Botë

Bill Clinton e Princi Andrew përmenden në dosjen gjyqësore të Jeffrey Epsteinit

Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton dhe Princi Andrew i Britanisë së Madhe janë në mesin e figurave të larta që përmenden në dokumentet gjyqësore në SHBA, ku detajohen lidhjet e abuzuesit seksual, Jeffrey Epstein, i cili kreu vetëvrasje në burg, raporton “BBC”.

Të dhënat e sapo publikuara formojnë pjesën e rastit kundër Ghislaine Maxwellit, të dashurës së Epsteinit që është dënuar me burgim pasi u tha se ajo kishte ndihmuar Epsteinin të abuzonte me vajza.

Në mesin e emrave tjerë të përfshirë janë këngëtari i ndjerë Michael Jackson e magjistari David Cooperfield, ndonëse nuk pretendohet se ata kishin bërë ndonjë shkelje.

Princi Andrew akuzohet se ka prekur në mënyrë të papërshtatshme një grua, ndonëse e ka mohuar këtë.

Disa nga më tepër se 100 persona në listë bëjnë akuza për individë tjerë apo janë dëshmitarë të mundshëm.

Por, dokumentet e zbuluara nuk përmbajnë asnjë zbulim të ri bombastik për Epsteinin, që vdiq në burg ndërsa po priste të gjykohej mbi akuzat për trafikim seksual.

Dokumentet, rreth 900 faqe, u publikuan të mërkurën, një ditë pasi gjykatësja e New Yorkut, Loretta Preska, tha se shumë nga emrat janë identifikuar tashmë nga mediat apo gjatë gjykimit të Maxwellit.

Në dokumente nxirret në pah një rreth shoqëror mirë i lidhur në orbitën e Epsteinit.

Gjyqtarja Preska ka kërkuar që disa nga emrat të mbesin të redaktuar, sepse do të identifikonin viktimat e abuzimit seksual. Megjithatë, më tepër dokumente pritet të dalin në ditët në vijim.

Pretendimet e bëra kundër Princi Andrew

Në dosjet e sapo publikuara përfshihet pretendimi i Johanna Sjobergut, e cila kishte thënë se Princi Andrew e ka prekur në gjoks ndërsa ishin ulur në një divan brenda apartamentit të Epsteinit në Manhattan në vitin 2001.

Pallati Buckingham më herët kishte mohuar kategorikisht pretendimet e Sjobergut.

Në ankesë, Sjoberg tha se Princi Andrew vuri dorën në gjoksin e saj për të pozuar për një foto me të dhe Virginia Giuffren, një grua tjetër që kishte bërë akuza.

Në vitin 2022, Giuffres iu paguan miliona për ta zgjidhur çështjen që ajo ngriti, duke pretenduar se Prince Andrew kishte abuzuar me të seksualisht kur ajo ishte 17-vjeçare.

Princi Andrew tha se ai kurrë nuk e kishte takuar Giuffren dhe mohoi akuzat.

Udhëtimet e Bill Clintonit

Në dokumentet e gjykatës përmendet edhe ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, megjithatë nuk ka ndonjë implikim të tij për ndonjë shkelje.

Të kontaktuar për koment, përfaqësuesit e Clintonit iu referuan një deklarate të lëshuar në vitin 2019, ku thotë se “ai nuk di asgjë për krimet e Epsteinit”.

Sipas të dhënave të gjykatës, Sjoberg kishte dëshmuar se Epstein një herë i kishte thënë se Clintoni “i do të reja, duke iu referuar vajzave”.

Clintoni kishte pasur aferë me një praktikante 22-vjeçare të Shtëpisë së Bardhë ndërsa ai ishte president i SHBA-së.

Në dosje përfshihet dëshmia e Maxwellit që konfirmon se Clinton kishte udhëtuar me aeroplan privat të Epsteinit, por nuk kishte treguar se sa herë.

