FBI-ja ia bleu një kompjuter dhe një celular me qëllim që të mund të vinte kontakte online me grupin e ri të klanit. Brenda pak javësh Moore kishte planifikuar një takim me Dragoin e Madh dhe njeriun e dytë në komandë, gjeneral Dollarin në një vendparking në Bronson në Florida. Anëtarët e klanit e kontrolluan patentën e shoferit të Mooret-it dhe e testuan në këmbim të zhargonit të klanit. Moore iu tha se edhe më parë kishte vrarë njerëz, përfshirë një vrasje në Kinë më 2005. Apo gënjente. Ai kurrë nuk kishte parë fushëbetejë me sytë e tij dhe medaljet në qafë ishin të falsifikuara
Ekspertët e terrorizmit të brendshëm kaherë kanë bërë thirrje për monitorim më të mirë për të ndihmuar identifikimin e ekstremistëve para se ata të angazhohen. Disa shtete amerikane, si Kalifornia dhe Minesota, janë orvatur të miratonin ligje që kërkonin monitorim më të mirë, por përpjekjet shkuan huq për shkak të presionit nga sindikatat policore, sfidat juridike të të cilave pretenduan me sukses se kjo do të përbënte shkelje të të drejtave të njeriut.
Pa skanim, supremacistët e bardhë, të cilët mund të operojnë pa u ndëshkuar, mund t’i sulmojnë afro-amerikanë dhe qytetarët e tjerë me ngjyrë, si dhe t’i rekrutojnë ata që kanë pikëpamje të ngjashme.
“Derisa emri juaj nuk përmendet në përgjime të FBI-së”, ju nuk do të hetoheni, ka thënë Fred Burton, ish-agjent special i Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Ka vrima ligjore në procesin hetues”.
Shpërthimet e dhunshme
Warren Williams doli nga burgu disa muaj pas përleshjes me Driverin, gardianin e burgut. Pikërisht në prag të Krishtlindjeve, dhe arriti në shtëpinë njëkatëshe me tulla të nënës në Palatka, qytezë e vogël në veri të Floridës. Aty jetonin edhe tri motrat më të vogla.
Në fund të qorrsokakut kishte disa vagonë, që ishin hedhur skaj lumit St. Johns. Rrjedhja e gjerë përshkon në drejtim të verilindjes, afër Jacksonvillet.
Pas muajsh të tërë të kaluar në qeli burgu, Williams po digjej që t’i kthehej peshkimit te lumi në fqinjësi. Kishte ndërmend t’i kalonte disa ditë në mjedis të hapur dhe të shkruante poema dhe tekste muzikore gjatë kohës së lirë.
Palatka, me një popullsi pothuajse barabar afro-amerikane dhe të bardhë, ishte dërrmuar nga Recesioni i madh i vitit 2008. Shumë prej muraleve të kushtueshme të qytetit kishin humbur shkëlqimin dhe në qytet më shumë kishte dyqane të mbyllura se të hapura. Një termocentral energjetik me thëngjill afër lumit ishte punëdhënësi më i madh i Palatkës.
Williams kishte telashe me ankthin, dhe nganjëherë kishte shpërthime të dhunshme. Nëna i konsideronte si episode të “masës mbrojtëse”. Por ai ishte në shtëpi, ku ajo mund të kujdesej për të. Po i përmbushte të gjitha kushtet ligjore të lirimit të parakohshëm dhe po shkonte në takimet e detyrueshme.
Dhe klani nuk ishte në mesin e shqetësimeve të Williamsit. Imazhet e djegies së kryqit dhe të burrave të klanit duke shënjestruar afro-amerikanët për dhunë i dukeshin diçka e dalë mode.
Si para 100 vjetësh?
Por simbolet e sundimit të grupit në Palatka shiheshin kudo. Sa herë që Williams takohej me zyrtarin kujdestar, kalonte pranë shtatores së një ushtari të Konfederatës në ballë të ndërtesës së Putnam Countyt në qendër të Palatkës. Drunjtë para ndërtesës së gjykatës, shumëkush mund t’i marrë si panoramë e bukur, por shumëkujt ata ua kujtojnë linçimet e dhimbshme në të kaluarën.
