Duke shfrytëzuar boshllëqet ligjore dhe mashtrimet, ndërmjetësit kanë kthyer varfërinë e madhe në Bangladesh dhe kërkesën në rritje për transplantime në Indi, në një industri që po lulëzon
(Al – Jazeera) - Nën diellin e butë të pasdites, 45-vjeçari Safiruddin qëndron ulur jashtë shtëpisë së tij të papërfunduar me mure tullash në fshatin Baiguni të nënprefekturës Kalai në Bangladesh, duke përkëdhelur trupin ku ndien dhimbje.
Në verën e vitit 2024, ai shiti veshkën e tij në Indi për 350.000 taka (rreth 2.850 dollarë), me shpresën se do ta nxirrte familjen nga varfëria dhe do të ndërtonte një shtëpi për tre fëmijët e tij – dy vajza, pesë dhe shtatë vjeçe, dhe një djalë dhjetëvjeçar. Por ato para tashmë janë harxhuar, shtëpia mbeti e papërfunduar dhe dhimbja në trupin e tij është një kujtesë e vazhdueshme e çmimit që pagoi.
Tani ai punon si punëtor krahu, ndërkohë që shëndeti i tij po përkeqësohet – dhimbja dhe lodhja e përhershme e bëjnë të vështirë edhe kryerjen e punëve të zakonshme të përditshme.
“E dhashë veshkën që familja ime të kishte një jetë më të mirë. Bëra gjithçka për gruan dhe fëmijët”, thotë ai.
Në atë kohë nuk i dukej si zgjedhje e rrezikshme. Ndërmjetësit që iu afruan e paraqitën si diçka të thjeshtë – një mundësi dhe jo një rrezik. Fillimisht ishte mosbesues, por dëshpërimi e mundi dyshimin.
Ndërmjetësit e çuan në Indi me vizë mjekësore, duke u kujdesur për gjithçka – biletat e udhëtimit, dokumentet dhe formalitetet në spital. Edhe pse udhëtoi me pasaportën e tij të Bangladeshit, dokumentet e tjera, si certifikatat që tregonin në mënyrë të rreme një lidhje familjare me marrësin e veshkës, ishin të falsifikuara.
Identiteti i tij u ndryshua dhe veshka iu transplantua një personi të panjohur, të cilin nuk e kishte takuar kurrë. “Nuk e di kush e mori veshkën time. Ndërmjetësit nuk më thanë asgjë”, thotë Safiruddini.
Sipas ligjit, në Indi dhurimi i organeve lejohet vetëm mes të afërmve të ngushtë ose me leje të posaçme nga qeveria, por trafikantët manipulojnë çdo gjë – trungjet familjare, të dhënat e spitalit, madje edhe testet e ADN-së – për të anashkaluar rregullat.
“Zakonisht emri i dhuruesit ndryshohet dhe prodhohet një certifikatë noteriale – e vulosur nga një avokat – që provon në mënyrë të rreme një lidhje familjare me marrësin. Dokumentet e rreme të identitetit kombëtar mbështesin pretendimin, duke e bërë të duket sikur dhuruesi është një i afërm, si motër, vajzë apo një anëtar tjetër i familjes, që dhuron një organ nga dhembshuria”, thotë Monir Moniruzzaman, profesor në Universitetin Shtetëror të Miçiganit dhe anëtar i Task-Forcës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Transplantimin e Organeve, i cili po studion trafikimin e organeve në Azinë Jugore.
Historia e Safiruddinit nuk është e vetmja. Dhurimet e veshkave janë aq të zakonshme në fshatin e tij Baiguni, saqë banorët e quajnë atë komunitet prej më pak se 6.000 banorësh si “fshati me një veshkë”. Rajoni Kalai Upazilas, ku ndodhet Baiguni, është një nga pikat më të nxehta të tregtisë së veshkave në Bangladesh: një studim i vitit 2023, i botuar në revistën “British Medical Journal Global Health”, vlerëson se një në çdo 35 të rritur në këtë rajon ka shitur një veshkë.
Kalai Upazila është një nga zonat më të varfra të Bangladeshit. Shumica e dhuruesve janë burra në të 30-at e tyre, të joshur nga premtimi për para të shpejta.
