Në shkretëtirën e pafund të Saharës, diku në jug të Libisë, qindra emigrantë si Danieli nga Eritrea torturohen çdo ditë për para. Familjet e tyre, të shpërndara nëpër botë, detyrohen të paguajnë shpërblime për t’i shpëtuar të gjallë. Pas këtij rrjeti fshihet një industri shumëmilionëshe trafikimi njerëzor, që lulëzon mes kaosit politik në Libi dhe indiferencës së ndërkombëtarëve
Nga dhoma e ndenjës në apartamentin e saj në katin e tretë, diku në një zonë rurale të Gjermanisë, Abeba përdridhet nga dhimbja ndërsa shikon telefonin.
“Ky do të jetë mesazhi im i fundit”, thotë vëllai i saj më i vogël, Daniel, në një mesazh zanor. “E kuptoj që mund të mos kesh mundësi financiare për të më ndihmuar drejtpërdrejt dhe nuk po e pres këtë prej teje. Të lutem, vetëm sigurohu që mesazhi im të arrijë tek ata që mund të më ndihmojnë”.
Ajo dhe bashkëshorti i saj nuk e dinë saktësisht se ku ndodhet Danieli. Diku në jug të Libisë, në një vend që, sipas fjalëve të dëgjuara, quhet Kufra. Sa herë Danieli telefonon ose marrin ndonjë video nga ai, ajo që dihet me siguri është se ai po torturohet pa mëshirë nga disa burra që nuk shfaqen kurrë në kamerë.
Në videot e para nga CNN shihet Danieli i lidhur, ndërsa i urinojnë sipër, e godasin me shkelma dhe e rrahin me një shufër metalike. CNN ka përdorur emra të ndryshuar për Danielin dhe Abebën, pasi ata kanë frikë nga hakmarrja.
Nëse familja e tij nuk arrin të mbledhë 10 mijë dollarët që kërkojnë rrëmbyesit, ai mund të mos jetojë më gjatë.
CNN-i ka folur me dhjetëra persona e familje që ndodhen në situata të ngjashme. Danieli është vetëm një nga një numër i panjohur emigrantësh që torturohen çdo ditë, diku në shkretëtirën e Saharës në Libi.
Biznes i madh
Libia, në Afrikën e Veriut, ka qenë prej kohësh vendi kryesor i transitit për ata që shpresojnë të kalojnë detin Mesdhe për të arritur në Evropë. Në cepin verilindor të shkretëtirës së Saharës, hapësira e saj e pafund përbën segmentin e fundit të udhëtimit në kontinentin afrikan për njerëzit që ikin nga lufta, persekutimi apo mungesa e mundësive, në kërkim të një jete më të mirë.
Udhëtarët në këtë rrugë të rrezikshme ndryshojnë me kalimin e kohës, ndërsa konfliktet shuhen apo shpërthejnë sërish. Së fundmi, shumica dërrmuese e tyre vijnë nga Sudani, një vend i përfshirë në një luftë civile të përgjakshme që ka zhvendosur miliona njerëz.
Pa dyshim, kontrabanda e njerëzve është një biznes i madh.
Një pjesë e saj funksionon “normalisht” - në kuptimin që klientët paguajnë disa qindra dollarë për t’u transportuar në kushte minimale drejt bregut të Libisë, dhe prej andej në një gomone të mbingarkuar që niset drejt Italisë apo Greqisë.
Por, nëse dikush ka “fatkeqësinë” të vijë nga një vend që perceptohet si me diasporë të madhe - pra me njerëz që konsiderohen më të pasur krahasuar me të tjerët - atëherë rrezikon të bjerë jo në duart e kontrabandistëve, por të trafikantëve, të cilët i detyrojnë dhe i shfrytëzojnë ata që bien nën kontrollin e tyre.
Eritreasit, të cilët sipas Kombeve të Bashkuara përbëjnë grupin e dytë më të madh të refugjatëve të regjistruar në Libi, janë pjesë e kësaj kategorie. Vendi i tyre diktatorial dhe i izoluar shpesh quhet “Koreja e Veriut e Afrikës”. Mijëra njerëz ikin për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak të detyrueshëm dhe pa afat - dhe disa prej tyre bien pre e bandave të trafikimit që i shfrytëzojnë mizorisht.
Kjo është pikërisht ajo që ndodhi me vëllain e Abebës.
