Presidenti amerikan, Joe Biden, të martën ishte njoftuar se sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin po trajtohej për sëmundjen e kancerit, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Austin, 70-vjeçar, ishte shtruar në spital më 1 janar dhe më vonë edhe në kujdesin intensiv shkaku i komplikimeve pas operimit në muajin dhjetor.
Ai ishte kritikuar se nuk njoftoi zyrtarët më të lartë për përkeqësimin e shëndetit.
Ka kërkuar falje për këtë, por ka nxitur shqetësimet për sigurinë kombëtare dhe çështjet e transparencës brenda administratës së Bidenit.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e kanë pranuar se komunikimi nuk ishte i duhuri dhe se është dashur më herët të njoftohen për shëndetin e sekretarit të mbrojtjes.
Sekretari i Mbrojtjes është lart në zinxhirin komandues të ushtrisë pas presidentit dhe njëri prej anëtarëve më të rëndësishëm në kabinetin e presidentit.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby ka thënë se presidenti Biden vetëm të martën ka mësuar për diagnozën e kancerit të prostatës te sekretari i Mbrojtjes.