Safiruddini thotë se ndërmjetësit – të cilët ia morën pasaportën – nuk ia kthyen më kurrë. Nuk i dhanë as barnat që i ishin përshkruar pas operacionit.
Shpesh, ndërmjetësit ua marrin pasaportat dhe recetat mjekësore dhuruesve pas operacionit, duke zhdukur çdo gjurmë të transplantimit dhe duke i lënë ata pa asnjë provë të procedurës apo qasje në kujdes të mëtejshëm mjekësor.
Veshkat shiten për marrës të pasur në Bangladesh ose Indi, shumë prej të cilëve kërkojnë të shmangin listat e gjata të pritjes dhe rregullat e rrepta të transplantimit ligjor. Në Indi, për shembull, rreth 13.600 transplantime veshkash u kryen në vitin 2023 – ndërkohë që rreth 200.000 pacientë në vit zhvillojnë sëmundje të veshkave në fazën përfundimtare.
Kosto e dëshpërimit
Josna Begum, 45 vjeçe, vejushë nga fshati Binai në nënprefekturën Kalai, luftonte për të rritur dy vajzat e saj, 18 dhe 20 vjeçe, pasi burri i saj kishte ndërruar jetë në vitin 2012. Ajo u shpërngul në Dhaka për të punuar në një fabrikë tekstilesh, ku u njoh dhe u martua me një burrë të quajtur Belal.
Pas martesës si Belali ashtu edhe Josna ranë pre e një ndërmjetësi që i joshi të shisnin veshkat e tyre në Indi, në vitin 2019.
“Ishte një gabim”, tha Josna. Ajo shpjegoi se fillimisht ndërmjetësit i premtuan 500.000 taka (rreth 4.100 dollarë), pastaj e rritën ofertën në 700.000 taka (rreth 5.700 dollarë) për ta bindur. “Por pas operacionit, mora vetëm 300.000 taka.
Josna tregon se ajo dhe Belali u dërguan në Institutin Ndërkombëtar të Shkencave Kardiake “Rabindranath Tagore” në Kolkata, ku iu nënshtruan operacionit. “Na çuan me autobus përmes pikës kufitare Benapole në Indi dhe na strehuan në një apartament me qira pranë spitalit”.
Për të realizuar transplantimin, ndërmjetësit falsifikuan dokumente që pohonin se ajo dhe marrësi i veshkës ishin të afërm të gjakut. Ashtu si Safiruddini, ajo nuk e di se kush e mori veshkën e saj.
Pavarësisht përpjekjeve, zyrtarët e institutit “Rabindranath Tagore” nuk iu përgjigjën kërkesës së Al Jazeeras për koment mbi rastin.
Josna thotë se pasaporta dhe dokumentet e identifikimit iu morën nga ndërmjetësit. “S’e kisha problem që morën recetat. Por kërkova pasaportën time. Nuk ma kthyen kurrë”, tha ajo.
Ajo qëndroi në Indi për gati dy muaj përpara se të kthehej në Bangladesh.
Ndërmjetësit i kishin premtuar gjithashtu ndihmë për familjen dhe madje edhe punë për fëmijët e saj, por pas pagesës fillestare dhe disa pagesave të vogla gjatë festave të Bajramit, ata humbën çdo kontakt.
Sapo mori pagesën – gjithashtu 300.000 taka – Belali braktisi Josnën dhe më vonë u martua me një grua tjetër. “Jeta ime u shkatërrua”, tha ajo.
Sot Josna vuan nga dhimbje kronike dhe mezi përballon blerjen e barnave. “Nuk mund të bëj asnjë punë të rëndë. Duhet të mbijetoj, por më duhen ilaçe gjithë kohës”, thotë ajo.
“Përballë bandës”
Në disa raste viktimat e skemës së trafikut të veshkave janë kthyer vetë në pjesë të këtij rrjeti kriminal.