“Po e bëjmë më të mirën tonë”
Duke fluturuar mbi Saharën në pjesën e pasme të një helikopteri të vjetër sovjetik Mi-17 me dy turbina, është e lehtë të kuptosh pse trafikantët veprojnë me aq pandëshkueshmëri.
Shkretëtira është e pafundme. Peizazhi i thatë, i ngjashëm me sipërfaqen e Marsit, shtrihet deri në horizont, i ndërprerë vetëm herë pas here nga gjurmë të zbehta gomash që tregojnë rrugët e paasfaltuara të itinerarit veri-jug të Libisë.
“Po e bëjmë më të mirën që mundemi, me mjetet që kemi”, thotë kolonel Mohammad Hassan Rahil nga posti i tij në një kodër shkretëtire, pranë kufirit me Sudanin.
Forcat e tij janë pjesë e Ushtrisë Kombëtare Libiane dhe jetojnë në një bazë të vogël me ajër të kondicionuar, të rrethuar nga qindra milje shkretëtirë në të gjitha drejtimet. Ata patrullojnë rrugicat me rërë, ndalojnë çdo makinë të dyshimtë dhe përpiqen të mbajnë nën kontroll zonën. Por trafikantët e njohin këtë terren shumë më mirë se ata. Për një vëzhgues të jashtëm, përpjekjet e tyre duken thuajse të pafrytshme.
“Veç Zoti e di”
Kjo bëhet krejt e qartë në Al Jawf, vendbanimi i parë i madh që emigrantët hasin ndërsa kalojnë nëpër provincën e gjerë të Kufrës, nga jugu drejt veriut të Libisë.
Në qelitë e mbingarkuara dhe me erë të rëndë të qendrës së ndalimit për emigrantë të qytetit, oficerët nxjerrin një burrë sudanez, i cili ishte arrestuar një ditë më parë.
Ata besojnë se ai është një “njeri i parave” - që ndihmon në transferimin e shumave ndërmjet të afërmve të viktimave të trafikut që jetojnë jashtë, si Abeba, dhe trafikantëve brenda Libisë apo në strehët e tyre të sigurta jashtë vendit, të cilët përfitojnë nga ky biznes.
“I marr paratë, pastaj mbaj pjesën time”, i tregon ai hapur hetuesit për pagesat. CNN nuk e identifikon, pasi ai nuk është akuzuar zyrtarisht.
Industria e trafikut është jashtëzakonisht e ndarë në hallka. Shumica e pagesave dërgohen përmes një sistemi joformal transferimi që quhet hawala. Ky sistem përdoret gjerësisht edhe për dërgimin e remitencave të ligjshme dhe funksionon vetëm përmes komunikimit mes njerëzve - me mesazhe dhe telefonata - gjë që e bën pothuajse të pamundur për t’u ndjekur.
“E di a i torturon ata?” pyet hetuesi burrin sudanez për trafikantin të cilit, sipas tij, i transferon paratë.
Është plotësisht e mundur që ky njeri të mos ketë asnjë ide për përmasat e errëta të industrisë që po e ndihmon pa vetëdije.
“Veç Zoti e di”, përgjigjet ai qetë.
Megjithatë, ai ka disa informacione të dobishme. Trafikanti dhe bashkëpunëtorët e tij po vepronin nga një fermë që ndodhej më pak se një kilometër larg bazës policore.
Policia niset menjëherë për të bastisur vendin. Por kur autokolona e makinave mbërrin atje, është tepër vonë. Nëpër dhoma janë shpërndarë pasaporta të huaja dhe dyshekë, por si trafikantët ashtu edhe viktimat, kishin ikur qysh moti.

Trafikantët
Kur trafikantët kapen, zakonisht është çështje fati - jo rezultat i ndonjë pune të sofistikuar policore.
Tri vjet më parë, dy burra sudanezë u futën të rraskapitur në një stacion policie në qytetin shkretinor të Tazirbusë.
Ata shpjeguan se sapo kishin arritur të arratiseshin nga një fermë aty pranë, ku qindra burra të tjerë mbaheshin peng dhe rriheshin ndërsa familjet e tyre detyroheshin të paguanin shpërblime për t’i liruar.
Policia u përgatit dhe sulmoi kompleksin. Një oficer përdori një kazmë për të thyer drynin e derës. Në pamjet e turbullta të filmuara atë ditë gushti, dhjetëra burra dolën me ngut nga dhoma e ngushtë ku ishin mbyllur dhe brohoritën “Allahu Akbar!” teksa dilnin në dritën e diellit, me duart ngritur drejt qiellit.
