Në diskutim është taksa federale prej 18.4 centësh për galon për gazin dhe taksa federale 24.4 centë për galon për naftën. Nëse kursimet e gazit do t'u kalonin plotësisht konsumatorëve, njerëzit do të kursenin afërsisht 3.6% në pompa kur çmimet janë mesatarisht rreth 5 dollarë për galon në mbarë vendin. Por shumë ekonomistë dhe ligjvënës nga të dyja palët e shohin me skepticizëm idenë e pezullimit të taksave të gazit
Presidenti Joe Biden do t'i bëjë thirrje Kongresit të mërkurën të pezullojë taksat federale të benzinës dhe naftës për tre muaj, një veprim që synon të lehtësojë presionet financiare pompa derivatesh, që zbulon gjithashtu ndikimin politik të çmimeve të larta të gazit në vit zgjedhor.
Presidenti demokrat gjithashtu do t'u bëjë thirrje shteteve që të pezullojnë taksat e tyre të gazit ose të ofrojnë lehtësim të ngjashëm, tha Shtëpia e Bardhë.
Në diskutim është taksa federale prej 18.4 centësh për galon për gazin dhe taksa federale 24.4 centë për galon për naftën. Nëse kursimet e gazit do t'u kalonin plotësisht konsumatorëve, njerëzit do të kursenin afërsisht 3.6% në pompa kur çmimet janë mesatarisht rreth 5 dollarë për galon në mbarë vendin.
Por shumë ekonomistë dhe ligjvënës nga të dyja palët e shohin me skepticizëm idenë e pezullimit të taksave të gazit.
Barack Obama, gjatë fushatës presidenciale të vitit 2008, e quajti idenë "mashtrim" që i lejonte politikanët të "thoshin se ata bënë diçka". Ai paralajmëroi gjithashtu se kompanitë e naftës mund të kompensojnë lehtësimin e taksave duke rritur çmimet e tyre.
Çmimet e larta të gazit përbëjnë kërcënim themelor për ambiciet elektorale dhe politike të Bidenit. Ato kanë bërë që besimi në ekonomi të bjerë në nivelet më të ulëta, e kjo është shenjë e keqe për ruajtjen e kontrollit demokrat të Dhomës dhe Senatit në nëntor.
Përpjekjet e kaluara të Bidenit për të ulur çmimet e gazit, duke përfshirë lirimin e naftës nga rezerva strategjike e SHBA-së dhe përzierjen më të madhe të etanolit këtë verë, kanë bërë pak për të rezultuar kursime në pompë, një rrezik që mbartet në idenë e pezullimit tatimor të gazit.
Bideni e ka pranuar se si çmimet e gazit kanë shteruar entuziazmin e publikut kur ai po përpiqet të bindë njerëzit se SHBA-ja ende mund të orientohet drejt një të ardhmeje me energji të pastër. Në një intervistë me Associated Press javën e kaluar, Bideni përshkroi SHBA-në si një vend që tashmë po shëron disa plagë psikologjike nga pandemia e koronavirusit e që tani është i shqetësuar se si të përballojë çmimet e gazit, ushqimit dhe gjërave të tjera thelbësore.
"Nëse e vini re, derisa çmimet e gazit filluan të rriten", tha Bideni, "njerëzit ishin shumë më optimistë".
Presidenti mund të bëjë jashtëzakonisht pak për të rregulluar çmimet që përcaktohen nga tregjet globale, kompanitë e orientuara nga fitimet, kërkesa e konsumatorit dhe tronditjet nga pushtimi rus i Ukrainës dhe embargot që pasuan. Problemi themelor është mungesa e naftës dhe rafinerive që prodhojnë gaz, një sfidë që pezullimi tatimor nuk mund ta zgjidhë domosdoshmërisht.
Mark Zandi, kryeekonomist në Moody's Analytics, vlerësoi se pjesa më e madhe e inflacionit prej 8.6%, gjatë 12 muajve të fundit në SHBA, vjen nga çmimet më të larta të mallrave për shkak të pushtimit të Rusisë dhe ndërprerjeve të vazhdueshme nga koronavirusi.
"Në një afat të afërt, është kritike të frenohet rritja e çmimeve të naftës", tha Zandi javën e kaluar, duke sugjeruar se Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe një marrëveshje bërthamore me Iranin mund të ndihmojnë në rritjen e furnizimeve dhe uljen e çmimeve.
Ligjvënësit republikanë janë përpjekur t'i hedhin më shumë faj Bidenit, duke thënë se ai krijoi një mjedis armiqësor për prodhuesit vendas të naftës, duke bërë që prodhimi i tyre të qëndrojë nën nivelet para pandemisë.
Udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell, u tall me idenë e pezullimit të taksave të gazit. “Ata kanë kaluar një vit të tërë duke bërë një luftë të shenjtë për energjinë e përballueshme amerikane dhe tani duan të përdorin një grumbull parash të taksapaguesve për të fshehur pasojat”, tha ai.
Kryetarja e Dhomës Demokratike, Nancy Pelosi, ka shprehur më parë dyshime për vlerën e pezullimit të taksës federale të gazit.
Zyrtarët e administratës thanë se kostoja prej 10 miliardë dollarësh e heqjes së taksës së gazit do të paguhet dhe Fondi i Mirëbesimit të Autostradave do të mbahet i plotë, edhe pse taksat e gazit përbëjnë një burim të konsiderueshëm të ardhurash për fondin. Zyrtarët nuk specifikuan ndonjë burim të ri të të ardhurave.
Presidenti u ka bërë thirrje gjithashtu kompanive të energjisë që të pranojnë margjina më të ulëta fitimi për të rritur prodhimin e naftës dhe kapacitetin e rafinimit të benzinës.
Kjo ka rritur tensionet me prodhuesit e naftës: Bideni ka gjykuar se kompanitë po bëjnë "më shumë para se Zoti". Kjo nisi një zinxhir ngjarjesh në të cilat kreu i Chevronit, Michael Wirth, i dërgoi letër Shtëpisë së Bardhë, duke thënë se administrata "është munduar kryesisht të kritikojë dhe nganjëherë të poshtërojë industrinë tonë".
I pyetur për letrën, Bideni tha për Wirthin: “Ai është pak i ndjeshëm. Nuk e dija se ata do të lëndoheshin kaq shpejt”.
Kompanitë e energjisë kanë planifikuar të takohen të enjten me sekretaren e Energjisë, Jennifer Granholm, për të diskutuar mënyrat për të rritur furnizimin.
Përktheu: Forca Jashari