Florida e Jim Crowit ishte një prej vendeve më të rrezikshme në jug për afro-amerikanët gjatë asaj epoke. Një afro-amerikan në Florida rrezikonte të linçohej – një ekzekutim pa proces gjyqësor, shpesh me vrasje ose varje – se në shtetet e tjera, thuhet në një studim të Universitetit të Georgias , të të dhënave për numrin e linçimeve.
Më 1925, Ku Klux Klani kontrollonte Putnam Countyn. Një anëtar klani me emrin R.J. Hancock u zgjodh sherif dhe ai ndihmoi mbisundimin e terrorit, ku bandat linçuese dominonin jetën qytetare. Për t’ia prerë udhën, guvernatori i Floridës kërcënoi me shpallje të gjendjes së jashtme më 1926.
Por klani dhe banditët e ngjashëm po e bënin të veten. Sot është vetëm një grup në një lëvizje të supremaciste të bardhë të decentralizuar.
“Është befasuese që po bisedojmë për diçka që ishte mbisunduese në vitet 1920, duke ndodhur edhe 100 vjet më vonë”, ka thënë Terrill Hill, avokat i Williamsit dhe kryetar i Palatkës. “Është frustruese. Zemëruese”.
“Le të bëhet qysh të bëhet”
Ishte një ditë e vranët janari kur Joseph Moore, kalorësi i madh i klanit, mbërriti në një shtëpizë të rrasur prapa lisave të gjatë. Vinte era pishë.
Ishte shtëpia e Charles Newcombit, çehrezverdhuri që dikur kishte punuar si gardian burgu, i cili kishte njëherësh edhe detyrën e shefit lokal të klanit. Newcomb kishte lënë punën në burg, por kishte vazhduar lidhjen e ngushtë me Moran “Sarge”. Ai donte të diskutonte “çështjen e vëlla Thomasit” me Mooren.
“Kështu e mendoj unë këtë punë. Ishte një përpjekje e drejtpërdrejtë për vrasje”, thekson Newcomb, duke iu referuar kafshimit të Driverit nga Williamsi. “Nuk më kërcet hiç qysh e sheh ti”.
“Na thjesht duhet ta kryejmë punën, dhe le të bëhet qysh të bëhet”, ka thënë Newcomb. “Ai edhe ashtu është pleh”.
Për shkak të kaluarës së njohur të Mooret-it si një vrasës i njohur, Newcomb ia besoi punën për zbatimin e planit.
“Do të doja që punët të kryheshin profesionalisht”, tha Moore me tonin e një vrasësi të regjur. “Ka shkathtësi dhe teknika, dhe gjëra që i mbijetojnë kohët. Nëse e varrosni dikë në, le të themi, fushë të hapur ose diku aty, do ta nxjerrë toka”.
“Por nëse e varrosni dikë në varreza sipër eshtrave të dikujt që tashmë është varrosur, asnjëherë nuk do të gërmohet”.
Të dytë u pajtuan se duhet të udhëtonin deri në Palatka për të analizuar lagjen e Williamsit.
“Në njërën prej netëve do ta takojmë dhe mund t’i afrohemi dhe ta nxjerrim prej mjerimit të madh”, thotë Newcomb.
Ai synonte të sigurohej që Driveri të kishte një alibi.
“Çfarë na duhet është vëlla Thomasi (Driveri) të jetë në punë”, thotë Newcomb. “Dhe kur ta kryejmë që Thomasi të jetë në punë, ai do të ketë një alibi”.
Snajperisti
Joseph Moore ishte burrë dhe baba, veteran dhe anëtar klani. Ishte gjithashtu informator sekret që po paguhej për t’i ofruar informacione FBI-së.
Ishte punë që mund të të kushtonte edhe me kokë. Po ta merrnin vesh anëtarët e klanit, Moore e dinte fort mirë çka e priste.