Clinton udhëtoi me aeroplanin privat të Epsteinit në ato që i përshkroi udhëtime humanitare për në Afrikë në fillim të viteve 2000 dhe në atë kohë ai e vlerësoi Epsteinin si një filantrop të përkushtuar, megjithëse tha se më vonë i ndërpreu lidhjet me të.

Në deklaratën e Clintonit në vitin 2019, ai tha se kishte qenë i përcjellur në udhëtimet me Epsteinin nga stafi dhe mbështetësit e fondacionit bamirës të tij, “Clinton Foundation”.

Në dokumente përfshihet një pjesë ku avokatët e Maxwellit kërkojnë të mos pranohet një raport i një mediumi, ku thuhej se Clinton pak pasi la detyrën si president i SHBA-së në janar të vitit 2001, udhëtoi në ishullin privat të Epsteinit në Karaibe.

Një avokat i Maxwellit tha se ish-presidenti i SHBA-së “nuk kishte udhëtuar, dhe as që kishte qenë i pranishëm në ishullin Little St James nga 1 janari i vitit 2001 deri më 1 janar të vitit 2003”.

Pse përmendet Trumpi?

Dokumentet gjyqësore gjithashtu përfshijnë dëshminë e Sjobergut duke thënë se Epsteini i tha asaj se do të kontaktonte Donald Trumpin gjatë rrugës për në një nga kazinotë e tij në New Jersey në vitin 2001.

“Jeffrey tha, ‘Shkëlqyeshëm, ne do ta thërrasim Trumpin’”, kishte dëshmuar Sjoberg.

Sipas saj, Epstein i tha këto pasi pilotët i treguan se avioni i tyre nuk mund të ulej në New York dhe duhej të ndalej në Atlantic City të New Jerseyt.

Në dokumente nuk flitet për ndonjë shkelje të Trumpit.

Sjoberg është pyetur nëse ajo i kishte dhënë ndonjë mesazh Trumpit, ndërsa u përgjigj me: “jo”.

Emrat tjerë të përmendur

Michael Jackson dhe David Copperfield përmenden po ashtu. Sjoberg tha se u takua me këngëtarin e ndjerë Jackson dhe po ashtu me magjistarin Copperfield nëpërmjet Epsteinit, ndonëse nuk akuzoi ata për ndonjë gjë.

Po ashtu përmendet agjenti francez i modelimit Jean-Luc Brunel, që vrau veten në burg në Paris në vitin 2022, ndërsa po priste gjykimin ku po akuzohej për përdhunim.

Në deklaratën e saj, Virginia Giuffre kishte thënë se ishte detyruar të ketë marrëdhënie seksuale me figura të njohura, përfshirë guvernatorin e New Mexicos, Bill Richardson.

Deri para vdekjes së tij vitin e kaluar, Richardson mohoi se ishte takuar me Giuffren dhe ndaj tij nuk ishte ngritur asnjë akuzë.

Alfredo Rodriguez, një punonjës që përkujdesej për siguri të Epsteinit, e përshkroi Maxwellin si “boss” në dëshminë e tij.

Rodriguez, që vdiq në vitin 2015, tha se mbante para gjatë gjithë kohës për t’u dhënë vajzave të shkollave të larta, e po ashtu vajzave që ishin atje e po ndihmonin për të gjetur vajza për Epsteinin.

Epstein e Maxwell

Vdekja e Epsteinit në vitin 2019, ishte vlerësuar si vetëvrasje nga ekspertiza mjekësore në New York.

Maxwell, vajza e manjatit të botimeve Robert Maxwell, aktualisht po vuan dënim me 20 vjet burgim për rolin e saj në rekrutimin e vajzave për Epsteinin.

Avokatët e saj po apelojnë.

Avokatët e Maxwellit në një deklaratë dhënë “CNN” të mërkurën thanë: “Ajo vazhdimisht ka insistuar për pafajësinë e saj”.