Mohammad Sajal, dikur ishte një biznesmen në Dhaka që shiste produkte shtëpiake si tenxhere, enë plastike dhe blenderë përmes Evaly, një platformë e-commerce që premtonte fitime të mëdha. Por kur Evaly falimentoi pas një skandali në vitin 2021, bashkë me të u zhdukën edhe kursimet dhe burimi i të ardhurave të Sajalit.
I zhytur në borxhe dhe nën presion të madh për të shlyer detyrimet, ai shiti veshkën në vitin 2022 në spitalin Venkateshwar në New Delhi. Por shuma e premtuar prej 1 milion takash nuk u realizua kurrë. Ai mori vetëm 350.000 taka.
“Ata më mashtruan”, tha Sajal. Spitali Venkateshwar nuk ka reaguar ndaj kërkesave të përsëritura të Al Jazeeras për të komentuar rastin.
Në atë kohë Sajal mendoi se kishte vetëm një mënyrë për të fituar aq sa i ishte premtuar për veshkën: të bashkohej me rrjetin e ndërmjetësve dhe të mashtronte të tjerët. Për disa muaj ai punoi si ndërmjetës, duke organizuar transplantime veshkash për disa dhurues nga Bangladeshi në spitale indiane. Por, pas një mosmarrëveshjeje financiare me drejtuesit e tij, e braktisi këtë tregti, i frikësuar për jetën e vet.
“Tani jam përballë armës së kësaj bande”, tha ai. Rrjeti që ai la pas vazhdon të funksionojë pa u ndalur, sipas tij, duke përfshirë spitale në Bangladesh dhe sistemin mjekësor në Indi. “Gjithkush është i përfshirë – që nga mjekët, marrësit, deri te ndërmjetësit në të dyja anët e kufirit”, tha Sajal.
Tani ai punon si shofer në Dhaka, duke u përpjekur të largohet nga e kaluara. Por plagët – si fizike ashtu edhe emocionale – mbeten. “Askush nuk e jep veshkën nga dëshira apo për hobi”, tha ai. “Është një llogaritje e thjeshtë: dëshpërimi të çon deri këtu”.
Duke e pranuar ekzistencën e trafikut ndërkufitar të veshkave, policia e Bangladeshit thotë se po ndërmerr hapa për të goditur ata që janë të përfshirë. Inspektori i Policisë së Bangladeshit, Enamul Haque Sagor, tha se, përveç oficerëve në uniformë, janë vendosur hetues të infiltruar për të ndjekur rrjetet e trafikut të organeve dhe për të mbledhur informacione.
“Kjo çështje është nën vëzhgimin tonë dhe po ndërmarrim masat e nevojshme”, tha ai.
Nga ana tjetër e kufirit, edhe autoritetet indiane kanë ndërmarrë disa veprime kundër profesionistëve të shëndetësisë të akuzuar për përfshirje në trafikimin e veshkave. Në korrik 2024, policia e Delhit arrestoi dr. Vijaya Rajakumarin, kirurge 50-vjeçare e transplantimit të veshkave, e lidhur me një spital privat në Delhi. Hetimet zbuluan se mes viteve 2021 dhe 2023, dr. Rajakumari kishte kryer rreth 15 transplantime veshkash për pacientë nga Bangladeshi.
Por ekspertët thonë se këto arrestime janë tepër të rralla për të ndikuar seriozisht në modelin e biznesit që nxit tregtinë e veshkave.
“Më shumë transplantime, më shumë fitim”
Në Indi, Ligji për Transplantimin e Organeve Njerëzore (THOA) i vitit 1994 rregullon dhurimin e organeve, duke lejuar transplantimet e veshkave kryesisht vetëm ndërmjet të afërmve të ngushtë, si prindër, vëllezër, motra, fëmijë dhe bashkëshortë – me qëllim të parandalimit të shfrytëzimit komercial. Në rastet kur dhuruesi nuk është i afërm i ngushtë, rasti duhet të miratohet nga një trupë e posaçme e qeverisë e quajtur komitet autorizues, për të siguruar që dhurimi të jetë vullnetar dhe jo i motivuar financiarisht.
