ndërkombëtare, por ka deklaruar se po mbështet familjet e prekura dhe se do të rishikojë procedurat për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
Tregu i zi i foshnjave
Në Indonezi, ky është një nga të paktën shtatë rrjetet e dyshuara të trafikimit të foshnjave që janë hetuar nga autoritetet gjatë viteve të fundit. Njëri prej tyre, që vepronte në qytetin e Joxhakartës (Yogyakarta), dyshohet se ka trafikuar të paktën 66 foshnja.
Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i rasteve të identifikuara të trafikimit të fëmijëve të vegjël pothuajse u trefishua mes viteve 2021 dhe 2024, duke u rritur nga 27 në 70 raste. Megjithatë, autoritetet theksojnë se këto shifra përfshijnë vetëm rastet e zbuluara, ndërsa numri real besohet të jetë shumë më i lartë.
Sipas hetimeve, disa prindër janë detyruar nga trafikantët të shesin foshnjat e tyre, ndërsa të tjerë e kanë bërë këtë për shkak të varfërisë, pamundësisë për t’i rritur fëmijët ose nevojës së dëshpëruar për para.
Gjatë gjyqit në Javan Perëndimore, dëshmitari Dani Hidayat, rrëfeu se kishte falimentuar dhe kishte mbetur pa punë pikërisht kur bashkëshortja e tij priste të sillte në jetë fëmijën e tyre të pestë.
“Situata jonë financiare dhe ekonomike nuk ishte aspak e qëndrueshme”, tha ai para gjykatës.
Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, Hidayat iu bashkua një grupi në Facebook kushtuar birësimeve. Aty u kontaktua nga një grua, e cila pretendonte se nuk mund të kishte fëmijë dhe shprehu dëshirën për të birësuar foshnjën sapo ajo të lindte.
Gruaja i dha Hidayatit pesë milionë rupiah (rreth 290 dollarë amerikanë) dhe i premtoi edhe dy milionë të tjera më vonë. Ai tha se kishte nevojë urgjente për këto para për të mbuluar shpenzimet e rikuperimit të bashkëshortes pas lindjes.
Sipas prokurorisë, gruaja ishte në fakt një ndërmjetëse e rrjetit të trafikimit dhe ishte pikërisht Hidayati ai që pa dashje çoi në zbulimin e tij.
Kur pagesa e dytë nuk mbërriti, ai iu drejtua policisë duke pretenduar se djali i tij ishte rrëmbyer. Hetimet çuan në arrestimin e gruas. Gjatë kontrollit të telefonit të saj, policia zbuloi prova që tregonin se ajo kishte ndërmjetësuar birësimin e dhjetëra foshnjave të tjera në Singapor dhe në Indonezi.
Foshnja e Hidayatit u gjet më vonë dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e shërbimeve sociale. Ai nuk ishte një nga 20 foshnjat që ishin dërguar drejt Singaporit.
BBC-ja i ka pyetur autoritetet indoneziane nëse edhe prindërit biologjikë të foshnjave të dyshuara si të trafikuara do të hetohen, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.
Shkaqet që shtyjnë drejt trafikimit
Zyrtarët dhe aktivistët për të drejtat e fëmijëve thonë se lufta kundër trafikimit nuk mbaron me arrestimin e trafikantëve, por kërkon trajtimin e shkaqeve që shtyjnë prindërit të heqin dorë nga fëmijët.
Sipas tyre, faktorët kryesorë janë varfëria, mungesa e mbështetjes për nënat, qasja e kufizuar në ndihmën shtetërore dhe stigma ndaj grave që lindin fëmijë jashtë martese. Në disa zona rurale të Indonezisë, dhënia e fëmijëve të afërmve ose fqinjëve pa procedura zyrtare është ende një praktikë e pranueshme, gjë që krijon terren për abuzime.
Edhe të pandehurit në çështjen e Javas Perëndimore kanë pretenduar se po “ndihmonin familjet” dhe nuk e dinin se vepronin në kundërshtim me ligjin. Një prej tyre, Lie Siu Luan, deklaroi se besonte se birësimet jashtë vendit ishin të ligjshme.
Aktivisti Eko Kriswanto thekson se problemi kryesor është trajtimi i fëmijëve si mall tregu, ndërsa zbatimi i ligjeve kundër trafikimit mbetet i dobët.
Ndërkohë, Komisioni Indonezian për Mbrojtjen e Fëmijëve vlerëson se mungesa e mekanizmave të sigurt për prindërit që nuk mund të kujdesen për foshnjat e tyre ka krijuar hapësirë për një treg të zi, ku trafikantët përdorin rrjetet sociale për të joshur familjet në vështirësi. BBC-ja u ka kërkuar një koment autoriteteve indoneziane, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Fati i foshnjave mbetet i paqartë
Ndërsa Davidi dhe Ali presin me ankth vendimin e gjykatës, një pyetje mbetet ende pa përgjigje: çfarë do të ndodhë me Markusin dhe foshnjat e tjera?
Aktivistë dhe zyrtarë në Indonezi argumentojnë se, në parim, fëmijët që dyshohet se janë trafikuar duhet të rikthehen pranë familjeve të tyre biologjike.
Madje, një zyrtar i policisë indoneziane i tha BBC-së se kjo është edhe “çështje e krenarisë kombëtare të Indonezisë”.
Por deri në përfundimin e procesit gjyqësor dhe marrjen e një vendimi përfundimtar, shumica e këtyre fëmijëve do të kenë kaluar tashmë vite të tëra duke u rritur me familjet e tyre birësuese në Singapor.
Jeremy Heng, psikolog klinik në Shoqatën e Fëmijëve të Singaporit, paralajmëron se ndarjet e përsëritura në vitet e para të jetës mund të kenë pasoja serioze.
Sipas tij, ato mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin e trurit, rregullimin emocional, procesin e të nxënit dhe krijimin e lidhjeve të sigurta me kujdestarët. Gjithashtu, rritet rreziku që fëmijët të zhvillojnë trauma dhe probleme të shëndetit mendor.
Autoritetet e Singaporit nuk kanë komentuar ende nëse foshnjat do të qëndrojnë në vend apo do të rikthehen në Indonezi.
Ndërkohë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Indonezisë, Yvonne Mewengkang, i tha BBC-së se çdo vendim do të merret duke pasur si parim themelor “interesin më të mirë të fëmijës”.
Për Davidin dhe Alin, pas gjithë viteve të pritjes për t’u bërë prindër, ideja për t’u ndarë nga Markusi është e papranueshme.
“Do të bëjmë gjithçka që na lejon ligji për ta mbajtur djalin tonë”, thotë Davidi.
Edhe
Trafikantët në Sahara i detyrojnë familjet e refugjatëve të paguajnë për lirimin e të afërmve
Edhe nëse Markusi do të duhet të kthehet në Indonezi, ai është i vendosur të mos heqë dorë.
“Do të gjej një mënyrë që ta birësoj ligjërisht. Nuk do të dorëzohem kurrë. Çdo prind do të luftonte deri në fund për fëmijën e tij”, përfundon ai.