Lidhja kishte edhe rrezikun e konsiderueshëm për FBI-në. Moore kishte vuajtur nga probleme mendore dhe ishte shtruar në spital pas çnderimit nga Ushtria amerikane më 2002, ku ishte trajnuar si snajper.
Ishte futur në një spital në New Jersey. I dehur, në xhepa kishte mijëra dollarë. Në xhep kishte një biletë aeroplani drejt Jordanisë, dhe i tha policisë se planifikonte të luftonte me Peshmergat në rajonin kurd të Irakut. Ai do t’i kalonte katër muaj nën kujdes mjekësor.
FBI-ja dhe Zyra e alkoolit, duhanit, armëve dhe eksplozivëve, ose ATF, kaherë ishin bazuar te informatorët për të hetuar grupet e brendshme ekstremiste , me rezultate të përziera. Hetuesit federalë ishin mashtruar dhe manipuluar disa herë nga informatorët. Dhe kjo rrekje është e kushtueshme. Informatorët shpesh punojnë për vite me radhë tinëz, dhe nëse zbulohen, duhet t’u ofrohet mbrojtje.
Më 2008, Moore shkoi në zyrën e FBI-së në Gainesville për shkak se dëshironte që agjentët të hetonin zyrën e sherifit lokal. Kunati i tij ishte arrestuar me akuzën për lidhje me rrjete droge dhe Moore mendonte se një zëvendës policie e kishte mbjellë drogën. Një agjenti i FBI-së u takua me Mooren, dhe eventualisht e rekrutoi për t’u bërë pjesë e hetimit të një anëtari të grupit të klanit në Florida, të dyshuar për planifikim të një vrasjeje.
Dekonspirimi
Gjatë hetimit, gruaja e Mooret-it kishte nisur t’i shihte me dyshim aktivitetet e tij. Ajo po i kërkonte llogari. Eventualisht, ai i tregoi asaj dhe familjes për punën e tij me FBI-në. Ishte shkelje themelore e rregullave dhe FBI-ja e shkarkoi.
Disa vjet më vonë ekrani i celularit iu ndez kur iu shfaq një numër i panjohur. Sidoqoftë, zëri ishte i njohur. Ishte një agjent që e kishte njohur para punës me FBI-në. I kërkonte takim për një hetim të ri për një shkelje tjetër të një celule të klanit. Për shkak të infiltrimit të suksesshëm të Mooret-it më parë në klan, agjencia e rekrutoi përsëri.
FBI-ja ia bleu një kompjuter dhe celular me qëllim që të mund të vinte kontakte online me grupin e ri të klanit. Brenda pak javësh, Moore kishte planifikuar një takim me Dragoin e Madh dhe njeriun e dytë në komandë, gjeneral Dollarin në një vendparkim në Bronson në Florida.
Anëtarët e klanit e kontrolluan patentën e shoferit të Mooret-it dhe e testuan në këmbim të zhargonit të klanit. Moore iu tha se edhe më parë kishte vrarë njerëz, përfshirë një vrasje në Kinë më 2005. Apo gënjente. Ai kurrë nuk kishte parë fushëbetejë me sytë e tij dhe medaljet në qafë ishin të falsifikuara.
Por liderët ishin impresionuar. E ftuan Mooren-in që të “natyralizohej”. Mbushi një aplikacion, pagoi 20 dollarë, bashkë me një shumë vjetore prej 35 dollarësh.
Ai nënshkroi edhe betimin, në të cilin shkruante: “Betohem se do të jem klanor në të gjitha gjërat, për të pranuar jetën e Vëllazërisë së Shërbimit, për të rigjeneruar vendin tonë dhe racën e bardhë dhe për të ruajtur gjakun e bardhë dhe supremacinë natyrale që ia ka dhënë Zoti”.
Dragoi i Madh ia tha se shkelja e betimit ndëshkohej me vdekje.
(Vijon)
Përktheu: Rexhep Maloku