Ndërsa policët i mblidhnin në oborr, burrat filluan të bërtisnin dhe të tregonin me gisht një njeri që nuk kishte qenë i mbyllur me ta: ai që i trafikonte.
Emri i tij është Tsinat Tesfay - një eritreas rreth të tridhjetave. Vitin e kaluar ai u dënua për “zhdukje të detyruar” dhe aktualisht po vuan dënimin e përjetshëm në burgun qendror të Bengazit, ku CNN mori leje të veçantë për ta intervistuar. Bengazi kontrollohet nga Ushtria Kombëtare Libiane nën komandën e Khalifa Haftarit, jo nga qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Libisë.
“Nuk kam bërë asgjë”, i tha Tesfay CNN-it. “E vetmja gjë që them është se ishte gabim që erdha në Libi. Vetëm kaq”.
Grupet e trafikantëve shpesh janë një përzierje e çuditshme njerëzish - libianë bashkë me shtetas nga vendet e origjinës së emigrantëve, që përkthejnë gjatë telefonatave me familjet për shpërblime dhe shpesh shërbejnë si zbatuesit e dhunshëm për të siguruar pagesat.
Paratë rrallëherë mbeten në Libi.
Në vitin 2023, forcat emirate që vepronin në Sudan arrestuan Kidane Zekarias Habtemariam, një eritreas të dyshuar si kreu i një rrjeti të madh trafikimi, dhe e dërguan në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai po pret ekstradimin në Holandë, ku prokurorët kanë në plan ta gjykojnë. Ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare.
Një gjykatë holandeze pritet të shqyrtojë këtë muaj një çështje të ngjashme ndaj një tjetër eritreasi, i akuzuar si pjesë e një organizate kriminale që merret me kontrabandë njerëzish, pengmarrje, zhvatje dhe dhunë, përfshirë dhunë seksuale.
Tesfay pretendon se edhe ai vetë ishte viktimë e rrjetit të Kidanes - një i trafikuar, jo trafikant. Ai mohon se ka parë tortura.
“Nuk kam parë apo dëgjuar asgjë”, tha ai. “Nuk kam parë asgjë para meje. Unë isha në një depo, haja, pija, pagova për të kaluar nëpër Libi, pastaj më nxorën jashtë”.
Ai shton se fakti që ishte i lirë të lëvizte nëpër kompleks kur mbërriti policia tregon se “nuk ka asnjë kuptim të fshehtë”. Megjithatë, kur e pyesin pse ka kaq shumë eritreas që përfshihen në rrjete trafikimi në Libi, përgjigjja e tij është e qartë:
“Duam para”, thotë Tesfay. “Duam para, prandaj punojmë në trafikim. Duam të ndryshojmë jetën tonë”. Një shpjegim i thjeshtë, por me pasoja të thella.
Një ndikim i thellë
Në qendrën e ndalimit të Ganfudës në Bengazi, dhjetëra gra dhe vajza të reja qëndrojnë të mbledhura në dyshemenë e një magazine të mbushur me dyshekë me qese plastike.
Shumica e tyre tashmë kanë paguar shpërblimet që u kërkuan dhe janë liruar nga trafikantët në Sahara. Por më pas janë kapur nga autoritetet lokale për hyrje të paligjshme në Libi dhe tani presin ndihmë nga Kombet e Bashkuara apo organizatat joqeveritare - ndihmë që shpesh vonohet me muaj.
Mes tyre është edhe një vajzë 16-vjeçare nga Eritrea, të cilës CNN i referohet si Abrihet, për t’ia mbrojtur identitetin pasi është e mitur.
“Këta burra… më prekën”, thotë ajo për ish-trafikantët e saj. “Të prekin. Dorën. Këmbën. Nuk mund ta shpjegoj”.
Një mjek i caktuar nga qeveria në Bengazi ka konfirmuar se ajo nuk është shtatzënë, por kontrolli është e vetmja ndihmë që ka marrë deri tani.
Çdo ditë, gratë dhe vajzat përreth saj shpërthejnë në lot, të mbërthyera nga kujtimet traumatike të asaj që kanë përjetuar. Secila prej tyre ka një histori zemërthyese abuzimi e vuajtjeje.
Abrihet sheh duart e veta, të mbuluara me plagë dhe vija të thella vetëlëndimi.
“Dua të vdes. Dua. Por nuk mundem… Dua të vdes, por nuk arrij ta bëj”.