Megjithatë, ndërmjetësit e përfshirë në trafikimin e veshkave arrijnë të anashkalojnë këto rregulla duke falsifikuar dokumente që krijojnë marrëdhënie familjare të rreme ndërmjet dhuruesve dhe marrësve. Këto dokumente të falsifikuara dorëzohen më pas në komitetet autorizuese, të cilat – sipas ekspertëve – i miratojnë shumë shpesh.
Sipas tyre, themeli i këtij sistemi të paligjshëm qëndron në lehtësinë me të cilën ndërmjetësit shfrytëzojnë boshllëqet ligjore. “Ata falsifikojnë letërnjoftime kombëtare dhe certifikata noteriale për të krijuar lidhje familjare të rreme. Këto dokumente mund të përgatiten shpejt dhe me pak kosto”, tha Moniruzzaman.
Me këto identitete të rreme transplantimet kryhen nën maskën e dhurimeve ligjore midis të afërmve.
Në Dhaka, Shah Muhammad Tanvir Monsur, drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bangladeshit, deklaroi se zyrtarët e Qeverisë së Bangladeshit nuk kishin rol në falsifikimin e dokumenteve dhe se kishin ndjekur të gjitha procedurat ligjore. Ai gjithashtu mohoi ekzistencën e ndonjë shkëmbimi informacioni midis Indisë dhe Bangladeshit për të goditur trafikun ndërkufitar të veshkave.
Ndërkohë në Indi, Amit Goel, komisioner i zëvendësuar i policisë në New Delhi, i cili ka hetuar disa raste të trafikut të veshkave në qytet – përfshirë rastin e doktoreshës Rajakumari – tha se autoritetet e spitaleve shpesh nuk arrijnë të zbulojnë dokumentet e falsifikuara, gjë që lejon që transplantimet e paligjshme të kryhen.
“Në rastet që kam hetuar, kam zbuluar se komiteti autorizues i miratoi këto raste sepse nuk arriti të identifikonte dokumentet false”, tha ai.
Por Moniruzzaman thekson se spitalet indiane kanë gjithashtu një motiv financiar për të mbyllur sytë ndaj këtyre manipulimeve.
Kufijtë e lehtë për t’u kaluar dhe çfarë ndodh pas tyre
Për ndërmjetësit dhe spitalet që janë të përfshirë në këtë tregti, bëhet fjalë për shumë para. Marrësit e veshkave paguajnë shpesh midis 22.000 dhe 26.000 dollarë për një transplantim.
Por dhuruesit marrin vetëm një pjesë të vogël të kësaj shume. “Dhuruesit zakonisht marrin 3 deri në 5 lakh taka (300.000–500.000 taka ose 2.500–4.000 dollarë)”, thotë Mizanur Rahman, një ndërmjetës.
Në disa raste, mashtrimi shkon edhe më thellë: trafikantët i joshin qytetarët e Bangladeshit me premtime për punë të paguara mirë në Indi, vetëm për t’i detyruar më pas të dhurojnë veshkën.
Vasundhara Raghavan, drejtore ekzekutive e Kidney Warriors Foundation, një grup mbështetës për pacientët me sëmundje të veshkave në Indi, tha se mungesa e dhuruesve ligjorë është një “sfidë madhore” që e nxit kërkesën për organe të trafikuara.
“Pacientët e dëshpëruar u drejtohen rrugëve të paligjshme, duke ushqyer një sistem që zhvat të varfrit.”
Ndërkohë në Kalai Upazila, Safiruddini e kalon shumicën e kohës në shtëpi. Lëvizjet i janë ngadalësuar, forca fizike është dukshëm e pakësuar. “Nuk jam më në gjendje të punoj si duhet”, tha ai.
Ai tregon se ka net kur nuk fle fare, duke menduar për premtimet që ndërmjetësit i bënë – dhe për ëndrrat që ia shkatërruan. Nuk e di kur apo nëse do të arrijë ndonjëherë të përfundojë ndërtimin e shtëpisë. Ai besonte se operacioni do t’i sillte familjes së tij para të mjaftueshme për një të ardhme më të mirë. Por në vend të kësaj fëmijët i kanë mbetur me një baba të sëmurë dhe ai me një ndjenjë tradhtie që nuk mund ta harrojë.
“Ma morën veshkën dhe u zhdukën”, thotë ai.