Luftë kundër bandave
Për vajza si Abrihet, është e pamundur të kuptosh se si një rrjet kaq i madh abuzimi mund të vazhdojë të ekzistojë, vit pas viti.
Përgjegjësia për ta ndalur këtë bie mbi kolonelin Mohammed Al-Fadhil nga Departamenti Libian për Luftën kundër Migracionit të Paligjshëm (DCIM). Në një vend të ndarë, me qeveri rivale, kjo agjenci është një rast i rrallë që vepron në mbarë territorin libian - si në perëndim, ku ndodhet qeveria e njohur ndërkombëtarisht, ashtu edhe në lindje e jug, pjesë që kontrollohen nga forcat e Haftarit.
Situata, këmbëngul ai, është më e mirë se dikur. Por ai thotë komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë më shumë.
“Shikoni, kjo çështje kërkon pjesëmarrjen e shteteve”, thotë ai. “Është një çështje partneriteti. Të gjitha vendet duhet të marrin pjesë - i gjithë Bashkimi Evropian, të gjitha vendet që preken nga migracioni i paligjshëm. Të gjithë duhet të jenë partnerë për të zhdukur këtë fenomen”.
Në vitin 2016, Bashkimi Evropian arriti një marrëveshje me qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Libisë në Tripoli, duke financuar forcat libiane që të ndalonin emigrantët përpara se të kalonin Mesdheun. Marrëveshja solli një ulje të ndjeshme të numrit të njerëzve që e mësynin udhëtimin e rrezikshëm përmes rrugës qendrore të Mesdheut nga Afrika e Veriut drejt Evropës, por në të njëjtën kohë bëri që shumë emigrantë të përfundonin në qendra ndalimi të mjerueshme në Libi.
Kohët e fundit, numri i emigrantëve që guxojnë të ndërmarrin këtë kalim të rrezikshëm është rritur ndjeshëm - veçanërisht midis lindjes së Libisë dhe Greqisë - me një trefishim brenda një viti. Eritreasit janë më të prirë për të rrezikuar: aktualisht ata janë grupi i dytë më i madh kombëtar që mbërrin në Itali, pas banorëve të Bangladeshit.
Organizatat e të drejtave të njeriut e kanë akuzuar DCIM-in për mbajtje në kushte çnjerëzore dhe përdorim të dhunës ndaj emigrantëve. Një panel ekspertësh të OKB-së ka pretenduar se emigrantët e liruar gjatë bastisjes në Tazirbu janë keqtrajtuar sërish nga DCIM-i. Al-Fadhil i hodhi poshtë këto akuza duke thënë se “janë të padobishme nëse nuk shoqërohen me prova të qarta”.
Në tetor, në Libi ishin regjistruar pak mbi 100 mijë refugjatë dhe kërkues azili. Por numri i vërtetë i njerëzve që kanë ikur nga konfliktet dhe ndodhen në vend është pa dyshim shumë më i madh, pasi OKB-ja – e cila merret me regjistrimin e refugjatëve - vepron vetëm në zonat nën kontrollin e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht në perëndim. Zyrtarët e OKB-së kanë kërkuar ndihmë për të zgjeruar përpjekjet e tyre, sidomos për të përballuar fluksin e refugjatëve sudanezë që hyjnë në Libi.
Haftar, që kontrollon pjesën lindore dhe jugore të vendit, drejton një qeveri të panjohur nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane. Kjo është një nga arsyet pse retorika gjithnjë e më e ashpër kundër emigracionit në Evropë nuk është përkthyer në bashkëpunim më të madh për të ndalur kontrabandistët dhe trafikantët në Libinë jugore.
Pas muajsh ankthi dhe përpjekjesh për të mbledhur para, Abeba më në fund arriti të dërgojë shumën e kërkuar për lirimin e vëllait të saj, Danielit. Ai ndodhet tani në qytetin perëndimor të Tripolit - ende larg nga mundësia për t’u ribashkuar me familjen.
Por pamjet e tmerrshme të abuzimit ndaj tij dhe fakti që humbi gjithë kursimet e familjes për ta shpëtuar e kanë shkatërruar shpirtërisht.
“Zoti i ndëshkoftë për atë që bënë”, thotë ajo mes lotësh. “Sa nëna po qajnë gjak e lot për fëmijët dhe të dashurit e tyre? Ju lutem, tregojani këtë histori botës”.